Fahredin Gunga: Kujt t’i trokas në dyert e zemrës…

Mali u kall. Me të edhe unë. I thirra
zjarrfikësit e damarëve të mi, por ata i ka zënë
gjumi i parë, sepse janë dejë sonte. Kanë pirë shumë.
Ç’të bëjë? Pyeta Karagaçin. Karagaçi heshti.
E unë (thellë në mua) u kalla. Zjarrfikësit flejnë.
Duart i kam të vogla e hapat po i mas me centimetër.
Mendoj: kah të shkoj?…Si të shuhem?…
                                                    Bistrica
po ikën si vajzë e turpshme. O, më kalli qetsia
E heshtja. E uji i burimit. Kend ta zgjoj nga gjumi
kujt t’i trokas në dyert e zemrës, kur jam në mal-
e zemrat janë të mbyllura ndërmjet mureve
të plogëta të qytetit me sy neoni, dhe asnjë kalimtar
nuk kalon më këndej pari? Si duket
jam kalimtar i fundit i ditës që shkoi, (o, jam
bërë gjuetar ndjenjash, i dashuri im).
Ndoshta agimi flokëkuq i ditës lehonë u kall
në mua. Po damarët më vjellin vetëm flakë.
E zjarrfikësit flejnë. Kush e din, vallë, që endem
kaq vonë nëpër pyll? Askush. Vetëm sytë e mi
dhe heshtja së cilës deshta t’i hyjë në gji
dhe burimi ku i lash kokërrzat e puthjeve të mija
me epshin e mbrëmjes që m’i këputi buzët.

Qielli rrecka-rrecka është vjerrë nëpër lisa
e hënës iu kanë shky velat nëpër rrema.
Vonë ka lindur sonte. E është e madhe sa ndjenja.

*Titulli i origjinalit: “Zjarri i shetitjes së vonë”