Faik Konica: Fati i Shqipërisë nuk hiqej nga mendja e Skënderbeut

faik konica

Ushtritë e Skënderbeut shtoheshin përdita. Shqiptarë dhe burra nga farë të tjera mblidheshin me vrap nën flamurin e tija. Flamuri i Skënderbeut ish i kuq me një shqiponjë të zezë me dy krerë. Popujt, duke parë këtë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit.
Këto shenja të pëlqyera i ngrohnin Skënderbeut zemrën. Po i madhi luftar, në vend që të prehej nga shumësia e ndihmavet që ndiente rreth e rrotull edhe të vërë vetveten në gjumë, gatitej pareshtur për luftën e rëndë që e dinte se do të kërcasë. Le të ish koha e fëlliqur, le të ish e ngrirë, le të ish e errët, Skënderbeu i palodhur fluturonte nga kalaja në kala, nga mali në fushë, i shikonte të gjitha me sy të tij, jepte urdhër për të forcuar viset e dobëta peshonte të ngjarat e pastajme edhe ngrehte plane për të mbruar Shqipërinë nga rreziku që qasej. Këto lëvizje ishin të mira edhe për ushtrinë; se Skënderbeu thosh që ushtria s’duhet të qëndrojë në një vend sepse ashtu ndryshket edhe humbet fuqinë e saja, po duhet të dyndet dhe të rendë nga vendi në vend, që të mbahet e gjallë dhe e zonja për luftë.
Sulltan Murati, i cili gatitte që prej kohe një fushatë kundër Skënderbeut, kish marrë masa që të dëgjoheshin përgatitjet e tij. Po Skënderbeu, me anë të miqve të fshehur që mbante rreth e rrotull sulltan Muratit, i mori vesh qëllimet e tij edhe kuptoi që lufta, të cilën e priste, ish më në fund të krisur e sipër.
Fati i Shqipërisë nuk hiqej nga mendja e Skënderbeut.
Që të shtojë forcat e tija, deshi të lidhet me gjithë princët fqinjë, edhe u muar vesh që të piqen për të biseduar në qytet të Leshit, i cili ahere ish vend i zotuar nga Venediku.
I pari që arriu në mbledhje të Leshit ish Arianiti, një princ i Shqipërisë së Jugës, i cili kish bërë shumë trimërira kundër invadorëve të vendit, po më në fund, i mundur nga numri, kish qenë shtrënguar ta njohë sulltan Muratin për krye edhe t’i paguajë haraç. Arianiti kish sjellë me vete edhe një numër të madh ushtarësh këmbës dhe kalorës.
Pas Arianitit erdhi Ndre Topia, me të bijtë e tij Komenin edhe Muzaqin, edhe me të nipin Tanushin. Topia ish princi i Himarës, edhe shkoi në Lesh me një tok ushtarësh të shëndoshë.
Pas Topisë u dukën Gjergj Streshi i cili zotonte një vend në mes të Krujës dhe të Leshit, disa zotërinj nga dera e Muzaqës, dashamirë të Skënderbeut; Kol edhe Pal Dukagjini, që të dy të dëgjuar për trimëritë e tyre, dhe të zotërit e një vendi që është kufi nga një anë me Drinin edhe nga ana tjatër me Mezinë: Llesh Zaharia, zot i Danjës edhe i ca vendeve të tjera; Pjetër Shpani me të katër bijtë, luftëtarë të rrebët si i ati i tyre; Pjetër Cernoviçi, me të bijtë e tij Gjergjin dhe Gjonin, të cilët zotonin Zhabjakun, Falkuan edhe disa vise në Sllavonjë.
Kishin vajtur edhe disa princër më të vegjël. Ca qytete kishin dërguar delegatë.Edhe Republika e Venedikut, e cila, duke zotuar disa qytete në Shqipëri, interesatej në të pastajmen e vendit, dërgoi përfaqësonjës, jo aq për të dhënë zotime, sa për të përgjuar ç’do të thohej edhe ç’përfundje do të jepeshin në mbledhje.

1912

*Titulli i origjinalit: “Gatitjet e Skënderbeut kundër turqvet”

Përgatiti: ObserverKult