Isabel Allende: I merrnin erë njëri-tjetrit…

isabel allende

Nga Isabel Allende

Ora e së vërtetës

Alba rrinte e mbledhur kruspull në errësirë. Letrën ngjitëse që i zinte sytë ia kishin shqitur me forcë dhe në vend të saj i kishin vënë një shirit të shtrënguar fort. Po vdiste fare nga frika. Kujtoi stërvitjen që i bënte dikur daja i saj, Nikolasi, për ta përgatitur që të mos kishte frikë nga frika.
U përqëndrua që të mposhtte të dridhurat e trupit dhe të mos dëgjonte zhurmat e llahtarshme që vinin nga jashtë. U përpoq të sillte ndër mend çastet e lumtura që kishte kaluar me Migelin.
Donte të shtynte kështu kohën dhe të gjente forca për të përballuar atë që e priste. Me vete thoshte se duhej të duronte disa orë pa e tradhtuar nervat, derisa gjyshi të vinte në veprim makinerinë e rëndë të pushtetit dhe të ndikimit të tij për ta nxjerrë prej andej.

U mundua të gjente në kujtesë atë shëtitje vjeshte me Migelin në breg det, shumë më përpara se stuhia e ngjarjeve ta kthente botën mbrapsht. Atëherë kur i quanin gjërat me emrin e tyre dhe fjalët kishin atë kuptim që kishin, kur popull, liri, shok donin të thoshin vetëm popull, liri, shok dhe nuk ishin kthyer akoma thjesht në parulla.

Ajo u mundua të rijetonte këtë çast. Tokën e kuqe dhe të qullur, aromën e fortë të pyjeve me pisha dhe eukalipte, poshtë të cilëve, pas verës së gjatë dhe përvëluese, shtrihej qilimi me hala e me gjethe të thara dhe drita e praruar e diellit depërtonte nëpërmjet majave.

U përpoq të kujtonte të ftohtët dhe qetësinë që mbizotëronte, atë ndjenjë të çmuar, që ishin zotër të Dheut, që ishin njëzet vjeç dhe kishin një jetë të tërë përpara, që preheshin në qetësi, të dehur nga era e pemëve dhe nga dashuria, pa e vrarë mendjen për të ardhmen, duke pasur si pasuri të vetme e të jashtëzakonshme…

Atë të çastit kur sodisnin njëri-tjetrin. I merrnin erë njëri-tjetrit. Putheshin, zbulonin njëri-tjetrin mes fëshfërimës së erës, midis degëve të pemëve dhe zhurmës së afërt të dallgëve që përplaseshin pas shkëmbinjve rrëzë buzëve shkëmbore…

Pastaj shpërthenin si breshër shkume aromatike, ndërsa ajo dhe ai, të bërë njësh e të mbështjellë me të njëjtën pelerinë si dy binjakë të bashkëngjitur, qeshnin dhe betohe shin se kjo do të vazhdonte gjithmonë. Të bindur që ishin të vetmit në gjithë botën, që kishin zbuluar dashurinë.

Alba nuk mund të mos dëgjonte klithmat, rënkimet që s’kishin të pushuar, zërin e radios, të ngritur në kupë të qiellit. Migeli, pylli dhe dashuria u zhdukën në humbëtirën e pafund të tmerrit dhe ajo vendosi të përballonte fatin që e priste, pa i bërë dredha.

Përktheu: Viktor Kalemi

ObserverKult

Lexo edhe:

ISABEL ALLENDE: “ZOT, PËRSE MË DUHEN MË TEPËR SE DY PJATA?”