Faik Konica: Nata po afrohet…Drita e ditës tretet dalë nga dalë

faik konica
Faik Konica

Faik Konica u lind më 15 mars 1876 në Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor 1942 në Uashington.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Fliste frëngjishte të kulluar.

Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin Harvard të SHBA me medalje ari. Ndërkohë nga miqtë e tij është cilësuar si “biblioteka lëvizëse”.

Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”.

Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj.

Në Kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.

Në vitin 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet ‘20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

Me dështimin e Revolucionit Demokratik dhe me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial.

Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Në vazhdim po ju sjellim një prozë të tij poetike, atë “Anës liqenit”

Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë: e mbi tjegullat e shtëpive, mbi rrasat e gurëve, mbi fletët e pemëve, përmbi trupat e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqe – një ngjyrë gushëpëllumbi, si thonë në ca male tona – shtrihet e i mpshtjell.

Mbasandej, pak nga pak manushaqet shfletohen. Hijet bëhen të dendura, me të zeza. Njëri pas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi.

E kur afrohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S’është si liqeni i Ohrit me ujra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej nga lundra të metshme sa Shkodra e në anë të cilit gjallojnë malsorë të rreptë.

Është një liqen jo më i madh se një kopsht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë, i ndyrë sa uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqen e tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë-herë një peshk, një tjetër, e një tjetër, shumë peshq tingëllojnë ujët. Uji përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë (oh, shumë e ngadaltë!), unjet mbi liqen e i zubravit faqen.

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

“AMANETIN S’E TRET DHEU”: ÇKA KËRKOI FAIK KONICA PARA SE TË VDISTE?