O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!
Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!
Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.
As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!
Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.
As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.
I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?
Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.
Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!
O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur
Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,
Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,
Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,
E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!
ObserverKult
Lexo edhe:
JA ÇKA THOSHTE FAIK KONICA PËR FLAMURIN KOMBËTAR
Ideali i lartë i tij për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar, haset që me shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, revistë që Faik Konica themeloi dhe drejtoi.
Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901), pyetjes së një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet, duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”. Kjo vepër është botuar frëngjisht, në Paris më 1621.
Në faqen 44 të librit, lexojmë: “Flamurët e Skenderbeut, që ishin të gjithë të kuq, kishin një shqiponjë dykrerëshe të zezë. Ngjyra kombëtare jona është e kuqia edhe e zeza. Këto ngjyra të vëna bashkë janë shënji kombëtar i Shqipëtarëvet”.
“Shqipëria a ka një flamur authéntik?”, punimi i dytë i këtij atdhetari, për flamurin është përgjigje xhonturqve, të cilët, siç thotë Faiku, “përhapnë dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur authéntik”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult