Fan Noli dhe fryma e tij në jetën tonë

Begzad Baliu

Nga Prof. dr. Begzad Baliu

Të nderuar drejtues dhe pjesëmarrës të këtij takimi!

Jemi takuar sot në këtë aktivitet për të shënuar një përvjetor të Degës së Federatës Vatra dhe për të kujtuar njërin prej apostujve të saj Fan Nolin!

Të ishe fanolist dje

Në këtë rast dua të them disa fjalë për frymën e Fan Nolit dje dhe për frymën e Fan Nolit sot.

Fan Noli është shkrimtari, intelektuali, krijuesi, përkthyesi, politikani e politologu, rreth të cilit shqiptarët janë bashkuar shumë herë, shumë kohë dhe shumë breza, sepse prej veprës së tij kemi pasur çka të vjelim e të bisedojmë për të kaluarën, të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptarë.

A është e rastit që Fan Noli i ka pasur jo vetëm bashkëkohësit e tij, po edhe fanolisët e brezave të mëvonshëm.

E pra, historianët e popullit shqiptar, na kanë folur shumë për fanolistët e viteve ’20 e ’30, madje jo vetëm shkrimtarë, të cilët janë përpjekur ta emitojnë me krijimtarinë letrare dhe përkthimet e tyre, jo vetëm me pikëpamjet politike e ideologjike po edhe me heroizmat e me vdekjen për atdhe; historianët e popullit shqiptarë na kanë folur edhe për fanolistët e antifanolistët e gjysmës së dytë të shekullit XX, e kjo do të thotë për fanolistët e përkushtuar ndaj veprës së tij dhe prirjet artistike e politike të studimit të saj; për prirjen shkencore të studimit të gjuhës dhe vlerave estetike të saj, si dhe për prirjet politike të ngjyrosjes ideologjike të saj; historianët, kulturologët dhe sociologët sigurisht një ditë do të flasin edhe për fanolistët e kohës sonë.

Në historinë e popullit shqiptar e të kulturës së tij, janë disa personalitet, biografia jetësore, biografia intelektuale dhe vepra e të cilëve e ka pasuruar përmbajtjen shpirtërore të popullit shqiptar në paqe, e ka ndihmuar popullin shqiptar në kohë luftërash dhe ka ndihmuar madje në kapërcyell të kalimit nga një periudhë në tjetrën.

Në këtë rrjedhë, i kemi bërë luftërat për liri me këngët për Skënderbeun dhe skëndebegianët e të gjitha kohëve, kemi shtegtuar në periudhat e mëdha të Përlindjes Kombëtare me veprat e apostullit të saj Naim Frashërit e të bashkëkohësve të tij; kemi kapërcyer shtegun më të vështirë të historisë së këtij mijëvjeçari në fillim të shekullit XX, me bëmat e babait të shtetit kombëtar Ismail Qemali dhe ridimensionimin kulturor, intelektual e politik të diskursit të komunikimit tonë me Europën dhe Amerikën, të cilën e kanë bërë Fan Noli, Faik Konica e bashkëkohësit e tyre; jemi përballur me shtypjen e re sllave në ish-Jugosllavi duke u mbajtur, duke nderuar, duke u identifikuar e duke pasur në mendje sakrificën personale të Adem Demaçit etj. 

Për mësuesit tanë në Kosovë e ish-Jugosllavi, për edukatorët tanë, ateistë të periudhës së komunizmit, të cilët ligjëronin Fan Nolin në shkollë a në Universitet, nuk ishte e mjaftueshme të ishe besimtar që i faleshe zotit.

T’i besoje Perëndisë, ligjëronin ata, do të thotë, të punoje për gjuhën dhe atdheun, që Zoti pastaj ta shpërblente si vlerë të nderimit dhe besimit për të; për mësuesit tanë, të besoje Perëndinë do të thoshte t’i shërbeje kombit dhe institucionit fetar autoqefal të themeluar prej tij, prej Fan Nolit.

A është e rastit që edukatorët, mësuesit tanë ateistë të periudhës komuniste, të cilët nuk e shquanin shumë institucionit fetar të formimit të Konstantin Kristoforidhit; të cilët kalonin nën zë emrin e  institucionit fetar të formimit fillestar të Naim Frashërit; të cilët e heshtnin institucionin fetar të formimit e besimit të Ndre Mjedës; në rastin e Nolit, e shquanin largvajtshëm dhe madje gjenin strehë në institucionin fetar autoqefalist të Kishës Ortodokse Shqiptare, të themeluar prej tij.

Të ishe fanolist në fund të shekullit të kaluar dmth të kishe guximin qytetar dhe intelektual që t’ia grisje maskën e së keqes, pushtetit, politikanit, akademikut, shkrimtarit e klerikut serb, maqedonas e malazez, ashtu sikur bënin Profesor Rexhep Qosja në Kosovë, Profesor Agim Vinca në Maqedoni dhe Profesor Nail Draga në Mal të Zi. 

Të jesh fanolist sot

Të jesh fanolist sot do të thotë të jesh krijues, që më parë se sa t’i artikulosh idetë, temat, mendimet a konceptet në veprën fetare, letrare, politike, kulturore a shkencore, duhet të krijosh neologjizmat, fjalët vetjake, termat shkencorë, mbi strukturën fjalëformuese e kuptimore të gjuhës shqipe, aq të munguara në komunikimin shkencor, politik e kulturor sot; të jesh nolian sot do të thotë të jesh i pakompromis në identifikimin e saktë të shqetësimeve ditore dhe t’ia çjerrësh maskën politikanit, deputetit, qeveritarit dhe uzurpatorëve të institucioneve shtetërore, arsimore, shkencore e kulturore, aq të pranishme në jetën tonë kombëtare sot; të jesh fanolist sot do të thotë të jesh i vendosur në përzgjedhjen dhe sjelljen e vlerave universale për kulturën e popullit tënd, aq të munguara në institucionet shkencore e akademike sot; të jesh fanolist sot, do të thotë të jesh i vendosur deri në shenjtëri për të thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në jetën tonë, pra, të besosh dhe të jesh i bindur deri në idealizëm se e vërteta dhe vetëm e vërteta e sjell fundin e lumtur të çdo gjëje: madje, të jetës dhe të vdekjes!

Të jesh fanolist sot, do të thotë të respektosh qytetërimin, trashëgiminë, besimet fetare, Lindore e Perëndimore në jetën e popullit shqiptar, e kjo do të thotë të mos e shohësh fqinjin si mysliman, katolik a ortodoks, po si shqiptar të një përkatësie, të cilën ai e ka zgjedhur brenda zemrës së tij.

Të jesh nolian, në të vërtetë, do të thotë t’i japësh kuptimin kombëtar institucionit fetar në të cilin i lutesh Perëndisë, pa ndjerë nevojën që të kalosh në tjetrin për të ridimensionuar imazhin kombëtar, intelektual e kulturor vetjak.

Të jesh fanolist sot, do të thotë të mos ndalesh një jetë të tërë, së hulumtuari e studiuari veprën e Fan Nolit, sikur bëri Nash Jorgaqi dhe të vazhdosh atë rrugë sikur bëjnë sot studiuesit Foti Cici e Sevdai Kastrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe botuesi e studiuesi Mehmet Gëzhilli në Shqipëri.

Të nderosh Nolin sot, do të thotë të botosh veprën e plotë, sa më të plotë të tij, ashtu sikur vepron fanolisti nga Tirana, Z. Mehmet Gëzhilli, duke botuar jo vetëm krijimtarinë letrare, mendimin shkencor, publicistikën, përkthimet etj., po edhe literaturën kishtare, në një kohë që edhe botuesit shumë herë më të mëdhenj se ai, kujdesen të botojnë prej tij vetëm një pjesë të Albumit, Historinë e Skënderbeut dhe shumë shumë ndonjë përkthim të Shekspirit për nevoja të lekturës shkollore.

Të jesh sot fryma e Fan Nolit do të thotë të mbrosh me dije dhe me kulturë shkencore e intelektuale Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, duke botuar liturgjinë noliane kishtare dhe ta vesh në funksion të secilës Kishë dhe lutësve të saj, ashtu sikur vepron editori Mehmet Gëzhilli në Tiranë.

Të nderosh dhe të risjellësh sot mendimin politik, shkencor e letrar të Fan Nolit në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë të punosh me dekada për të përgatitur Bibliografinë shteruese të tij, duke e vendosur deri edhe në Bibliotekën e Harvardit, ashtu sikur punoi e punon studiuesi e editori nga Tirana, Mehmet Gëzhilli.

Të jesh bartës i Frymës fanoliste sot, sot do të thotë të nderosh e respektosh demokracinë planetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të thotë ta mbash në tavolinën e punës e ta nderosh Kushtetutën Amerikane dhe ta mbash në tavolinën e punës e ta respektosh Kushtetutën e shtetit tënd.

E kjo do të thotë, ta mbash në njërën dorë Biblën a Kuranin dhe në dorën tjetër Kushtetutën dhe shpatën. 

Besoj, të tillë ishin fanolistët e Luftës së Kosovës në vitin 1999, luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”, për të cilët vite më parë pata shkruar: Nëse moshatarët e tyre në trojet etnike ishin rritur dhe përgatitur për luftë duke lexuar Biblën a Kuranin dhe duke u vetëdijësuar për lirinë si mision njerëzor para varrit të Çerçiz Topullit e Adem Jasharit, luftëtarët e batalionit “Atlantiku” ishin rritur duke mbajtur në dorë edhe Deklaratën e të Drejtave Universale dhe duke u frymëzuar nga Shtatorja e Lirisë, e cila bashkonte konceptin për lirinë kolektive, krenarinë kombëtare dhe botën humane të tyre.

E kjo do të thotë se luftëtarët shqiptarë që erdhën nga Amerika në Luftën e Kosovës ishin pasardhës edhe të frymës së Fan Nolit dhe vargjeve të tij paradigmatike “Mbahu, Nëno, mos kij frikë / Se kë djemtë n’Amerikë”.

A mjafton kjo që ta përmbyllim fjalën tonë me konstatimin se, Fan Noli me bëmat e tij në fillim të shekullit XX dhe me veprën e tij në fund të shekullit XX, e ka kryer misionin e tij kombëtar, politik, krijues, klerikal dhe human në jetën e popullit shqiptar.

Duke shkruar për Balzakun, Viktor Hygo, pati thënë: “Njerëzit e mëdhenj e bëjnë vet piedestalin e tyre, e ardhmja ngarkohet të vendosë statujën”. Fan Noli ishte i tillë. Krijoi piedestalin e tij mbi kontinente, por statujën e kemi borxh ta vendosim edhe ne, brezi ynë.

Le të jetë kjo fryma e tij, vepra e tij dhe lavdia e tij, e cila na ka bashkuar edhe sonte!

Prishtinë, 3 qershor 2023

* Fjalimi i mbajtur në “10-vjetorin e Degës së Federatës VATRA Queens NY”, SHBA

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: ME SKËNDER DRININ NË PESË SITUATA

Nga: Begzad Baliu

Situata e parë: Midis dy kohëve

Me veprën e Skënder Drinit jam takuar si nxënës i klasës së shtatë dhe të tetë. Fillimisht pata lexuar romanin Shqipja e kreshtave tona.

Ishte botim luksoz i shtëpisë botuese “Rilindja” në dy vëllime. Pastaj lexova botimin e dytë të romanit Shembja e idhujve, i cili qe botuar në serinë e romaneve të zgjedhura të atij viti dhe në bibliotekën familjare për shkak të cilësisë së lartë të shtypit, e patëm vendosur në radhën e botimeve të zgjedhura të rilindësve dhe kompletit të Profesor Çabejt e Kadaresë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult