Begzad Baliu: Me Skënder Drinin në pesë situata



Nga: Begzad Baliu

Situata e parë: Midis dy kohëve

Me veprën e Skënder Drinit jam takuar si nxënës i klasës së shtatë dhe të tetë. Fillimisht pata lexuar romanin Shqipja e kreshtave tona. Ishte botim luksoz i shtëpisë botuese “Rilindja” në dy vëllime. Pastaj lexova botimin e dytë të romanit Shembja e idhujve, i cili qe botuar në serinë e romaneve të zgjedhura të atij viti dhe në bibliotekën familjare për shkak të cilësisë së lartë të shtypit, e patëm vendosur në radhën e botimeve të zgjedhura të rilindësve dhe kompletit të Profesor Çabejt e Kadaresë.
Ndryshe nga romani Shqipja e kreshtave tona, i cili më pati pëlqyer shumë, romani Shembja e idhujve më pati bërë të tërin për vete dhe, si të them, më pati ‘lodhur’. Sikur të mos mjaftonte kjo, në vend se të pushoja disa ditë, vëllai (student i vitit të madh 1981) më njoftoi se kishte dëgjuar që sigurimi shtetëror serb, pas demonstratave të mars-prillit të këtij viti kishte filluar të kontrollonte jo vetëm bibliotekat shtetërore po edhe ato familjare dhe të merrte botimet e shtypura në Tiranë, prandaj duhej që urgjentisht ta lexoja edhe romanin Midis dy kohëve. E kam lexuar pothuajse me një frymë dhe jo pak i torturuar, duke mbajtur herë pas here edhe shënime në faqen e fundit të tij.
Ishte vera e vitit 1981. Me udhëzimet e babait, vëllai nuk u kthye nga Prishtina në fshat, sepse sigurisht do të gjendej një arsye dhe të arrestohej, por shkoi të bënte punë krahu në Sfeti Stefan (Mal të Zi), ndërsa ne përhapëm lajmin se kishte gjetur një punë në Beograd. Ato ditë ia behu edhe policia e përbërë nga një bashkëpunëtor shqiptar nga fshati ynë, një polic shqiptar krejt injorant dhe komandanti i tyre, një burrë i veshur dhe me sjellje pak a shumë mburraveci. Pasi pyetën për vëllanë dhe morën përgjigje, hynë në dhomën tonë, ku kishim edhe vitrinën e librave. Filluan t’i shikonin një nga një. Fqinji ynë që nuk merrte vesh gjë nga shkrimi, vetëm shikonte fotografitë e kopertinave dhe kur shihte ndonjë pamje kuq e zi ma ofronte librin të hunda dhe më përsëriste të njëjtën fjalë “hë, e kjo?”! Unë nuk flisja fare, ndërsa babai iu patë thënë që në fillim se nuk dinte të lexonte shqip. Polici shqiptar, që si duket e dinte detyrën e ardhjes në shtëpinë tonë, i shikonte veprat me kujdes dhe bëhej sikur po i lexonte, ndërsa polici serb nuk i shikonte as kopertinat as titujt, por vetëm faqen e parë ku gjendej shënimi standard “Rilindja”, Prishtinë, ose “Naim Frashëri”, Tiranë. Vetëm kur i erdhi radha librit Shqipja e kreshtave tona, nuk mu drejtua mua po kolegut të tij shqiptar:

-“Šta znaći to?”.
Në vend se të fliste polici, ndërhyri bashkëpunëtori i sigurimit me një serbishte të ngatërruar:

-“Orlovi bre, knjige za orle! (Shqiponjë bre, libër për shqiponjat!), – dhe i hapi krahët sikur po fluturonte. -Ja sam vas reko ja, da oni imaju sfašta”! (Ju kam thënë unë që këta kanë gjithçka!”)
Mua më shkoi buza në gaz, ndërsa polici serb më shikoi mbi syza dhe nuk e la të vazhdonte:

-Ćuti bre! (Hesht!).
Pastaj i erdhi radha romanit Midis dy kohëve. Sapo e pa në faqen e parë botuesin “Naim Frashëri”, Tiranë, e ndau bashkë me botimet e tjera të Tiranës duke përfshirë këtu edhe veprat e letërsisë botërore Motosharra, Tokë e huaj, Emigrantët, Jangblladët, Dhjetë marka ora etj.

-E njihni ju këtë shkrimtar?

-Po i thash, sigurisht është nga Maqedonia sepse dy vepra i ka të botuara në Prishtinë dhe tjetrën në Tiranë. Pasi nuk ka biografi, në këto dy botime, kjo do të thotë se është i ri dhe ende nuk është ndonjë personalitet krijues.
Babai më shiko në atë mënyrë që më dha shenjë se nuk duhej të flisja shumë!
-Po shënimet, pse i ke mbajtur vetëm në fund të këtij libri?- e vazhdoi bisedën polici.

-Sigurisht për shkak se është roman i vëllimshëm dhe i kam shënuar disa personazhe që t’i mbaj në mend, – fola duke i rrudhur krahët.

-Mirë, – foli polici mes dhëmbësh dhe e hodhi në grumbullin e librave që duhej të merreshin.
I kaluan edhe botimet e tjera nëpër duar deri në fund.

-Këto libra do t’i marrim, – tha në fund polici serb duke i shkundur duart.

-Hë, t’thojsha unë mos maj libra t’Shqipnisë!, – u krekos bashkëpunëtori shqiptar i sigurimit serb.

-Po këto nuk janë libra të Shqipërisë – ia ktheva me mllefin të cilin nuk mund t’ia shqiptoja policit serb?
Polici serb, i cili nuk e kuptonte shqipen, e shikoi policin shqiptar, me idenë se po grindeshim ne të dy?
Polici shqiptar ia përktheu reagimin tim, duke m’u drejtuar mua:

-Pse të kujt janë librat e botuara në Shqipëri?

-Shkrimtarët janë nga e gjithë bota, mund të jenë edhe shkrimtarë nga Jugosllavia, prandaj ato janë shitur në Prishtinë, – ia ktheva unë. Ja, për shembull, romani Motosharra është përkthyer nga norvegjishtja, romani Emigrantët është përkthyer nga suedishtja, romani Jangblladët, sigurisht nga ndonjë gjuhë e Afrikës etj.
Polici serb më shikoi me mosbesim, e megjithatë i përshkoi nëpër dorë librat edhe njëherë, duke u ndalur sa të njëra e sa te tjetra. E ndali vetëm librin e Skënder Drinit Midis dy kohëve, me arsyen se ky libër jo vetëm që ishte botim i Tiranës, por në faqen e fundit kishte edhe shënime të mbajtura nga ana ime.
Kështu romani i Skënder Drinit Midis dy kohëve në verën e vitit 1981, përfundoi në Qendrën Policore të Gjilanit.
Edhe me fajin tim!

Situata e dytë: Shqipja e kreshtave tona

Ishte marsi i vitit 1982. Në shkollën e mesme të Gjilanit ishin marrë të gjitha masat që nxënësit të mos hynin në shkollë pa uniformë. Të gjitha uniformat ishin ngjyrë blu. Ndonjëri prej nesh kishte vënë ndonjë simbol shkolle, shtetësie apo historie, ndonjë tjetër kishte vizatuar me stilolaps ndonjë zemër të përshkuar me shigjetë, ndërsa unë e mbusha shpinën e uniformës me tituj librash dhe personazhesh: Kështjella, Shkëndija e jetës, Gjon Zaveri, 509, Do të jetojmë ndryshe, Midis dy kohëve, Shqipja e kreshtave tona. Sakaq më thirrën në kabinetin e përfaqësuesve të rinisë shkollore ku më priti profesori i marksizmit.

-Më trego domethëniet e këtyre fjalëve? – m’u drejtua profesori me sy të shqyer dhe me nofulla të varura nga shëndeti. Do të më duheshin shumë faqe libri për të përshkruar pamjen e tij dhe rrezatimin e pashembullt të një personazhi në letrat shqipe. E shikova me një dozë frike, por u përmbajta dhe ia shpjegova me qetësi: Kështjella është roman i Ismail Kadaresë, Shkëndija e jetës, roman i Erih Maria Remarkut, Do të jetojmë ndryshe është roman i Dhimitër Xhuvanit, 509 është personazh i romanit të Erih Maria Remarkut, Gjon Zaveri është personazh i romanit të Sterio Spasses, ndërsa dy të fundit janë tituj të romaneve të Skënder Drinit.

-Pse i ke shënuar? -më pyeti si me mospërfillje.

-Sepse të gjithë kanë shënuar diçka në uniformë, -iu përgjigja ftohtë.

Çka kanë shënuar, – më pyeti me habi.

-Emra, fjalë, zemra, simbole…

-Pse nuk ke shënuar edhe ti një zemër, aso të shpuar?

-Sepse veprat letrare dhe personazhet e tyre janë zemrat e mia.

-Atëherë pse nuk e ke shënuar emrin e Afërditës, së Sterio Spasses po emrin e Gjon Zaverit? -më pyeti me ironi.

-Sepse Afërdita nuk ka bërë vetëvrasje po Gjon Zaveri, i thash me një pikëllim të shpifur.

-Vetëvrasje! E ç’të duhet ty personazhi që ka bërë vetëvrasje? Pse ka bërë vetëvrasje? – ndërhyri me një dozë shqetësimi, duke më parë në sy.

-Ka bërë vetëvrasje për dashuri, – u përgjigja thjesht sa për të thënë diçka.

-Hehehehe, edhe ti do të bësh vetëvrasje për dashuri a? Kam dëgjuar se keni lexuar shumë libra, prandaj më thuaj çka ke lexuar nga veprat e shokut Tito?, – më pyeti me një buzëqeshje të shpifur, me idenë se kishte gjetur rastin për të ndërruar temën.

-Unë nuk kam lexuar libra politikë, – i thash?

-Pseeee?, – pyeti, gjoja i habitur.

-Sepse ende nuk jam rritur…

-Hehehehe, – ndërhyri i habitur, – nuk thuhet se nuk jam rritur, por se ende nuk jam pjekur, formuar etj.

-Ashtu desha të them, – i thash me mospërfillje.

-Mirë, atëherë, për të përmirësuar gabimin që ke bërë duke e mbushur uniformën e shkollës me emra romanesh e personazhesh që duan të bëjnë vetëvrasje, do të lexosh njërën nga veprat që po i sheh këtu, – më tha duke e zgjatur dorën kah veprat e Eduard Kardelit, njeriut më të afërt të Titos.
I shikova duke i parë një nga një. E para ishte vepra Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, ndërsa e dyta Mbi çështjen sllovene.

-Po e marr të dytën, – i thash.

-Ti më the se ende nuk je rritur për politikë, – më tha në mënyrë ironike.

-A nuk është vepër historike? Atëherë po i marr Kujtimet, – vazhdova shkurt.

-Merri, – më tha me nguti dhe i gëzuar se ia kishte arritur qëllimit që të më detyronte të lexoja një nga veprat e udhëheqësve jugosllavë. – Kujdes! – ma tërhoqi vërejtjen. – Do të më lajmërohesh në fund të javës se e keni lexuar, ndërsa nga uniforma do të heqësh titullin e romanit Shqipja e kreshtave tona. Nuk dukesh se je bash për shqipe, përfundoi me ironi.

-Mirë, – i thash dhe dola me nguti, duke i thënë “ditën e mirë” me gjysmë zëri.
Në fund të javës u lajmërova në kabinetin e profesorit me librin e Eduard Kardelit në njërën anë dhe çantën me libra në anën tjetër. Profesori më priste brenda.

-E kam përfunduar së lexuari librin, – shpjegova pa më pyetur.

-Të tërin? – pyeti me habi.

-Po të tërin, – i thash i vendosur.

-Mirë, atëherë më thuaj cila pjesë të ka pëlqyer më së shumti, më pyeti duke shfletuar librin sa në të majtë sa në të djathtë.

-Bisedimet e Moskës, – i thash duke e parë në sy.
Shikoi me nguti disa faqe të libri, duke u ndalë më gjatë tek përmbajtja dhe duke ngrënë buzën sa lart sa poshtë. Temat që diskutoheshin jo vetëm nuk kishin të bënin me vetëqeverisjen për çka pretendohej të përgatitej brezi im, por, përkundrazi, më kishte dhënë një vepër, e cila fliste për udhëkryqet e marrëdhënieve jugosllavo-sovjetike, e ku në plan të parë dilte edhe Partia Komuniste Shqiptare, Enver Hoxha, Kosova dhe çështja shqiptare.

-Shiko! – më tha, sa me kërcënim aq edhe me zë të pështirë, – ti këtë vepër as e ke lexuar as e ke marrë nga unë. Prej tash, ti nuk je një shqipe po një sorrë. A e ke hequr nga shpina, eeee.. U kuptuam!

-U kuptuam, – ia ktheva.

Ec në klasë tani!
Shkova me vrap në klasë. Nga ajo ditë me profesorin jemi parë me sy të tjerë: urrejtje dhe ironi, kërcënim dhe marrëveshje për dashamirësi. Një laraskë dhe një shqiponjë që ia dinim hallin njëri – tjetrit.
E, shkaktar romani Shqipja e kreshtave tona.

Situata e tretë: Vraje tradhtinë

Në tetor të vitit 1983, arsimtari i gjuhës shqipe për dy javë me radhë na e diktoi tekstin e Profesor Çabejt, Rreth disa çështjeve të historisë së gjuhës shqipe. Insistimi i tij për të përshkruar fjalë për fjalë një tekst kaq të gjatë (afërsisht një fletore prej 40 faqesh) shpjegohej në forma të ndryshme: patriotizëm apo provokim nga Profesori, i cili deri pak vjet më parë kishte mbajtur lëndën e Mbrojtjes popullore, ndërsa tani që kishte diplomuar në Albanologji, krejt në një moshë të shtyrë, mbante Gjuhën shqipe.
Një ditë, kur nga fundi i orës ai kërkoi që unë të dilja dhe të shkruaja një fjali për analizë gramatikore, sado dy javë me radhë kishim shënuar vetëm histori gjuhe, unë dola te tabela dhe e shkrova fjalinë: “Në Tiranë u botua romani Vraje tradhtinë”. Nga fundi i klasës ku gjendej profesori, fillimisht u nis me hapa të matur e pastaj me një lëvizje të shpejtuar e plot frikë, mundohej që me trupin e tij dhe ditarin në dorë ta mbulonte fjalinë.

Ora mbaroi. Fshije! – Pastaj u kthye nga nxënësit. – Në rregull, vazhdojmë orën tjetër.
Pas dy orësh, si duket profesorit iu desh kaq kohë për t’u kujtuar se si të bisedonte me mua, më thirri në korridor.
-Pse e shkrove atë fjali, – më pyeti me një zë të mekur mes kërcënimit dhe frikës.
-Sepse ashtu është, – ia ktheva duke i rrudhur krahët.
-Si është ashtu, çka është ashtu, pse është ashtu? – përpiqej ta përmirësonte mendimin profesori.
-Ashtu është. Në Tiranë është botuar romani i Skënder Drinit Vraje tradhtinë. Për këtë ka shkruar edhe shtypi.

-Kur ka shkruar, – më pyeti me habi dhe kureshtje.

-Para disa vjetësh, nuk e di. Dy a tri vjet mbase.

-Cilat vite. Çka po flet. A nuk e di se sot edhe fjalitë e romaneve në gjuhën shqipe që janë përdorur në Gramatikat e shqipes, p.sh. “Pushimet do t’i kalojmë në Durrës”, janë zëvendësuar me fjalinë “Pushimet do t’i kalojmë në Dubrovnik”?

-Nuk e di, – ia ktheva.

-A mos të ka nxitur dikush tjetër që ta shkruani, – më pyeti duke më parë në sy.

-Jo, assesi, bile s’di se si më erdhi, për shkak të kritikës që lexova tash vonë, apo….

-Mirë, mirë nuk të shtyri, p.sh., Iliri, – m’u drejtua duke me shikuar në sy, gati për të parën herë, sikur donte të më përpinte mes ironisë dhe ndoshta vërejtjes se kisha rënë nën ndikimin e njërit prej shokëve të klasës.

-Joooo – reagova unë duke e ulur zërin, në vend se ta ngrija.

-Pse? – pyeti duke ngritur krahët në mënyrë të habitshme.

-Sepse … e di si… – u mendova një kohë, apo u bëra sikur po mendoja nëse duhej t’i tregoja apo jo. – Ai ka një diskotekë dhe shumë nga shokët mendojnë se ai edhe bashkëpunon me … por e vërteta është ndryshe…

-Ku e di ti? – më pyeti me një dozë mosbesimi.

-Sepse unë, pikërisht nga Iliri e kam marrë revistën Liria.
Profesorit i shkëlqyen sytë. U mendua një moment, sado dukej se e bëri në mënyrën sa për t’u bërë sikur po i thërriste kujtesës.

-Po libri? – më pyeti fillimisht si për të përmbushur zbrazëtinë. – Librin a ta kanë dhënë?

-Cilin libër, – pyeta. Kisha harruar fillimin e bisedës. Në të vërtetë gati sa kisha harruar arsyen e bisedës. Kisha një përshtypje se biseda jonë kushte filluar shumë ditë a javë përpara. Frika, turpi, ideja se mos i kisha shkaktuar këtij profesori ndonjë problem me sigurimin shtetëror me torturonte (dhe në këtë mënyrë edhe mund ta kisha humbur besimin te ai), më mbyste në shpirt. A është e mundur të jem sjellë para tij dhe klasës në mënyrë kaq naive?! Trupi më ishte mbushur djersë, ndërsa kisha përshtypjen se kokrrat e djersës më shkonin nga maja e flokut në fund të thembrës.

-Romanin e Skënder Drinit, Vraje tradhtinë, ta kanë dhënë?

-Jo, nuk e di nëse e kanë, për këtë kam lexuar vetëm një shkrim të një studiuesi nga Instituti Albanologjik, Bajram Krasniqit. Ndoshta vëllai im që është student në Prishtinë mund të na e siguroj, – u nguta t’i thosha, duke u shprehur me entuziazëm, sepse në këtë mënyrë kisha mundësi të bëja diçka dhe të shfajësoja veten për atë që kisha bërë, duke e shkruar atë fjali në tabelë.

-Jo, jo unë ka nevojë sepse unë kam dike tjetër aty, por… nëse e siguron rastësisht, mbështjelle kopertinën me gazetë dhe ma sjell. Titulli i romanit Vraje…, – nuk e shqiptoi dot të plotë, – mund të nxisë kureshtjen e ndonjërit prej nxënësve, prandaj assesi të mos shihet. Madje, – shtoi me nxitim, – mbështille jo vetëm kopertinën, por edhe faqen e parë ku është shënuar titulli i librit… dhe ma sjell… – më porositi me nguti dhe u largua nga unë pa më përshëndetur.
Prej asaj dite unë dhe profesori im Fejzullah Fejzullahu kishim një mirëkuptim të fshehur.
E ky mirëkuptim kishte një shkas, romanin e Skënder Drinit Vraje tradhtinë.

Situata e katërt: Shkrimtar shkodran apo shqiptar?

Me Skënder Drinin përherë të parë jam takuar në vitin 2000 në Seminarin “Shkodra në shekuj”, kur jam takuar dhe njohur edhe me të tjerë krijues shkodranë: Fadil Krajën, Skënder Temalin, Nikollë Spatharin, Ridvan Dibrën, Blendi Krajën etj. Biseduam për shumë gjëra të pasluftës së Kosovës, por më së paku për letërsinë e tij, për çka ai tregohej krejtësisht indiferent. Ndryshe nga disa krijues të tjerë shkodranë, që në një mënyrë a një tjetër, si të them, edhe në bisedë përfaqësonin shpirtin e krijimtarisë së tyre, Skënder Drini më ngjante në një njeri krejt tjetër nga ato që kisha lexuar prej tij.
Vetëm një vit më vonë, kur erdhi në Prishtinë, në një konferencë për njëzetvjetorin e Demonstratave të vitit 1981, ai u hap para meje më shumë dhe më tha se nuk duhej të entuziazmohesha me ‘letërsinë e Shkodrës’.
Në vitin 2007 e ftova të vinte në një sesion shkencor për Ndre Mjedën. Ia pata organizuar edhe një bisedë me Radio Televizionin e Kosovës. Vura re që më parë se kishte një shqetësim të brendshëm. Sapo lexoi kumtesën e tij, doli jashtë dhe nuk i dëgjoi të tjerët. Pinte cigare, njërën pas tjetrës. I thash se ndoshta do të ishte mirë të hynte në sesionin shkencor, ku do të lexonin edhe dy a tre studiues.

-Jo ore, se nuk thonë gjë ata, e di unë! – ma ktheu duke bërë me dorë nga dera e sallës.
E kuptova vendimin e tij, prandaj nuk e zgjata më tej bisedën dhe shkova ta gjej gazetaren me të cilën e kishim menduar intervistën me Skënder Drinin. I thash se Z. Skënder Drini gjendej në hollin e Fakultetit. Ajo m’u lut që ta ndihmoja për dy a tri pyetjet e para. E menduam pyetjen e parë: Z. Skënder, ju vini nga një qytet në të cilin shquhen emrat e njohur të letrave shqipe: albanologu …, dramaturgu …, poetët … dhe …, prozatori i ri modernist … etj, dhe e lash të shkonte vetëm me kameramanin, sepse kisha shumë punë të tjera të natyrës së organizatorit të konferencës.
Nuk kaloi shumë kohë dhe e shoh gazetaren se si kalon rrufeshëm dhe pa më përshëndetur, e pas saj edhe kameramanin. E marr me mend se do të ketë ndodhur ndonjë keqkuptim. Shkoj dhe i afrohem Skënderit dhe bëhem sikur nuk kisha parë asgjë, por ai më pret me bubullimë:

-Ti e dërgove atë budallicën?

-Po – i them, – është gazetare e televizionit publik?

-E di çka më pyeti ajo?

-Jo, – i them, – duke i rrudhur krahët.

-Pasi më numëroi gjithë shkrimtarët e Shkodrës, madje gjithë ata që nuk kanë mundur të bëhen shkrimtarë as pas gjysmë shekulli, gjithë ata të tjerë, që më së paku janë shkrimtarë dhe madje gjithë ata që vetëm ëndërr e kanë parë se do të bëhen shkrimtarë, më pyeti se si ndjehem mes tyre…! I thash kush mendon se ata emra që më përmendët janë shkrimtarë. Më tha “unë”. I thash: ik moj budallicë!

-Po ajo nuk ju ka konsideruar juve shkrimtar shkodran, po shkrimtar shqiptar, – u përpoqa ta arsyetoja. – Në Kosovë ka kohë që poetit Dritëro Agolli, ia kemi hequr cilësorin e baltës së Devollit, Ismail Kadaresë, cilësorin e qytetit të gurtë, Fatos Arapit, cilësorin e Detit Jon, prandaj edhe juve cilësorin e shkodranit…

-Ashtu ë? – me shikoi me indiferencë, sikur donte të më thoshte se po i arsyetoja budallallëqet e gazetares së televizionit.

-Ashtu! – i thash shkurtë, duke pritur vazhdimin e reagimit të tij.

-I dëgjove ti ato që po thuhen për Mjedën në Konferencë.

-Jo i thash, sepse kam mjaft punë të tjera prej organizatori, por do t’i lexoj gjatë kohës që e përgatis vëllimin e kumtesave.

-Lëre pra Bejzade lëre (kështu më thërriste), se ti je ende në stadin e idealistit kombëtar, prandaj na mbledh në Prishtinë e në Shkodër dhe mirë bën, mirëpo mjaft po tregojmë budallaqe në Konferencë, e të mos i themi edhe në televizion, – e mbylli bisedën duke thithur cigaren sikur frikësohej se po ia merrte dikush në çdo çast.

Situata e pestë: Orakulli nga Kosova

Në vitin 2003, po i bëja pushimet me familjen në Shëngjin. Qytet i varfër, me një pamje tipike të mbetur nga sistemi i vjetër, por me plazh të mrekullueshëm dhe me ujë të pastër. Herët në mëngjes dhe në mbrëmje bënim shëtitje rreth plazhit dhe kishim rastin të takonim njerëz të njohur a të panjohur. Një ditë tek po shëtisja rreth plazhit, se si dëgjova një zë të njohur për tonin e lartë. Ishte Skënder Drini. Ndalem një moment dhe e shoh me një grumbull burrash tek po luanin shah dhe bisedonin mes tyre. Në të vërtetë, si duket kishin përfunduar lojën dhe po vazhdonin bisedën, sa për shahun aq edhe për politikën. Sapo me pa, u nis drejt meje sikur te mos kishte asnjë lidhje me ta.

-Ku po shkon Prof., – i tha njëri prej tyre, – ne ende nuk i përfunduam të gjitha lojërat.

-Të munda në shah dhe në politikë, – ia ktheu Skënder Drini, – nuk mund të merrem me ju gjithë ditën, – dhe vazhdoi duke m’u drejtuar mua: – këta kosovarët t’u nuk dinë asgjë! – u ankua duke ma zgjatur dorën dhe duke vazhduar rrugëtimin me mua.

-Pse vetëm të mitë janë? – ia kthej me buzë në gaz.

-Kosovarët përgjithësisht janë të mitë, por këta që i munda janë tuajt!

-Nga e kuptove? – i them tani vërtet duke qeshur.

-Sepse janë tipa të ashtuquajtur ‘paqësorë’. Kanë dalë nga robëria me luftën e përgjakshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa vazhdojnë me besimin se janë çliruar me ëndrrat paqësore të Ibrahim Rugovës. Dhe janë shumë, më kupton ti Bejzade, shumë janë, për të mos thënë shumica.

-Si të doli kjo llogari e shumicës? – e pyes tani unë me një ton më serioz, por pa e ndalur hapin.

-Ka disa ditë që jam në plazh me Karolinën. Meqenëse ajo del vetëm herët në mëngjes ose vonë pasdite, gjatë ditës unë kaloj nga njëri grup në tjetrin me shah nën sqetull. Zhvilloj kryesisht nga dy a tri lojë shahu dhe zakonisht i mund, por pjesën më të madhe e shfrytëzoj për të dëgjuar për zhvillimet e luftës dhe sidomos pasluftës në Kosovë. Kështu kam filluar nga fundi i plazhit dhe ja po e shihni nuk më ka mbetur edhe shumë, e nuk më kanë mbetur edhe mua shumë ditë qëndrimi. Jam i shqetësuar me mentalitetin e tyre, me qëndrimin e tyre ndaj luftës dhe sidomos urrejtjen ndaj luftëtarëve.

-Janë disa luftëtarë ndaj të cilëve është krijuar një qëndrim jo shumë dashamirës në opinion, – i them duke u munduar ta zbus mllefin e tij.

-Dëgjo Bejzade, – më drejtohet duke ma mbajtur dorën në krah, – ti nuk i di këto sepse nuk ke shumë përvojë. Unë e di se ti nuk je i prirë të flasësh ashpër ndaj këtij mentaliteti, por mbaje mend çka po të them: keni me ja pa sherrin kësaj logjike. Ti tash i sheh këta si turmë dhe nuk ju kushton shumë rëndësi, por këta nesër përfaqësojnë votën. Për më tej mos harro se Kosova është çliruar prej xhandarit dhe ushtarit serb, po jo edhe prej sistemit juridik të Serbisë. Europa do të bëjë edhe shumë pazare me Serbinë në llogari të Kosovës dhe këto pazare para se gjithash është e prirë t’i bëjë me ata individë, grupe, klane e parti, të cilat kanë disponim kundër luftës dhe individëve e partive që kanë dalë apo do të dalin prej saj.

-Nuk është për t’u çuditur dhe nuk do të jetë rasti i parë. Ndoshta koha është të lexojmë tekstet publicistike dhe letrare të Mihail Gramenos, – mundohem ta plotësoj unë duke e bartur temën në kontekstin historik.

-Lëre historinë Bejzade! Pak kemi mësuar nga historia. Edhe atë që e kemi mësuar nga historia e kemi mësuar ose mbrapsht ose pa mendjen në kokë. Ti je i ri dhe duhet të përgatitesh e të dëshmosh këtë për brezat e ardhshëm. Ti duhet të dëshmosh jo vetëm për varfërinë e tyre, për dëshpërimin e tyre, për vetëvrasjet e tyre, por edhe për gjykimin e tyre.

-Edhe për vetëvrasjet! – ndërhyj i habitur dhe i shqetësuar njëkohësisht kur e dëgjoj këtë fjalë.

-Po, po edhe për vetëvrasjet, sepse ato kanë filluar të ndodhin tash por po mbahen fshehur, por sidomos për dënimet fillimisht gojore, dua të them morale, që do t’iu bëhen, e pastaj edhe për në gjykatat e shtetit, të cilin po doni që ta ndërtoni. Shumë prej tyre do të dëshpërohen për shkak të gjendjes në shoqërinë e pasluftës dhe do të bëjnë vetëvrasje; pastaj do të ketë të tillë që do të dëshpërohen për shkak se nuk do të arrijnë të ndërtojnë në politikë dhe në qeverisje imazhin që e kishin arritur në luftë dhe do të bëjnë vetëvrasje; pastaj do të ketë të tillë që do të humbin imazhin në familjet e tyre, sepse pas luftës edhe më tej do të jenë të varfër dhe do të bëjnë vetëvrasje; pastaj do të ketë të tjerë që do të dyshojnë në gratë e tyre dhe do të bëjnë vetëvrasje…! Dëgjo Bejzade këtu, dhe mos mendo se me këto u bë kiameti. Në të gjitha luftërat ky është fati i luftëtarëve të saj: vetëvrasja! Amerika ende ballafaqohet me vetëvrasjen e luftëtarëve të Vietnamit dhe vazhdon të investojë shumë në aspektin material dhe psikologjik të perspektivës së tyre. Por dëgjo tani mirë Bejzade! Gjykimi i tyre në gjykatoret, që do të organizoj shteti i Kosovës, do të jetë turpi më i madh që do të vulosë brezi juaj në dekadën e parë të shtetit të Kosovës. Këtë të zezë nuk do të arrini ta fshini lehtë as për së gjalli as për së vdekuri…

-Këtë ndjenjë e krijuat gjatë këtyre ditëve sa biseduat me ‘kosovarët e mi’? – e ndërpreva, duke e parë se këto konstatime po m’i thoshte me dëshpërim. – Nesër do të takoj me një mik timin prej të cilit do të krijoni një mendim krejt tjetër.

-Dua ta takoj edhe mikun tënd, por unë përfundimet nuk i nxjerr prej individit po prej individëve, – më tha duke i mëshuar fortë fjalës “individëve”.

-Keni të drejtë, por le ta provojmë, – fola sa për të vazhduar mendimin.
Biseduam gjatë për Kosovën dhe pasluftën e saj, për personalitete politike e kulturore të Kosovës, për familjet tona dhe për punën shkencore e letrare, që po bënim dhe u ndamë me premtimin që në mbrëmje të takoheshim edhe me personin që ia kisha premtuar.
Në mbrëmje u takuam në vendin që e kishim caktuar. Karolina vazhdoi të ecte ngadalë rreth plazhit me motrën e saj, ndërsa ne të dy dhe miku im Nexhat Çoçaj u shtruam në rërë. Pas një hyrje të shkurtër, Nexhati filloi të tregojë biografinë e tij shumë tragjike dhe aq të gjatë, sa nuk na la fare të flasim. Sidomos mua. Skënderi ndërhynte rrallë dhe e shikonte në atë mënyrë, sa nuk e kuptoja nëse i bënte përshtypje më shumë tregimi apo pamja e tij.
Bisedën e vazhduam edhe të nesërmen në mbrëmje duke ju dhënë më shumë rëndësi temave letrare. Bëra përpjekje ta bindja që të vazhdonte romanet Shembja e idhujve dhe Midis dy kohëve me një roman të tretë. I pëlqeu ideja, por nuk shprehu gatishmëri për ta diskutuar. Vetëm kur i thash se do të ishte mirë që të shkruante një roman për fatin e Mësuesit dhe të Priftit në shoqërinë komuniste, ai sikur u përmend dhe reagoi:

-Ti e paske harruar faktorin historik!

-Nuk e kam harruar, por ja që, meqenëse kemi të bëjmë me një roman, po e zëmë se Gjergj Fishta ka jetuar edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

-Edhe në këtë rast fati i tij do të dihej.

-Po fati i Mësuesit a dihet? – ndërhyra unë.

-Ke të drejtë, fati i mësuesit do të ishte romani i vërtetë, – pohoi me fjalë dhe me kokë, pa e zgjatur më tej.
Bisedën e vazhduam me temat, që me tonin e fjalëve dhe insistimin për t’i trajtuar në mënyrën e tij i impononte Nexhati, kryesisht nga fusha e etnologjisë, mitologjisë dhe letërsisë orientale. Këto tema i pëlqente edhe Skënderi, prandaj nuk ndërhyja edhe kur mund të kisha ndonjë arsye. Vetëm nga fundi i bisedës më pyeti nëse po punoja diçka për Profesor Jup Kastratin. Po, i thash, madje nesër do ta vizitojmë bashkë me Nexhatin. Jemi këtu afër dhe duam të shfrytëzojmë rastin e ta takojmë pakëz, para se të kthehemi në Prishtinë.
Të nesërmen herët në mëngjes arritëm në Shkodër. E vizituam Profesor Jup Kastratin në shtëpi. Nexhati bëri shumë fotografi, që nga rrugica kur po hynim në oborr e deri në bibliotekë dhe në shtrat. Profesori nuk ngrihej dot nga shtrati, por kishte një kujtesë të fortë, prandaj biseduam gjatë.
Në mbrëmje u kthyem në Shëngjin dhe u takuam përsëri me Skënder Drinin në plazh. Na pyeti me kureshtje për Profesor Jup Kastratin dhe shëndetin e tij. Në vend se të flisja unë, siç pritej, fjalën e mori Nexhati. Fliste sikur të kishte qenë jo në Shkodër në shtëpi të Profesor Jup Kastratit, po në Persi te Firdusi. Tregimi i tij për Profesor Jup Kastratin dhe shëndetin e tij e shpjegonte si një legjendë, e cila nuk mund të kishte përfundim tjetër veçse tragjik.

-Profesor Jup Kastrati do të vdes nesër tri javë!- përfundoi fjalën Nexhati, duke e ngulur shkopin thellë në rërë, sikur donte ta vuloste mendimin e tij dhe duke i shqiptuar fjalët e fundit fort “nesër tri javë”, sikur të kërkonte dikush llogari prej tij.

-Këtë assesi mos gabo ta thuash në prani të Karolinës, – reagoi Skënder Drini duke më parë mua në sy dhe duke u ngritur në këmbë, sikur Nexhati shkopin të mos e kishte ngulur ne zall po në trupin e tij.
As nuk e pohova as nuk e mohova konstatimin e tij. Isha i mpirë. Me deklarata të tilla të Nexhatit isha mësuar kur e kur, ndërsa prej Skënder Drinit prisja një reagim tjetër, shumë më të ashpër, por ja që ai kësaj radhe merakun e kishte te gruaja e tij: Karolina e bukur, sikur e kishte shprehi ta cilësonte sa herë përmendte emrin e saj.
U ndamë me lamtumirën, se të nesërmen do të përmbyllnim pushimet dhe do të ktheheshim në shtëpi, por jo se pikërisht pas tri javësh do të merrnim pjesë në takimin komemorativ me rastin e vdekjes së Profesor Jup Kastratit: në Shkodër (Skënder Drini) dhe në Prishtinë (unë).

P.S.
Në prag të vdekjes, Skënder Drini botoi në Prishtinë vëllimin me tregime ‘Testament”, në të cilin përfshiu disa nga tregimet për temat e të cilave më ankohej në Shëngjin. Tregimin “Testament” e kishte projektuar si roman personal të tij dhe atëherë e diskutonim idenë se ndoshta fillimisht do të ishte mirë ta botonte me pseudonim apo diku jashtë Shqipërisë…. Në këtë vëllim gjendet edhe tregimi “Orakulli nga Kosova”, të cilin e kishte ndërtuar mbi bisedat tona gjatë pushimeve të vitit 2003, në Shëngjin.

Shkodër, më 21 prill 2015

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: RRËFIMI I NËNËS PËR SHTËPINË E DJEGUR NË FSHAT