Fan S. Noli: Bota kënaqet me gënjeshtrën…


Heshtja mbretëron kur flet ai. Me një shenjë të tij ngrihet shtrëngata dhe bie rrufeja përpara kalimtarëve të tmerruar – gjithësia kthen shikimin. Heshtje varri. Sufleri i madh farkëton një tragjedi të re. Spektatorët e vuajtur përgatiten me një padurim nervoz. Libri i fateve njerëzore hapet. Dëgjohet fëshfërima e faqeve të kthyera. Befas kryhen dy vrasje: nëna vret të birin dhe bashkëshorti nënën. Sufleri bëri gabim. Fillon nga mesi. Pse aktorët nuk e kuptuan gabimin? Mos mund të vepronin ndryshe? Sufleri i tha dhe çdo gjë që thotë ai, duhet të zbatohet. Ai është i fuqishëm, sepse zëri i tij është prej balte.
Ka fuqinë e Anteut. Disa e kanë përvetësuar aq mirë rolin e tyre, sa nuk ia kanë më nevojën suflerit. Sufleri rishtaz hesht.
Ai ndodhet aty dhe mbikëqyr. Sa të harrojë ndokush ndonjë fjalë a lëvizje, ia kujton. Perëndia e caktoi aty që të drejtoj njerëzimin, po kurrë nuk është gjetur një sufler i perëndishëm. Është dhe vetë njeri, përderisa u takon njerëzve. Është dashuri për të dashuruarit, xhelozi për xhelozët, hakmarrje e tërbuar për të dënuarit e mjerë të shoqërisë. Sufleri, pra, mund të bëhet herë-herë smirëzi dhe nga ligësia ose nga dobësia njerëzore dikton keq, dhe atëherë vajmedet për botën, vdekja mbërrin në çastin që ndalet. Për këtë Perëndia ndërron shpesh, kurse njerëzia i sheh të gjitha këto gjëra të çuditshme dhe nuk kupton se ç’po ndodh. Nuk ka mundësi të shpjegojë harmoninë që ekziston në kontradikta të mëdha. Befas dëgjohet zëri i ngjirur i suflerit, i cili i thotë fjalët thatë, po ashtu aktorët i përsëritnin me pasion. E fshehta shpjegohet, e megjithatë populli bërtet:
“Heshtje, heshtje suflerit!”
Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë…me zërin e thatë ndër shekuj…Me fytin prej balte.

*Titulli i origjinalit: “Sufleri i madh

Përgatiti: ObserverKult