Fantazma e algoritmit dhe politika në epokën e së vërtetës së simuluar

Nga Sibel Halimi

Figura e ashtuquajtur “fantazmë”, e prodhuar dhe e qarkulluar përmes inteligjencës artificiale e shfaqur së fundmi në Prishtinë, nuk është një kuriozitet digjital, por një shenjë e qartë e transformimit të mënyrës se si ndërtohet e vërteta në shoqërinë tonë.
Kjo figurë, me fytyrë të bardhë, trup të zgjatur, me këmbë dhie dhe prani të heshtur në hapësirën urbane, funksionon si një trup pa subjekt, pa histori dhe pa përgjegjësi morale.
Ajo nuk përfaqëson dikë, por një boshllëk ku projektohet frikësimi kolektiv. Inteligjenca artificiale nuk shpik frikë të re; ajo i rimobilizon arketipet më të vjetra të njerëzimit dhe i vendos në një regjim të ri vizual, ku imazhi shkëputet nga përvoja reale.
Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë me një mister urban, por me një simptomë të krizës së realitetit në të cilën jetojmë.
Prandaj, kur imazhet prodhohen, pa kontekst dhe pa dëshmi faktike, e vërteta pushon së qeni diçka që përjetohet dhe shndërrohet në diçka që konsumohet.
E pikërisht në këtë realitet të konsumerizmit, mishërohet ajo që mund të quhet “edge”-i inteligjencës artificiale, pika kufitare ku teknologjia nuk ndërmjetëson më realen, por e zëvendëson atë me një version më bindës, më tërheqës dhe më emocional. Në këtë kufi, e vërteta nuk matet më me koherencë apo verifikim, por me intensitetin e reagimit që prodhon.
Megjithatë, ajo me të cilën duhet të lidhemi fuqishëm është vetë akti i shtrimit të pyetjeve. Ndoshta pikërisht kjo është premisa themelore e mbrojtjes sonë; të menduarit aktiv, i cili nuk pranon të qetësohet nga përgjigje të gatshme, por që e ruan gjallë vigjilencën kritike.
A po e determinon inteligjenca artificiale një të vërtetë tjetër, përtej reales? Po, në masën që shoqëria pranon se ajo që shihet është më e besueshme se ajo që përjetohet. Kjo “e vërtetë tjetër” nuk është metafizike, por funksionale, ajo vepron, frikëson, mobilizon emocione dhe sjellje, pavarësisht nëse ka apo jo bazë reale. Kjo është ajo që filozofia e simulimit e ka paralajmëruar prej kohësh, momenti kur imazhi nuk e fsheh realitetin, por e bën atë të panevojshëm.
Mbrojtja ndaj këtij transformimi nuk është teknike, por kulturore e shoqërore. Nuk mbrohemi duke refuzuar teknologjinë, por duke rikthyer subjektin kritik.
Kjo do të thotë të mirëmbajmë aftësinë për të pyetur jo vetëm “a është e vërtetë?”, por “pse po më shfaqet kjo?”, “çfarë emocionesh po kërkon të prodhojë?” dhe “kujt i shërben kjo frikë?”, mbase edhe kush është autori i vërtetë i frikës sonë?

Edukimi medial, mendimi kritik i imazhit dhe rikthimi i përvojës së drejtpërdrejtë si burim i së vërtetës janë forma rezistence ndaj një realiteti të prodhuar nga algoritmet.

Po aq e rëndësishme është mbrojtja e hapësirës publike si hapësirë e besueshme.
Kur qyteti shndërrohet në skenë simulimesh frikësuese, marrëdhënia me tjetrin degradohet.
Prandaj, rezistenca fillon aty ku trupi real, zëri njerëzor dhe dialogu rikthehen si kundërpeshë ndaj imazhit anonim.
Në fund, kjo figurë nuk na pyet kush fshihet pas maskës, por nëse jemi të gatshëm të jetojmë në një botë ku e vërteta prodhohet nga “edge”-i i algoritmit dhe jo nga përvoja njerëzore. Fantazma nuk është kërcënimi. Kërcënimi është normalizimi i një realiteti ku njeriu pushon së qeni masë e së vërtetës.
Në kontekstin politik, kjo fantazmë shfaqet si metaforë e pushtetit të shkëputur. Ashtu si figura digjitale që ecën në qytet pa identitet dhe pa zë, edhe politika po rrezikon të shndërrohet në një prani pa trup real; e dukshme kudo, por e pakapshme në përgjegjësi. Mbase edhe praktikë e njohur, qeveritë, liderët apo grupet e fuqishme shpesh përdorin frikën për të justifikuar vendime, për të kufizuar liritë apo për të forcuar autoritetin e tyre.
Vendimet merren, emocionet mobilizohen, frika shpërndahet, por subjekti politik mbetet i paidentifikueshëm. Politika, nën ndikimin e inteligjencës artificiale dhe logjikës së algoritmit, fillon të funksionojë si fantazmë, vepron, por nuk shfaq identitet; ndikon, por nuk mban llogari. Kurrfare.
Kjo politikë-fantazmë nuk ndërtohet mbi ide dhe projekte afatgjata, por mbi imazhe të shpejta, narrativa frikësuese dhe reagime emocionale.
Qytetarët nuk ftohen më të mendojnë, por të ndjejnë; të besojnë, jo të gjykojnë, por të reagojnë. Ashtu si fantazma urbane, edhe politika e tillë krijon pasiguri dhe ankth, sepse nuk dihet kush flet, nga cili pozicion dhe me çfarë qëllimi.
Prandaj, rezistenca politike ndaj kësaj gjendjeje është thellësisht e lidhur me rezistencën epistemologjike, rikthimin e ‘trupit’ në politikë, të fjalës së përgjegjshme publike, të debatit dhe të përvojës reale të qytetarëve.
Pa këtë rikthim, demokracia rrezikon të mbetet një simulim formal, ndërsa politika një fantazmë që lëviz lirshëm në hapësirën publike, duke marrë besim e jo kritikë, duke shndërruar frikën dhe frikësimin në spektakël, pa përgegjësi; Ky është realitet i prodhuar, pa rrënjë jetën njerëzore, që zbehë besimin në fakte dhe dërmon shoqërinë.

ObserverKult


Lexo edhe:

“Ajo braktisi shtëpinë”, poezi nga Sibel Halimi