Nga Faruk Myrtaj
Marrëveshjen për lirinë e tij ia ofruan pas një mëkati krejt njerëzor. E kuptoi se pashmangshëm, domosdoshëm, do duhej të thoshte ‘Po’. Më shumë akoma, provoi ndjesinë e epjes lehtësisht. Ftesën e tyre. profesionalisht të kujdesshme, e pranoi si dëshirim të mezi-pritur nga ai vet. Njëjtë si ajrin që nxitoi ta thithte ethshëm kur doli prej asaj zyre të errët, ku fillimisht e thirrën si mëkatar. ‘Harroje çfarë ndodhi!’, i thanë. E besuan që ai vet e kishte pasur ëndërr, rritur brenda egos.
S’mund të mos e pranonte, edhe më kollaj kur iu tha se marrëveshja nuk do të bëhej publike. Më shumë akoma e gëzoi hollësia e më-në-fundme: as që do nënshkruhej ndonjë dokument midis.
Nëse kjo marrëveshje, ky pakt, lipsej të rrëfehej me pak fjalë ato ishin: MOS! “Mos rrëfe çfarë sheh Andej dhe Këndej”.
Do duhej të mësonte sa më shpejt ta mbante gojën mbyllur gojën, zgjodhi syza të errëta, teksa kurrë s’e kishte pasur problem t’ia privonte vetes gëzimet e përditshme prej njeriu, në këtë rast për t’i arritur të gjitha njëherësh, në ëndrrën e madhe.
E cila, dihej, vetëm andej matanë mund të arrihej.
Sipas Marrëveshjes, menjëherë iu bënë lehtësisht të kalueshëm kufijtë për Andej, pikërisht kur të tjerëve u ndalua t’i zinin ngoje. Shumë shpejt, u gjend ndër të paktët që lejohej të ndante në mes muajt Andej dhe muajt Këndej. Nata dhe dita, terri dhe drita, robëria e këndejshme me lirinë e andejshme, të gjitha dhuruar sikur vetëm për të. Edhe “të paktët” u ndjenë kapërcyer prej tij, kur u bë i vetmi që dilte për Andej i vetëm fare, pa Dytësin.
Kohë më vonë, kur gjithçka ta humbte trajtën origjinale në versione të zbehta në liri, pra kur kujtesa të identifikohej me artin, do të merrej vesh se e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga Dytësi, asaj kohe, ishte ta bëje vet edhe atë.
&
“Sinqerisht, s’është thjesht metaforë”, iu desh të shpjegohej në bisedat Andej, teksa ata s’pushonin së pyeturi për atë mrekulli gjuhe të zgjedhur për të paraqitur artikulimet e të shkruarave të tij. Në kopertinë të botimeve të tij inxhinierike, as në faqen e parë dhe as në të pasmen, askund në librat e parë të tij s’gjetën emër përshtatësi, përgatitësi apo përkthyesi.
‘Mos ka qenë kjo, gjuha juaj e parë?!’
‘Mos…!’, vetëtiu zmalti I nënqeshjes së tij.
Në të vërtet ‘mos’ do të ishte fjala më e saktë si përgjigje për ta. E përmbante pa e cituar edhe Marrëveshjen e tij, por atij I voliste të zgjidhte më mirë zhytjen kaltërsive të mjegullta të fjalëve deri në fshehje drite.
“Unë prirem të besoj se në inxhinierinë e shpirtrave ka metafora lindore dhe metafora perëndimore, edhe pse e di se ju mund të hezitoni ta pranoni, aq më pak ta besoni këtë! Pikërisht për këtë mos-kuptim, ne jemi të detyruar të pranojmë se ekzistojmë dy llojesh. Ndryshe s’do mbeteshim në këtë jetë gjysmash, siç edhe bota vet është e ndarë!”
Ata, sërish, për vitet të tëra, vazhduan ta pyesnin, shtruar dhe ngutshëm, sërish e sërish për kufirin brenda vet lindjes, dhe atë midis lindjes dhe perëndimit, për gjuhën në punimet e tij. Dhe, ishte e pashmangshme ta gërricnin për vet konceptin e inxhinierisë së shpirtrave. Dhe ai, gjithnjë, arrinte t’i nderte përgjigjet në cepet e thektë të heshtjes së fjalëve. I gëzohej edhe vet kësaj aftësie, absolutisht inxhinierike. E çfarë se atyre pikërisht kjo ftohtësi teknike i bënte të vazhdonin ta pyesnin.
“Dallimi vjen gjithnjë anasjelltas: njeriu është kudo njëlloj, sistemet ndryshojnë, pa e ndryshuar dot njeriun. Andej nga vij unë, provojmë të krijojmë lloj të ri Njeriu. Në syrin e lexuesve të atjeshëm, njeriu është telash social, ju këndej e quani dekadencë. Si autor tekstesh të midistë, ndryshe nga të shumtët rëndomtë atje, por ndryshe edhe nga ju këtu, unë vij e shfaqem përmes një arsenali tingujsh, shenjash e shkronjash të cilave ju u gëzoheni si nostalgji e aristokracisë së gjuhës suaj dikur.
Edhe pse e dini fare mirë, edhe pse nuk e kundërshtoni dot se aristokracia kudo e ndëshkuar është, këtej dhe andej. Absurde që unë guxoj e vij të kuptohem e çmohem edhe këndej, nëpërmjet kodeve të gjuhës suaj dikur. Lloj marrëveshjeje, është edhe gjuha, dilemë kodesh e shenjash, pafundësi variantesh, qasje e kundërti në mos-për-kthime korrekte dhe, a më thoni dot, cili është atdheu për njeriun e sotshëm? Cili është atdheu im?! A do lejojmë diku, dikur, një atdhe për individë të shënjuar me kode të veçantë?!”
Ata ia dëgjonin fjalët, ia çmonin, prisnin ta dëgjonin edhe më tej, se ai bëhej i paqartë në frazat, por në këtë moment ai ndalonte. Nuk do t’ia falte kurrë vetes të rrezikonte më shumë. Kaq-o gjë e dinte: s’kishte komunikim më jetë shkurtër, se kur gjërat thuheshin të gjitha dhe qartësisht. Ata, po të donin, në mundeshin, le ta plotësonin boshin në mënyrën e tyre. Sigurisht do ngatërroheshin, në përpjekjen për të kuptuar misterin me të cilin ishte i lejuar të kapërcente kufijtë.
Në parim ata pranonin se imazhi s’ishte e thënë të përkonte me realen. Liria e dhuruar një ndërmjetësi nuk mund të ishte më e madhe se sa i duhej atij vet. Por, edhe sikur diçka të kërciste në këtë logjikë, kjo s’kishte asnjë lidhje me ata. Madje as me ata që kam lënë pas, andej nga vij. Madje, as ftohtësia teknike s’ka lidhje me mjedisin e këndejshëm të artikulimeve të mia inxhinierike.
Qoftë edhe për mirësjellje, në çdo arritje skenike secili mjaftohet me rolin e vet. Nëse ju, kërkoni ç’u duhet, unë ju ofroj çfarë më duhet tu jap!
&
Ngaqë gojëmbyllur s’arrihej kurrgjë dhe as ia vlente t’i gëzohej daljes Andej, provoi t’i përdorte fjalët në qasje të kundërt: kur pyetej nga të tijtë për Andej ku shkonte, rrëfente robërinë që shihte aty, mes tyre. Gjithë çfarë mungonte këtu, e sillte si mungesë të Andejshme. Kështu arrinte ta respektonte Marrëveshjen duke mos e rrëfyer atë që shihte!
Nëse dikush do ta vinte re këtë kundërti dhe do t’i shkonte ndërmend ta bënte publike këtë absurd, sigurisht do ta humbte zërin më shpejt se të arrinte t’i dëgjohej. Hera herës harmonia në ngjitjen e tij kërciste, edhe vet provonte shkundje, tronditje prej hijeve të rënda të kësaj qasjeje, por dikur e fitoi edhe këtë aftësi: iu bashkua idesë se e vërteta nuk ishte e vetme. Çfarë ishte për dikë, s’ishte për tjetrin.
Vetëm kohë më pas, do të pranonte se në thelb të marrëveshjes ai kishte shërbyer në instinkt. Ftohtë, inxhinierik.
Sa herë i linte pas të vetët, për tu nisur për Andej, dukej sikur dilte nga errësira e një mesjete librash të moçëm për të hyrë në një fanepsje dritësimi. E provonte në orët e gjumit të pakësuar ndjesinë e kalimit të klonit të midistë, ku vetëm qeni klasik i kufirit mund ta nuhaste shkelësin, nëse pandehej se mund të ishte vet ai. Megjithatë, në ditë me diell të ngrohtë mesdhetar gjente nge të pëshpëriste për qejf të vet se këtë bio-jetë që gëzonte, këtë trajtë të mëdyshjes lirie-robërie vetjake, do duhej ta rrëfente si fat. Dhe ta shndërronte në art shenjash e fjalësh. Nuk e pengonte kurrgjë ta shfaqte krejt ndryshe, si histori të pa-kohëshme që prej të Andjeshmëve do mund të kundroheshin si dhunti e veçantë.
Që të mos e rrëgjonte mundësinë e marrjes vesh, i vendosi tërë përshkrimet e rrëfimet shpirtërore në troje para-shtetërorë, në kufij të lëvizshëm principatash dhe hapësira perandorish të hershme. Tërë të vërtetat e ditëve e netëve në të cilat rronin të sotmit e kohës së tij, ua adresonte dhe blatonte kohëve dikur, si brerore nostalgjike. Gjer edhe vet ndërmjetësuesi I tij, që për shkak të robërisë kombëtare s’do guxonte ta përmendte si fjalë dhe jo më ta ëndërronte kapërcimin e kufirit, mund të endej edhe ai kësisoj në zonat e klonit përmes frymëmarrjes së përbashkët të krijuar nga harmonia e dy gjuhëve, dashuri e rinisë dikur përdorur tanimë për mbijetesë.
Dihej, më në fund do t’i mbërrinin ditët me lavdi, të gjithë do ta kishin në sy, për arsye të ndryshme. Gjithnjë e më tepër do të besonte se të shumtët do ta donin, do ta pëlqenin, të tjerë do ta çmonin pikërisht prej lehtësisë së kalimit të kufijve dhe po për këtë do kishte që s’e donin dhe ngaqë nuk ia morën vesh kurrë marrëveshjen, ca të tjerë do ta urrenin. Megjithatë, e ngazëllente shakaja se më të shumtët prej admiruesve ishin ata që kurrë s’kishin lexuar deri në fund asnjë artikull e jo më libër të tij. Ata thjesht bashkoheshin si rrahës-shuplakash sa herë thuhej se punimet e tij ishin përkthyer në të 33 gjuhët e botës.
Përderisa edhe koha për dashuri mbetej e pamjaftueshme, kurrgjë s’do mund të konsiderohej mëkat.
Kalimi i herë-pas-hershëm nga drita në errësirë dhe pastaj sërish për te drita, iu shndërrua në lloj lirie të përkryer vetmitari, të cilën s’nginjej së shijuari. Nuk reshttë së shënjuari e rrëfyeri variante të alla-sojtë, përmbysës, reflektime shkëlqimtare, lëbyrëse e marramendëse. S’do mundnin kurrë, aq më pak të vetët, t’ia merrnin me mend arsyet e kësaj lirie apo lirshmërisë së tij. Edhe nëse di nisnin ta ftillonin misterin e nisur në lindje pa perënduar dot as në perëndim, s’do guxonin ta rrëfenin pandehmën. Thjesht se rregulli i kësaj bote dihej: siç ai vet, për arsye krejt të tjetërta, secili kishte MOS-et e veta. Edhe vet Perëndimi, siç padyshim Lindja!
As për atë vet s’ishte e lehtë, jo vetëm në fillimet. Edhe pse prej çdokujt e ëndërruar gjysmën e kohës të mund ta kalonte Andej dhe Gjysmën Këndej, nuk i ishte i kollajtë, ishte rrëqethës, lemeritës ishte, këmbimi i gjysmës së vetes prej robi në gjysmën të po kësaj Veteje prej njeriu në liri.
Mbetej atje poshtë vendlindja, avioni me të brenda ngjitej në qiell dhe…edhe thjesht ta mendoje se i duhej të linte aty veten prej robi, i mekej fryma, mezi gëlltitej. A thua edhe liria, si ajri në lartësi, rrallohej e bëhej më pak lëndore. Përpiqej ta urtonte durimin si frymëmarrjen, duke u qetësuar se kishte ende tërë ato orë udhëtim përpara se të zbriste Atje. Gjatë këtyre orëve do mund të përshtatej, do mund të ndryshohej dhe të merrte trajtën e dytë, siç i duhej, siç pëlqente të ishte ose së paku të dukej, kur të zbriste në atë truall të huaj ëndërruar nga kushdo që linte pas, ofruar vetëm atij.
Më pas, kjo metamorfoze e herë-pas-hershme u bë diçka e natyrshme, ndonëse brenda një zymtie trishtuese, në rrekje të vazhdueshme për ta bërë sa më të gëzueshme. Kurrë s’e ndaloi dot veten të mendonte se, sido si, përshtatja humbje e vetes së më-hershme ishte. Kurrë s’e merrte vesh se si ndodhte që robëria e atjeshme e ndiqte pas gjurme, i shfaqej në pa fundmë në grimca të vogla, mbase të pa dukshme prej të tjerëve, edhe prej të huajve që takonte atje, por që atij vet nuk i shqitej kurrë.
Sa vinte e më shumë shihej gjithnjë e më pak me të njohur të dikurshëm, në bisedat e tij hynë të tjerë, të huaj, të Andejshëm. Të njohurit dikur, veç pengesë i ishin në bërjen përpara, edhe pse ai, për të mos i humbur përfundimisht, zgjodhi t’i zbuste duke i hedhur si të gjallë në të shkuarat para-familjare siç ato para-shtetërore dhe skicimet para-historike shpellore. Ngaqë tashmë ishte ekziluar prej andej dhe kishte hyrë në sallonet moderne, kronikën për të gjallët e kthente të trojeve e perandorive dikur.
Megjithatë, s’ia fshihte vetes që pa-dëshirueshëm iu stisë një stinë kur kthehej në vendlindje gjithnjë e më i heshtur, këmbët zvarrë, në pa dëshirë e pa fuqi për tu gjendur si dikur nën çadrën e robërisë dëlirësishy të gëzueshme mes të tijve. Më e trishtë akoma, ia verbonte syrin mugëtira e qiellit të të vetëve, kur deri në kthim ai u ishte gëzuar hapësirave e lirive të Andejme…
Kur zëri i stjuardesave lajmëronte vendosjen e rripave të sigurimit në përgatitje për të zbritur, i bëhej sikur atij vet i thuhej të bëhej gati të hynte sërish në robëri.
Kujtohej se përpara do t’i ishin ditë e javë e muaj, gjer të plotësohej gjysma e vitit- sipas marrëveshjes së pashkruar, gjatë të cilave atij do t’i duhej t’i gëzohej fshehjes së lojës së syve përtej syzeve të errtë. Në shpresë të energjisë së pafundme të natyrës së tij, lindur si mezi-duruese e të tjerëve, pothuaj të gjithëve, aq më ligsht kuriozitetit të tyre mbi gjysmë-jetën e dytë të tij.
As edhe përuljen e tepruar të disave, nuk e duronte dot. E dinte, edhe në mungesë të tij, ca prej tyre nuk e refuzonin kurrë ftesën të dilnin në radiot dhe ekranet, porositur të lëvdonin atë. Nuk mungonin kurrë, s’gjenin as edhe një gaç fryme e kohe të rrëfenin sado-diçka për dikën tjetër, madje as edhe për veten e tyre…
‘Mjerë ju! Si ia bëni, me Vetet tuaja?!’ i pyeste ai, i mrekulluar që ende mund të flitej pa zë. Edhe pse ishte i vetëdijshëm se edhe ata pa zë flisnin ndryshe ndaj tij.
As kohëve që ishte Andej, nëpër botë, këto qenie në stadin e larvave, s’guxonin të dilnin prej membranës së tyre. Ai i përfliste, i nënqeshte, sidomos kur këtë përulësi zyrtare e ofronin si thjeshtësi ose virtyt kombëtar. Ngaqë e dinte mirë se ata e vuanin tmerrisht keq mbetjen nën këtë mugëtirë barazie dystuese që ua toleronin si mëshirë dhe mungesë aftësie për inxhinierim të vërtetë shpirtëror. Krye-uljen e tyre kolektive përballë tij si Njësh, si dhe pa-mundësinë për ta ndryshuar këtë raport të sanksionuar përmes një marrëveshje që ata thjesht e merrnin me mend, u vinte për osh ta neglizhonin, madje edhe t’i gëzoheshin me anë të përfoljes përgjithnjë anonime se ‘Ai shkruante për Andej, teksa Ata shkruanin për Këtu!’.
Pa asnjë njoftim, madje në shpresë që tërë të tjerët të mos ishin të lajmuar, shfaqeshin të tërë bashkë në bulevardin “Të Rënët Pa vetëdije”, për t’iu gëzuar ndonjë minute të ëndërrt vëmendje nga ana e tij. Ah, sikur…një foto, një autograf për libra të tij blerë prej tyre thjesht si lexues, pa shkuar dot ndërmend që ai tu pranonte dhuratë libër të tyre, në thellësi të sinqertë e të vendosur të mos ia falnin kurrë.
E kishin perfeksionuar sjelljen kësisoj që, menjëherë pas fluturimit të tij për Andej, ata nxitonin t’i gëzoheshin garës së pafund me thonj e dhëmbë ndaj njeri-tjetrit të mbetur aty. Tërë mërinë e mbajtur ndër dhëmbë ndaj tij ia derdhnin si vrer vet/veteve të këtushme, me rrekjen të mund të shtoheshin si zero e pak-më-parshme se tjetri në renditjen pas Njëshit që ishte veçse ai.
Ai e dinte, ca prej tyre dilnin ta prisnin në aeroport dhe nxitonte tu ikte. Sa zbriste nga avioni ngrinte jakën e pardesysë, nuk e fshihte që s’donte të bezdisej, nga askush, ata duhet të kuptonin se ishte mishërim talenti ky lloj fodullëku, dhe vetëm si i tillë duhej pranuar e mirëkuptuar. Megjithatë, më të zellshmit provonin t’i shfaqeshin te porta anësore, në të cilën kalonin autoritetet dhe intelektualët e kombit. Dihej se atij i mundësohej në bazë të po asaj marrëveshje, që gjithashtu nuk lejonte kurrkënd t’ia kontrollonte bagazhet.
“Vetëm libra s’kam, t’ua jepja juve!”, ua shuante ai kureshtjen, në pak sekonda. Përkundrazi, aparatçikëve, dalë për ta pritur zyrtarisht, i bindur se këta nuk lexonin libra jashtë-shkollorë, u jepte nga një sapun tualeti. Vetëm ca pakëve, të zgjedhurve, në intimitet të pa-fshehshëm u ofronte erëza, për gratë e tyre.
Në momentin tjetër, pasi i kishte hutuar të gjithë, ua kthente shpinën dhe afrohej tek makina e Akademisë që vetëm atë priste. Në ato pak kilometra nga aeroporti në shtëpi, në vendin e pasmë prej ku shihte sa mund dhe kurrkush nuk e shquante, provonte të kapte detaje tipike që, mjegulluar fjalësh dhe pastaj përkthyer, shërbenin si lëndë e parë në kalimin tjetër për Andej. E këtushmja s’ishte veçse shërbim për gjysmën tjetër.
Vetëm kaq i kërkohej.
ObserverKult
Lexo edhe:
FARUK MYRTAJ: NUK E KAM HARRUAR DOT DITËN E FUNDIT NË TIRANË