Fatbardha Behri Kaçi: Darka e festës

fatbardha behri kaçi

Tregim nga Fatbardha Behri Kaçi


Nji grixho e trishtë mjegulle, zbriti at’ buzmramje nga mali.
U shtri mbi Vjosë… Sikur t’mos i mjaftonte mbulimi i dritsimit t’ujnave, shtriu gjymtyrt mbi qytetin.
Troku i kuajve të nji pajtoni mbi kalldrëm rrahte mbi mendimetn e zymta të Zefit dhe Xhuzepinës. Kur driçim i ndrojtun, i pasigurt, i flakadanve anës rrugs u ra n’ ftyrë, u pan sy m’ sy.


Ja ku u dha silueta e nji godine hijerandë, kur troku heshti.
Kishin bisedu gjatë për kët darkë festive të 28 Nantorit 1938. Xhuzepina kamngulte mos me shku, por Zefi ishte ndi ngusht në koracën e detyrs. Duhej me ken atje, si prefekt i qarkut t’Përmetit.
– Erdhëm Pinë, (kshtu e thirrte me përkdheli),- Të lutem mblidh mendjen. Ki kujdes. Mos ha e mos pi kurrgja.
-Ki kujdes ti i dashtun. Ai e ka me ty…


Prefekti i ri e bukurosh nga Shkodra, kishte patun mik zemre Luigj Gurakuqin. E kishte mshtetë hapun për idet kombtare. Plaga e shpirtit prap i dhimbte nga vrasja e Bimit, si e thirrte. U habit e u trondit kur e emrun prefekt n’at qoshe t’bukur Shqipnie. Larg fisit, rrethit t’miqve e dashamirve, larg Shkodrës…
– Ndoshta mbreti don me tregu se e ka mbyll kapitullin e kobshëm t’përgjakjeve t’pabesa. – Mendonte… Apo mos Pina e tij dikur, i kish pëshpërit n’vesh bashkatdhetares, mbretneshës Geraldinë…?


Kur hynë në odën e madhe, gumzhima u fashit. Të gjith u çuen n’kam.
Zefi duke ec me Xhuzepinën në krah, prekte me vështrim ftyrat…
Të njajtat dhe të ndryshme…
– Cili asht Juda i ksaj darke? – I vetiti mendimi. – Mos a darka e fundit…?
Si me ia shtu angshtin, nga lumi filloi era. Përplasej me uturim’ në drurë si me vajtim, si gjamë… Uuuuu… Ia përshkoi trupin nji drithrim… U akullu… Ndiu djerst tuj i rrshqit n’ shpinë… Mendimi ogurzi i vdekjes, iu fut si thik n’ zemër… Tamthat i rrihnin…
Me hap t’ngrimë e solemn eci drejt kreut të tryezave, ngarku me xixllima argjendi, shandanesh…, ushqime e pije.


Ndjeu t’i derdhshin vështrime kurioze, dinake, respekti, të lyrshme, shpuese…
Flamujt n’qoshe, t’lodhun. Lulet n’tavolina lshonin arom vyshkjeje… Ankthi e mbërtheu prap… Mushknit iu zbrazën, por arriti me mbledh forcat. U çue nga karrikja dhe zani i doli metalik:

– Zoja e zotnij! Nji dolli për 28 Nantorin dhe lartmadhnin, Zogun e Parë! – ndigjoi zanin e vet, të huej…
…Tringëllima, zukatje, copa bisedash fillun t’endeshin, përlaseshin… Prej nji qoshe t’odës ndjeu tuj ardhë me rrahje flatra lakuriqësh nji vështrim çpues, i lig, me frymë rrymuse kalbsine… helmuse…


Zefi bani sikur e zu kolla dhe rrzoi si padashun gotën e ver’s.
Kristali ra n’parket si krisëm arme… Kmisha e fraku iu përskuqën…
Nji heshtje ngarkue me frikë u shtri mbi tryeza…
– Ju lutem, vazhdoni. – foli tuj buzqeshë me kortezi Xhuzepina.
Zefi, si në pamundësi të fliste, përkuli kryt e ftoi me krah rifillimin e darks. Xhuzepina e Zefi shinin pa prek asgja… Nganjher kollitja e that e Zefit gërvishte zhurmërimën dhe vështrimet binin mbi çiftin e randsishëm.


-Na falni – u drejtohej Xhuzepina me zanin e ngroht,- Zefi asht pak i pamujtun.
Gumëzhima ripushtonte odën e madhe…
Zefi ndjeu tuj iu lagë shpina prej sforcës tuj u kollë… dhe ankthit që po e mbërthente…Pina e tij her pas here e mbështillte me vështrim të ngrohtë, përkdhelës e kurajoz…, por zemra i rrihte fort… Alarmi her- herë i çohej nga barku drejt fytit… Ku ishte fshehë vdekja? Në cilën çini, gotë, pecetë…? Shikimin ia tërhoqën sytë e errtë nguls nga nji qosh… Dikush erdhi prej andej drejt tyne…


– Zoti prefekt. – cicëroi befas nji za pranë. – T’ kalume!
Zefi u kthye nga erdhi zani i femnës… Nji dorë i zgjati nji cigare të ndezun. E thithi me pavemendje me afsh. Tuj kapërdi me tymin ankthin, ndjeu tuj i rrshqit në fyt lamshe gjembaçe… tuj iu flakëru laringu…, tuj iu shkallmu mushknitë…
Sytë iu errën… Kryet iu randu dhe i ra n’sup të Xhuzepinës…
I pafrym rrshqiti kadal n’prehën t’saj…


– Nji doktor, nji doktor, – briti Xhuzepina- A ka nji doktor?
Thirreni nji doktor, pash t’madhin Zot!
Heshtja pushtoi odën e madhe, era jashtë kuiti… Uuuuu… Pastaj rrëmujë… klithma… Disa u çuen tuj rrzu karriket me nxitim e tuj u shty drejt ders…
Me sy t’zgurdulluem prej tmerri, Xhuzepina përpiu odën…


– Nji doktor, nji doktor!- shkapetej britma e saj n’disa ftyra t’shtanguna e t’zbardhuna…
Xhuzepinës i iku zani kur ndjeu akullimën e odës së madhe… Askush nuk iu afru…
Uli kryt… Lot’ iu derdhshin mbi ftyrën e mermert’ të Zefit…
Në syt e tin t’zmadhum, drita po fikej… N’dorë ndjeu t’fikej rrahja e jets në damarin e qafës së tij… E mbështolli errsina e tmerrit, e gjams… Në shurdhim mendimi… “Iku…iku…” Mandej si në vaj thirrja e nji qyqeje si në prrallat e fminis:
-Ku- ku. Ku- ku. Ku- ku…

ObserverKult

Lexo edhe:

KAMY: VDEKJA NUK KA NDIKUAR NË MIQËSINË TONË…