reklamë

Fatmir Arifi: Urtësia e heshtur

Nga Fatmir Arifi

…mbante dritën ndezur!

Njerëzit vinin tek ajo si tek një burim në kohë thatësire.

Në duar mbanin dorëshkrime, fjali të thyera, ëndrra që nuk dinin si t’i shprehnin. Dhe ajo i merrte me kujdes, si një nënë që mbledh copëzat e një pasqyre të thyer.

Tërë jetën i kërkonin llogari.

Për një fjalë. Për një mendim. Për një presje që mungonte. Për një ide që duhej shpëtonte.

Por askush nuk e pyeti: Kush i mbledh copëzat e tua?

Askush nuk e pyeti sa net pa gjumë fshiheshin pas qetësisë së syve të tu!

Ajo korrigjonte mendime, libra…, por plagët e veta i linte pa redaktuar.

U mësoi njerëzve si të shkruanin më bukur, si të mendonin më drejt, si të ngriheshin më lart. Ndërsa vetë mbeti në heshtje, si shkalla që ngjit të tjerët dhe nuk arrin kurrë në majë.

Shumë morën nga urtësia e saj, nga kultura e saj, nga zemra e saj.

Shumë pak i lanë diçka pas.

E megjithatë, ajo nuk u ankua.

…besonte se njeriu nuk matet me atë që merr, por me atë që jep.

Prandaj ecën ende me të njëjtin ideal në shpirt, edhe pse koha ka lodhur shumë zemra.

Ecën si një qiri që digjet ngadalë për t’u dhënë dritë të tjerëve.

Ndoshta kjo është madhështia e saj: jo se dinte të korrigjonte gabimet e botës, por se e deshi botën edhe kur ajo harronte t’i thoshte faleminderit.

Ka njerëz që shkruajnë libra.

Por, ka njerëz më të rrallë, që pa zhurmë, pa lavdi, pa kërkuar asgjë, shkruajnë vetë ndërgjegjen e një kohe.

18.6.2020

ObserverKult


Lexo edhe:

E mahnitshme nga Martin Camaj: Si doli emni prej gurit