Fatmir R. Gjata: Ra bust i diktatorit

fatmir r. gjata

Poezi nga Fatmir R. Gjata

Ra bust i diktatorit edhe e hoqën zvarrë
Kush qiellit ulërinte, kush mbeti duke qarë
Liri o Zot liri, bërtisnin nëpër shesh
Po s’di pse u bë hije edhe jeton mes nesh.

Ra bust i diktatorit dhe kush nuk pat mëshirë
Në flakë u dogjën libra me ankth e me dëshirë
Po çfarë nuk ish e shkruar na mbeti si dhuratë
Të jemi si gjithë bota thërrisnin atë natë.

Ra bust i diktatorit në bronx e në metal
Dhe ndoshta e kanë shkrirë e hedhur në moçal
Por diktaturat dihen jetojnë edhe më pas
Në shpirtrat e padukshëm me ankth edhe maraz.

Ra bust i diktatorit po ngrenë prapë shtatore
Për mbretër edhe princa, për doke zakonore
I ngrenë dhe këngë që kush si ka zili
Njëlloj me rënë në luftë, përmbi bajloz të zi.

Ra bust i diktatorit dhe popull u mahnit
Do vinte kohë e bukur me lumturi e dritë
Por prapë njëlloj mbetëm, njëlloj si atëherë
Dikush është bërë i pasur, dikush mbeti i mjerë.

Ra bust i diktatorit po pjellë e tij është gjallë
Nuk ka pushtet të plotë, nuk ka as yll në ballë
Po pret rastin e duhur të kthehet kohë e tij
Të vrasë edhe të presë, ringjallur përsëri.

O njërëz të çuditshëm, o njërëz të vendit tim
Rrëzuat mbret nga froni, plotë gaz edhe mallkim
Shikoni qindra mbretër që hiqen si shenjtorë
Ndërsa jeni të njëjtë, të varfër e të gjorë.

ObserverKult


Lexo edhe:

FATMIR R. GJATA: SHKRUAJ GJITHMONË PËR DASHURINË