Nga Fatmir Terziu
Dhe u rrita. Dashurinë që ma dhanë të Tjerët, kisha filluar ta zëvendësoj me dashurinë që kishte hyrë në sytë e mi qysh herët. Dhe kështu rihodha sytë e mi rreth e qark. Rreth e rrotull… E në këtë riprurje ndryshe nisa të rikujtoj…
E pashë shokun tim që ende shikonte foton e një vajze, që e pëlqente në ditët e shkollës, sa herë që kthehej nga banjot e shkollës, ku pinte cigare me pika mente, për të mos u diktuar nga mësuesit e orës së mësimit.
Më pas e pashë sërish ndërsa strukej nën një pishë afër Kalasë dhe shihte po atë fotografi sa hërë që dehej.
Dhe eca në rrugën me kalldrëmë, ku kanë shkelur kuajt e Egnatias dhe kanë pirë në tarxhik lëkure ardhë-ikës të tregut Venecia-Kostandinopojë. Aty fshiva sytë. Pashë një gjyshe që vetë është shumë e vjetër dhe e sëmurë shqetësohet për shëndetin dhe oreksin e nipit të saj, më shumë se veten. Ia shtrëngova duart dhe ia putha sikurse të ishte gjyshja ime e dashur.
Më tej dola nga Porta ku kanë gjerbur ujërat e pastër e të freskët të kohërave për të shuar etjet e kalimtarëve dhe u përkula me respekt. Aty u ndala pak. Pashë shokun tim që zgjohej në orën 4 të mëngjesit për të folur me të dashurën e tij që jeton në Londër.
Rrugëve të freskëta të qytetit tim ndoqa hapat e disa viteve. Pashë njerëz që dashuroheshin në kohë tjetër dhe në kohë me internet dhe këta të fundit bënin përpjekje të mëdha edhe pse nuk ishin takuar për një ditë të vetme.
Xhirot në bulevardin kryesor nuk ishin si dikur. Trëndafilat nuk ishin por kishte tufa trëndafilash ende në disa pika tek Rruga e Blirave, tek Turizmi, dhe tek ish TV „Dardan“. Në Parkun „Rinia“ mes trokitjes së dominove pashë nipër e mbesa të ndiqeshin me dashurinë e gjyshërve, ndërsa ata përhumbeshin në botën e lojës me dopio gjashtën.
Por aty, dhe jo vetëm aty, pashë çifte të moshuara të kapur për dore në një qytet, që tashmë nuk është më i mbushur aq shumë me njerëz të rrinj. Njerëz të shumtë kanë emigruar, ndoshta edhe atje ku janë ende janë të dashuruar. Dhe eca e eca që të shihja më shumë… Diku.., ah diku pashë mistershëm të thurreshin disa rrjeta mbi porta të njohura, porta të mbyllura, dyer të lëna në harresë. Jan shumë emra pas tyre. Janë shumë. Dhe kështu eca përsëri më tutje. Më tutje drejt Universitetit „Aleksandër Xhuvani“.
Aty kishte më shumë kafene se sa e kisha menduar. Pashë një ecje të lodhur, të harruar… diku më ngeli syri. Pashë një person që e do një vajzë me vetëmohim pa pritur asgjë në këmbim.
I vetmi këmbim ishte shikimi i thukët i vetë Aleksandrit në sheshin me mermer para dekanatit, e aty gjerbej express… Pashë kaq shumë memorje, realitete dhe histori, që m’u kthyen risi. Dhe pyeta vetveten, ku jam tani? DASHURIA ishte tek të gjithë. Pra ku isha tani? A isha vërtetë në qytetin tim, a isha në Shqipëri?
ObserverKult
Lexo edhe: