“Dikush më buzëqeshte”, tregim nga Fatos Arapi

fatos arapi

Poet, prozator e eseist, Fatos Arapi është një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.

Arapi solli një mendim e figuracion të ri në letërsinë shqipe, duke e emancipuar poezinë e kohës nga rutina poetike dhe notat retorike.

ObserverKult ka zgjedhur për ju tregimin “Dikush më buzëqeshte” nga Fatos Arapi

fatos arapi portret observerkult



Ditë prilli ‘944…
U përhap fjala se do të bëhej alarm ajror. Qepenët e dyqaneve u mbyllën. Rrugët u zbrazën. Gratë sa mezi mblidhnin fëmijët e mërditur, që grindeshin se nuk mund të luanin dot top leckash, as aty te praku i derës. Vetëm patrullat gjermane e mercenare, të ngrira në heshtjen e tyre, shkonin e vinin nëpër rrugët e shkretuara.

S S-ët heshtnin. Pas dritareve të mbyllura me kapakë dërrasash, heshtnin dhe banorët e qytetit të vogël. Dita ishte e vrejtur dhe e ftohtë. Binte një shi i imët, që s’pushonte.

Diçka e rëndë, e heshtur dhe e pashpjegueshme rëndoi përnjëherësh mbi qytetin e vogël, me rrugë të ngushta e pullaze të ulëta. U dëgjua një breshërimë mitralozi. Pastaj një heshtje e gjatë. Sikur krisma të kishte goditur vetë murmurimën e jetës së qytetit. As hapi i rëndë i patrullave s’u dëgjua më. Dy krisma. Njëra pas tjetrës. Dy. Të largëta. Të mbytura.
– Goditën në tntp – murmuriti dikush.
Ashtu e ngrirë hyri ajo ditë në kujtesën time. E, nëpër ngricë të saj të heshtur e të egër patrullonin S S-ët.
Hutimin e qytetit e çori një bombë. Vetura e gestapos rrëshqiti nëpër rrugën kryesore. Dhe përsëri gjithçka ra në heshtje. Pastaj një derë u hap. Edhe një… Edhe një…
Dikush doli në rrugë.


– Paskan pushkatuar pesë vetë. Te xhamia e tabakëve, paskan pushkatuar pesë vetë.
Njerëzit dilnin prej shtëpive. Gra, fëmijë, burra, shkonin nga xhamia e tabakëve. Mbi ta e ftohtë, e vrejtur, duke derdhur pa pushim atë shi të imtë, notonte ajo ditë prilli ‘944.
Redaktorja qëndronte para meje e më shikonte me ata sytë e saj të vegjël, ngulitës. Ashtu si më parë edhe tani ata sy binin mbi mua e më pyesnin: «a do të na shkruash? Qoftë edhe një shkrim të vogël».

Unë heshtja. Për mua nuk ishte më i rëndësishëm një artikull për revistën. Para meje tani shpalosej vetë ajo ditë…
…Rojet gjermane e mercenare nuk lejonin njeri t’u afrohej të pushkatuarve. Ata kishin rënë te rrëza e murit. Të mbytur në pellgun e gjakut të vet. Njëri prej të vrarëve kishte rënë me fytyrë nga qielli. Ai kishte qenë sheh dhe pak më tutje i kishte mbetur çallma. E qullur krejt ajo dukej e pistë dhe e palarë.

Midis tyre, përmbys , kishte rënë një grua…
Të parët filluan të qanin fëmijët. Pastaj gratë. Pastaj të gjithë. Turma afrohej te të vrarët. Njerëzit donin t’i shihnin, donin të dinin se si dukeshin ata të vdekur. Dhe qanin.

Afroheshin. S S-ët i shtynin me automatik në gjoks. Një mercenar me pushkë të gjatë në sup iu afrua asaj gruaje dhe e goditi me majë të këpucës. Një herë. Dy. Tri.
Ai i binte me këpucë e diçka murmurinte nëpër dhëmbë. Këmbëzat e çitjaneve nuk ngjiteshin lart.

Ato arrinin gjer aty te lakëza e pulpave, pastaj, të qullura, puthiteshin në këmbën e ngritë të gruas së vrarë. Mercenari qëndronte mbi të me pushkë të gjatë mbi sup, diçka thoshte e përsëri e qëllonte me këpucë.
Erdhi karrua, Të katër burrat njëri mbi tjetrin u hodhën mbi të. Këmbët e dikujt u varën jashtë, pastaj një kokë e dy krahë. Atë nuk e ngarkuan. E lidhën me litarë të karros prej të dyja këmbëve të zbathura dhe e tërhoqën zvarrë. Karrua ecte ngadalë duke marrë pas nëpër udhë të qullura e gjithë baltë gruan e veshur me çitjane të zeza, rënë përmbys me krahët hapur gjithnjë anësh.


Q.D. Një emër. Dy gërma. Dy kokrra gruri të mbjella tek unë, si në tokë. Ajo redaktorja me duart e veta kishte rrëmihur tokën: ato dy kokrra gruri, gati të harruara ishin aty dhe vetë kishin lëshuar sythë e po mbinin. Dhe unë nuk e kisha ditur këtë. Atë mbrëmje erdhi te ne xha Zanua, një fqinji ynë. Zbathi te praku i derës opingat, hyni në odën e zjarrit, duke shkelur me çorape, shkoi dhe u ul drejt e në qoshe.


– I vranë… ëh. Maskarenjtë… – i tha babait, që ishte ulur në anën tjetër.
Dëgjova një kërcitje të fortë të nofullave e të dhëmbëve. Ishte një kërcitje si ajo e trarëve të shtëpisë, po unë isha i vogël e më tërhiqte më tepër vetëm paraja e asaj dite.

Para syve më dilte gjithnjë ai mercenari, që goditte me shqelma gruan e vrarë, shikoja karron, që shkonte ngadalë mes për mes qytetit të heshtur, karrocieri tërhiqte prej freri kalin e nëpër shi fliste me zë të ulët me veten, me kërcitjen e rrotave dhe me llapashitjen nëpër baltë të trupit të vdekur të asaj gruaje.


Q.D. Dy gërma. Një emër. Në atë emër, – një jetë njeriu. Atë jetë S S-ët e kishin pushkatuar atje te xhamia e tabakëve, në atë ditë prilli ‘944. Po ku ishte tani ajo jetë? Duke më kërkuar një shkrim për revistën, redaktorja trupvogël as që e kishte menduar se nëpër ç ‘rrugë po më niste. Ku ndodhej tani ajo jetë e pushkatuar prej S S-ëve?

Cilët njerëz mbanin pjesëza të saj? Do të më duhej të kërkoja e të kërkoja, të kthehesha prapa nëpër ato ditë të dikurshme të fëminisë, të ngatërrohesha, të humbisja udhën e përsëri të nisesha në kërkim të asaj jete. Unë duhej ta ngjallja përsëri atë grua, ashtu siç kishte qenë dikur, me fytyrë e ëndrra e luftëra, me dashuritë e saj.
I vetëm kaloja nëpër salla e korridore të muzeumit.


Në heshtjen që më rrethonte, qëndroja para eksponateve e vitrinave. Herë pas here prej fotografive më shikonte ndonjë fytyrë e njohur dikur. Ndjeja vjetët e kaluar të më afroheshin gjithnjë e më pranë. Mendimi se koha merr fytyrën e ngjarjeve e të njerëzve, dhe me atë fytyrë hyn pastaj nëpër muzera, që sërish të dalë përpara njerëzve, më kishte pushtuar të tërin.

Ditët e luftës qëndronin para meje të kthyera në një fletë komunikate, në një pushkë partizane, në një xhaketë të vjetër, të shpuar nga plumbat armikë. Njerëzit i kishin futur aty. Dhe i ruanin. Nuk donin që ato ditë të zhdukeshin. Nëpër to vareshin ato fotografi me fytyra njerëzish. Të rinj, të reja, burra, gra, fshatarë, qytetarë.
Përnjëherësh diçka u drodh tek unë. Nën një diçiturë: «Dëshmorja Q.D.».


Ja. ajo… gruaja e mbytur në gjak të vet në të ditë prilli ‘944. Ja, cila qenka ajo… Për herë të parë shihja atë fytyrë. Asaj dite ajo kishte rënë përmbys me këmbët e krahët hapur mbi asfaltet e qullura. Dhe ashtu kishte mbetur gjersa karrua ishte zhdukur prej shikimit tim.

Ky vegim kaq thellë ishte ngulur në kujtesën time sa, edhe kur në imagjinatë kërkoja t’i jepja asaj ndonjë fytyrë të re, më zhdukej në çast. Dhe gruaja mbetej po ashtu e rënë përmbys mbi asfaltin e qullur. Ja, cila qenka ajo… Kisha qëndruar përballë saj. U afrova më pranë fotografisë.

Atëherë ndjeva se fytyra e saj po mjegullohej. Nuk po kuptoja se si në atë tis kafe të fotografisë shkrihej ajo kokë e madhe, që ishte ngritur aq lart, sa thua do të rrëzohej mbrapa. Në atë fytyrë vetëm dy vetulla të trasha harkoheshin përpjetë. Dhe nën to – sytë, që humbisnin në një mugëtirë të hirtë. Ajo fotografi do të kish qenë kopjuar nga ndonjë tjetër, e vjetër.

M’u kujtuan ato fotografitë e zbehta të varrezave të prishura nga dielli e nga shiu. Më kot po përpiqesha të shquaja miset femërore të asaj gruaje. Nuk mundja.

M’u duk sikur fytyra e mjegulluar, që më shikonte nga fotografia po tretej vetë në ftohtësinë e asaj dite prilli të pushkatuar nga S S-ët, atje te xhamia e tabakëve.
Dhe mbeta përsëri vetëm…

Përgatiti: ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS / PROGRAMI…