Ti mbyll derën pas e nisesh Në mesin e rrugës takon ditën Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj? Shpresën e ushqejnë me shpresë, Pastaj shpresës i vrasin shpresën. Vetëm pasqyrat ndryshojnë, Teknologjia përsosëse e tyre, Fytyrat janë po ato. Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë Diellin dhe kokrrën e aspirinës, Ke dhimbje të forta koke. E di: zembereku i zemrës sime Eshtë pluhurosur , – kur do të vijë Ajo, Me frymën e saj t’i fryjë, Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës. Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë Fluturon nga syri në sy Kërkon gishtin e nuses. Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej, Dhe marsi eci para meje. Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.