Në Teatrin Kombëtar të Kosovës është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të regjisores dhe producentes Vjosa Berisha, e cila ndërroi jetë para pak ditësh në një spital në Londër pas një beteje me kan cerin.
Atë e përkujtuan kolegët me të cilët bashkëpunoi, regjisorët, aktorët dhe personalitete nga jeta publike e politike e vendit tonë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kryeqyteti e ka humbur një ikonë kulturore, e cila tha se gjithmonë ka synuar të sjellë pozitivitet e dashuri në secilën punë.
“Janë të mangëta fjalët për me ua lehtësu dhimbjen për humbjen e parakohshme nënës, motrës e shoqes sonë të dashur Vjosa. Ju e humbët njeriun me të dashur e ne e humbën një ikonë, një prezencë të pazëvendësueshme, një lider në fushën e artit e kinematografisë. Vjosa ka lënë gjurmë të thella e shumë të rëndësishme në jetën kulturore të kryeqytetit”, tha Rama, transmeton ‘ekonomia online’.
“Gjithmonë ka synuar në të mirë e përherë ka dhënë energji pozitive e dashuri në secilën punë. Edhe pse në betejë për jetën kurrë nuk u ndal, përkundrazi beteja me sëmundjen e sfidoj me jetu e me ja përkushtu kohën punës dhe njerëzve të dashur gjithmonë me energji pozitive. Ndoshta ky është edhe mësimi më i vyeshëm që na la”, tha Rama.
Në mungesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku, fjalë rasti mbajti këshilltarja e tij, Gentiana Pallaska. Tha se ministri Çeku ndodhet për një vizitë jashtë shtetit.
“Javën e kaluar gjithë Kosova u shokua kur mori lajmin që Vjosa ka ndërruar jetë. Nuk e kemi pritur një lajm të tillë se të paktën Vjosa nuk na ka lejuar të mendojmë, ka pasur pozitivitet, dhe komuniteti artistik e shoqëria e ka humbur një prej personaliteteve më të rëndësishme të saj”, tha ajo.
Producenti Yll Uka, bashkëpunëtor i Vjosa Berisha, tha se puna e saj për industrinë e filmit do të jenë përherë trashëgimi e artit kosovar.
“Është moment shumë pikëllues mbledhja këtu për t’u përshëndetur për herë të fundit me Vjosa Berishën e cila i dha aq shumë artit, kulturës, filmit dhe jo vetëm. Është i dhimbshëm fakti që nuk do ta kemi Vjosën fizikisht në mesin tonë por gjithmonë do ta kujtojmë me krenari. Puna e palodhshme që Vjosa bëri për komunitetin artistik, fillimet e saj në industrinë e filmit e shumë vepra të tjera do të jenë përherë trashëgimi e artit kosovar”, tha ajo.
Para të pranishmëve, foli edhe bashkëshorti i Vjosës, Fatosi. Ai falënderoi institucionet vendëse, kolegët e saj e shumë miq, të cilët i qëndruan afër deri në momentin e fundit të jetës së saj.
“Të gjithë ne e kemi njohur shpirtin e saj luftarak, ajo nuk është dorëzuar asnjëherë, as para kësaj sfide. Mos të kishin qenë sfidat, Vjosa s’kish qenë e tillë. Të gjitha sfidat i ka tejkaluar ndoshta përveç kësaj. Ajo e ka sfiduar edhe tejkaluar edhe këtë me faktin që i ka dhënë mbështetje njerëzve me sëmundjen e kan cerit, sidomos vajzave e grave që i kanë shkruar e i thoshin që ju ka dhënë inspirim, e ju ka dhënë vullnet që ta luftojnë”, tha Berisha, teksa njoftoi se e pamja për Vjosën mbahet nga nesër./EO
LEXO EDHE:
NDËRRON JETË PRODUCENTJA E NJOHUR, VJOSA BERISHA
ObserverKult