Fatos Kongoli: Kujtimi i veçantë i një mbrëmjeje vallëzimi në teatër dhe takimi me Kadarenë

“Kam kaluar një mbrëmje të Vitit të ri në teatër. Festa ishte organizuar nga Lidhja e shkrimtarëve në aneksin e Teatrit Kombëtar. Në mos gaboj ka qenë viti 1964 dhe sapo isha kthyer nga Kina. Kam kërcyer gjithë natën dhe kam pasur kënaqësinë që më ka mbetur në mendje, të takoja për herë të parë Ismail Kadarenë. Sapo kishte botuar librin “Shekulli im” dhe për mua ai ishte një libër jastëku, e mbaja dhe e lexoja vazhdimisht”.

Fatos Kongoli vjen në një intervistë të gjatë për kujtimet, librat, mëkatet, pengjet dhe disa këshilla ndërsa sapo ka botuar në italisht romanin “Gënjeshtarë të vegjël”, libri i parë pas sëmundjes kur ai tha se “shkova deri te porta e Shën Pjetrit, por më thanë nuk ka ardhur koha”.

Në një bisedë të gjatë për “News24”, Kongoli thotë se folja në urdhërore për shqiptarët është “të duash”. Duke iu referuar braktisjes së vendit nga të rinjtë Kongoli pohon se “të duash është të mundesh” duke nënkuptuar se nëse e do vendin mundesh ta bësh atë.

Kujtimet e largëta të Kinës, ndikimi që pati Kina në botëkuptimin e të riut që deri atëherë besonte pa kuptuar çfarë po ndodhte, përbëjnë fillesën e një udhëtimi ndryshe. Duke u ndalur te mëkatet e falshme dhe të pafalshme ai flet sërish për “mea culpan” e vet. Flet për nevojën që ka shoqëria për kujtesën. Raporti me bashkëshorten mbetet kyç, raporti me letërsinë gjithaq. Por në intervistë ai zbulon detaje të jetës së tij, mes nostalgjisë dhe dëshirës për ta parë veten në pasqyrë./balkanweb.com

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

FATOS KONGOLI: VJEN NJË DITË KUR NJERIUT I DUKET SE I KA LARË HESAPET ME BOTËN…

Vjen një ditë kur njeriut i duket se i ka larë hesapet me botën, i është mbyllur cikli dhe nuk ka më kuptim të ripërtypë të kalurën. Për më tepër kur në jetën e tij nuk ka diçka që do t’u vlente të tjerëve. Atëherë ç’kërkon, do të pyesni ju.
Asgjë. Thjesht një konfesion.
Para dy muajsh, miku im Dorian Kamberi, inxhinier mekanik, baba i dy fëmijëve, një mëngjes ia hipi transoqeanikut «Partizani» dhe kapërceu…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult