“Fatos Kongoli, mos t’u venittë kurrë fantazia dhe dëshira për të krijuar”

78 vjetori i Fatos Kongolit

Shkrimtari dhe akademiku Fatos Kongoli festoi 78-vjetorin e lindjes.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e uroi në ditën e lindjes shkrimtarin Kongoli.

“Gëzuar ditëlindjen Fatos Kongoli! Mos t’u venittë kurrë fantazia dhe dëshira për të krijuar! Jemi gjithnjë në pritje të një vepre të re”, thekson Margariti.

Fatos Kongoli lindi në Elbasan më 1944. Studimet e larta për matematikë i nisi në Universitetin e Pekinit dhe i përfundoi në Universitetin e Tiranës (1967). Ka punuar për një kohë si gazetar dhe më pas si redaktor në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Filloi të botonte tregime e novela në shtypin letrar nga fundi i ’60.

Deri në vitin 1990 ka botuar vëllimet me tregime “Shqetësime të ngjashme” (1972), “Tregime” (1978), “Të fejuarit” (1982), si dhe romanet “Ne të tre” (1985), “Karuseli” (1990). Në tregimet dhe novelat e tij të para F.K. përzgjedh “jetët e vogla” njerëzore, duke paraqitur bashkë virtyte dhe cene të individualiteteve të botës shqiptare. Prej vitit 1990 priret nga romani: “I humburi” (1992), “Kufoma” (1994), “Dragoi i fildishtë” (1999), “Ëndrra e Damokleut” (2001), “Lëkura e qenit” (2003, fitues i çmimit “Pena e artë”), “Te porta e Shën Pjetrit” (2005), “Jetë në një kuti shkrepësesh” (2007), “Bolero në vilën e pleqve” (2009). “Iluzione në sirtar” (2010), “Si-do-re-la” (2011), “Njeriu me fat” (2013), “Gjemia e mbytur” (2015) etj.

Fatos Kongoli ka fituar tri herë çmimin “Pena e argjendtë” për librin më të mirë në prozë (1995, 2000, 2002), si dhe çmime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit” (2010) nga Presidenti i Francës dhe “Mjeshtër i madh” (2012) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. /ATSH

_____________________

Lexo edhe:

FATOS KONGOLI: MOS U LODH TË GJESH SE KU JAM…

Mos u lodh të gjesh se ku jam, tha Dori. Dihet jam në botën tjetër. Të gjithë kemi vajtur në botën tjetër.
        Trupi m’u përqeth. Ndjeva derën që kërciti dhe kokën e nënës që u shfaq aty. Eja, i thashë, po të…

Shkrimin e plotë e gjeni KËTU.

ObserverKult