Nga Fatos Lubonja
Kasëm Trebeshina i përket asaj kategorie intelektualësh – fatkeqësisht në numër të vogël në botën shqiptare, – që, kur kuptoi natyrën e regjimit për të cilin kishte luftuar, u tërhoq dhe iu kundërvu atij. I kishte të gjitha mundësitë të bënte atë që bëri shumica: të konformohej duke u vënë në shërbim të atij regjimi.
Por, një cilësi e karakterit dhe pasioni për letërsinë e vërtetë nuk e la ta bënte këtë zgjedhje. Ndoqi zërin e ndërgjegjes së tij, vazhdoi t’i shikojë yjet edhe pse i detyruar të jetojë në batak, me pasojat që dihen: burgun e gjatë dhe izolimin nga shoqëria.
Si i tillë, pas viteve ’90, ai do të duhej të kishte qenë ndër njerëzit e respektuar më së shumti, sepse, siç e thashë, këta janë të rrallë – dhe për të tillë njerëz ka aq shumë nevojë çdo shoqëri, por më së shumti shoqëria shqiptare.
Por kjo nuk ndodhi pasi kultura jonë mbizotëruese solli edhe një herë në pushtet ata njerëz që nuk kishin bërë zgjedhjen e Kasëmit në kohën e diktaturës, por zgjedhjen e vënies në shërbim për përfitime dhe karrierë.
Figura e tij shqetësonte shumë ndërgjegje të asaj elite. Ajo ishte një pasqyrë që konvenonte më mirë të thyhej. Ja pse Kasëmi u izolua dhe u vetizolua, edhe njëherë. Ai vazhdoi ta ndjekë zërin e ndërgjegjes së tij e të shikojë yjet larg nga bataku.
Mund të kritikohet se përse nuk luftoi? Ndoshta. Por edhe me tërheqjen e tij nga shëmtimi i ri që po ndërtojmë flet shumë për ata që duan të shikojnë e të dëgjojnë.
Kujtimi i tij duhet të ruhet si model. Kjo nëse duam ta sfidojmë atë kulturë mbizotëruese tek ne, që na bën të respektojmë mujsharin dhe jo të diturin, hileqarin dhe jo të ndershmin, servilin dhe jo krenarin, gënjeshtarin dhe jo të sinqertin.
Po qe se ia arrijmë atëherë ky kujtim do të rritet me kohën. Po qe se vazhdojmë të mbetemi në batak Kasëmi do të vazhdojë të na përbuzë nga lartësia e yjeve ku e ngriti vendosmëria për të mos e shkitur shikimin prej tyre.
Lexo edhe: KUR FATOS LUBONJA VUANTE DËNIMIN NË SPAÇ: KAMPET TUAJA NUK TË RIEDUKOJNË
Nga Kastriot Dervishi
Fatos Lubonja vuante dënimin për agjitacion e propagandë qysh nga data 25.7.1974. Ai u arrestua më 23.2.1979 së bashku me të dënuar të tjerë që vuanin dënimin në kampin e Spaçit. Ai u fut në “grupin” e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Leshos. Cilësohej “pjesëmarrës në organizatën antisocialiste dhe antidemokratike”.
Fillimisht iu komunikua akuza bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Dhe më pas iu shtua edhe ajo e nenit 57 të këtij kodi. Njohjen me akuzat Lubonja nuk e ka nënshkruar, duke mbajtur deri në fund një qëndrim për t’u admiruar. Në përfundim ai u dënua me 16 vjet burgim.
Pjesë të zgjedhura nga hetuesia ndaj Fatos Lubonjës
23.2.1979, hetuesi Aleko Beta
Pyetje: I pandehuri Fatos Lubonja, akuzoheni se keni kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës. Duke agjituar e propaganduar në kohë e vende të ndryshme. Si dhe me persona të ndryshëm për të minuar, dobësuar e rrëzuar pushtetin popullor. Ç’keni për të thënë rreth akuzës së ju bëhet?
Përgjigje: Unë akuzën që më bëhet e dëgjova dhe rreth kësaj akuze kam për të thënë se kjo është krejtësisht false. Nuk është e vërtetë që të kem propaganduar dhe agjituar kundër pushtetit popullor.
27.2.1979, hetuesi Shyqyri Duro
Pyetje: Jepni shpjegime i pandehuri rreth akuzës që ju bëhet.
Përgjigje: Unë nuk e pranoj akuzën që më bëhet për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe nuk di të jap shpjegime rreth kësaj akuze që bë bëhet. Unë në kamp ku vuajta dënimin i kisha vënë vetes për detyrë që të qëndroja mirë. Të mos gaboja, por shpifjet e njerëzve të ndryshëm mua më sollën këtu përsëri.
4.3.1979, hetuesi Shyqyri Duro
Pyetje: Po mirë, ne të konsiderojmë si armik sepse ti me veprimet e tua ke kryer…
Leximin e plotë mund ta bëni KËTU.