Federico Garcia Lorca: Qytet pa gjumë

Nuk flen askush nëpër qiell. Askush, askush.
Nuk flen askush.
Krijesat e hanës luejnë dhe rrethojnë shtëpizat e tyne.
Kanë me ardhë iguanat e gjalla për me kafshue njerëzit që nuk andrrojnë
dhe ai që ikën me zemrën e thyeme ka me gjetë
nëpër qoshe
krokodilin e pabesueshëm të qetë nën tokë –
protestë yjesh.

Nuk flen askush nëpër botë. Askush, askush.
Nuk flen askush.
Asht nji i vdekun në vorrezën ma të largët
që ankohet tash tre vjet
sepse ka nji peizazh të thamë në gju;
dhe fëmija që vorrosën kët’ mëngjes qante shumë,
saqë u ba e nevojshme me i thirrë qentë që me pushue.

Nuk asht andërr jeta. Zgjohu! Zgjohu! Zgjohu!
Biem për shkallësh për me hangër dhé të lagësht
ose ngjitemi në fijen e borës me korin e dailave të vdekuna.

Por nuk ka harresë, as gjumë:
mish i gjallë. Puthjet lidhin gojët,
në nji mëngjes venash të freskëta
dhe atij që i dhemb dhimbja e vet ka me i dhimbtë pa pushim.

Nji ditë
kuajt kanë me jetue në taverna
dhe mizat e pelave
kanë me i sulmue qiejt e verdhë që strehohen
në sytë e lopëve.

Nji ditë tjetër
kem’ me pa ringjalljen e luleve të balsamosuna
e, edhe pse tue kalue nëpër nji peizazh koralesh
të përhime dhe varka memece
kem’ me pa tue shkëlqy unazën tonë e tue çelë lulet prej gjuhës sonë.

Zgjohu! Zgjohu! Zgjohu!
Ata që ende shohin gjurmë putrash dhe rrebeshe,
apo ai djaloshi që qan se nuk e din që është shpikë ura
ose ai i vdekun që tash nuk ka gja tjetër veç kryet dhe nji këpucë,
duhet me i çue tek muri ku iguanat dhe gjarpërinjtë presin,
aty ku pret ura e dhambëve të ariut,
aty ku pret dora e mumizueme e fëmijës
dhe lëkura e kamelos rrënqethet me një të ftohtë të egër blu.

Nuk flen askush nëpër qiell. Askush, askush.
Nuk flen askush.
Por nëse dikush i mbyll sytë,
do kamxhikoseni bijtë e mi, do kamxhikoseni!

Ka nji panoramë sysh të hapun
dhe plagë të hidhuna të ndezuna.

Nuk flen askush nëpër botë. Askush, askush.
Tash e kam thanë.
Nuk flen askush.
Por nëse dikush ka nëpër natë tepri myshku në tëmtha,
hap zavrakun për me pa poshtë hanës
kupat false, helmin dhe kafkën e teatrove.

Shqipëroi: Manjola Brahaj