Nga Federiko Garcia Lorka
Të dashur miq,
Pak kohë më parë i bëra një premtim vetes për të refuzuar të gjitha llojet e nderimeve , çmimeve apo mbledhive që i bëhen personit tim modest; së pari, për të kuptuar se secili prej tyre vendos një tullë mbi varrin tonë letrar dhe së dyti, sepse kam parë që nuk ka asgjë më të mjerë se një diskurs i ftohtë për nderin tonë dhe asgjë më të trishtë se zhurma e organizuar e duartrokitjeve, madje edhe kur janë për një qëllim të mirë.
Gjithashtu, ky është një sekret, besoj se mbledhitë dhe çmimet sjellin fat të keq, fat të keq për njeriun që i merr; fati i keq që vjen nga qëndrimi i miqve që mendojnë: “i dolëm hakut këtij ”.
Në të tilla bankete mblidhen njerëzit profesionistë nga janë e nga s’janë, çift apo tek qofshin, me të cilët kemi ngrënë nga e njejta gjellë , por që na duan më pak në jetë.
Për poetët dhe dramaturgët, në vend të nderimeve, do të organizoja qortime dhe fletërrufe në të cilat do thosha me guxim dhe me kurajë të vërtetë: “Hë, pse nuk ua mba ta bëni këtë?”, “Pse nuk jeni në gjendje të jepni angështinë e detit të një personazhi?” “Pse nuk guxoni të tregoni dëshpërimin e ushtarëve, armiq të luftës?”. Kërkimi dhe lufta, janë sfondi i një dashurie të ashpër, kalitin shpirtin e artistit, i cili bëhet i butë dhe shkatërron me lajkatimin e lehtë.
Teatrot janë plot me trumbetime mashtruese të kurorëzuara me trëndafila serë, dhe publiku është i kënaqur dhe duartroket duke parë zemrat e tallashit dhe dialogëve në majë të gishtave; por poeti dramatik nuk duhet të harrojë nëse dëshiron të shpëtojë nga harresa fushat me trëndafila, të lagura nga agimi, ku vuajnë bujqit dhe as atë pëllumb të plagosur nga një gjahtar misterioz që vdes ndër kallamishte pa e dëgjuar njeri rënkimin e tij.
Duke ikur nga trumbetimet, urimet dhe zërat fals, nuk kam pranuar asnjë nderim për premierën e tekstit ‘’Jerma’’; por gëzimi më i madh në jetën time të shkurtër si autor qe, kur mësova se familja teatrore madrilene i kërkoi të madhes Margarita Xirgu, një aktore me histori artistike të përsosur, një yll i teatrit spanjoll dhe një krijuese e admirueshme e rolit, me kompaninë e tyre të shkëlqyer, një shfaqje të veçantë për ta parë atë.
Prandaj, kjo do të thotë kurioziteti dhe vëmendja për një mund të jashtëzakonshëm teatror, tani që jemi ribashkuar, i japin falenderimet më të merituara, më të vërteta për të gjithë.
Nuk flas sonte si autor apo poet, apo si student i thjeshtë i panoramës së pasur të jetës njerëzore, por si një adhurues i flaktë i teatrit si veprimtari e jetës njerëzore. Teatri është një nga instrumentet më shprehëse dhe më të dobishme për ndërtimin e një vendi dhe barometri që shënon madhështinë apo rënien e tij. Një teatër i ndjeshëm dhe i orientuar mirë në të gjitha degët e tij, nga tragjedia në vodëvilë, mund të ndryshojë ndjeshmërinë e njerëzve në pak vite; dhe një teatër i shkatërruar ku thundrat zënë vendin e krahëve, mund ta bëjë një komb të tërë të shurdhër dhe memec.
Teatri është një shkollë lotësh e të qeshurash dhe një arenë e lirë ku njerëzit mund të shfaqin moralin e vjetër ose të gabuar dhe të shpjegojnë me shembuj të gjallë ligjet e përjetshme të zemrës dhe të ndjenjave të njeriut.
Një popull që nuk ndihmon dhe nuk promovon teatrin e tij, nëse nuk ka vdekur, është në grahmat e fundit; ashtu si teatri që nuk mbledh me të qeshura apo me lot rrahjet e zemrës shoqërore, rrahjet historike, dramën e popullit të tij dhe ngjyrën e mirëfilltë të peizazhit dhe shpirtit të tij, nuk ka të drejtë të quhet teatër, por një shesh shakashë, ose një vend për të bërë atë gjënë e tmerrshme të quajtur “të vrasësh kohën”.
Nuk i referohem askujt dhe as nuk dua të lëndoj dikë; nuk po flas për realitetin e gjallë, por për një problem te shtruar ngaherë që nuk po gjen zgjidhje.
Dëgjoj çdo ditë, miqtë e mi të dashur si flasin për krizën e teatrit dhe gjithmonë mendoj se e keqja nuk është para syve tanë, por në humnerën e thelbit të saj; nuk është një sëmundje e tanishme e luleve, domethënë e punës që duket , por e rrënjëve të thella, thënë troç, është një sëmundje e organizimit. Për sa kohë që aktorët dhe autorët janë në duart e kompanive komerciale, të lira dhe pa asnjë lloj kontrolli letrar apo shtetëror, kompanitë pa asnjë kriter dhe pa asnjë lloj garancie, aktorët, autorët dhe i gjithë teatri do të zhyten çdo ditë e më thellë , pa shpresa për shpëtim.
Teatri i lezetshëm i revistave, vodëvilëve dhe strip-komedisë, zhanre të të cilave jam spektator amator, them se mund të mbronin dhe madje të shpëtonin veten; por teatri në vargje, zhanri historik dhe e ashtuquajtura zarzuela hispanike do të pësojnë më shumë pengesa çdo ditë, sepse janë zhanre që kërkojnë shumë dhe ku përshtaten risitë e vërteta dhe nuk ka autoritet apo frymë sakrifice për t’i imponuar ato; një audiencë që duhet të jetë e zbutur me epërsi dhe ta kundërshtojë e ta sulmojë atë në shumë raste.
Teatri duhet t’i imponohet publikut dhe jo publiku teatrit. Për këtë, autorët dhe aktorët duhet të vishen detyrimisht me një autoritet të madh, sepse publiku i teatrit është si fëmijët në shkolla: ata adhurojnë mësuesin serioz dhe të rreptë që kërkon dhe ndan drejtësi dhe mbush ulëset e teatrit me hala e gjilpëra mizore aty ku ulen mësuesit e ndrojtur dhe lajkatarë, të cilët as nuk japin mësim dhe as nuk të lënë tu japësh mësim.
Publiku mund të mësohet, është e qartë se them publiku dhe jo njerëzit; mund të mësohet sepse kam parë Debussyn dhe Ravelin të shkelmohen bythëve vite më parë, dhe më vonë kam marrë pjesë në ovacionet e zhurmshme që një audiencë popullore u dha veprave të refuzuara të po këtyre. Këta autorë u imponuan nga një kriter i lartë autoriteti, më i lartë se ai i publikut të zakonshëm, si ai i Vedekingut në Gjermani dhe Pirandellos në Itali, e shumë të tjerë.
Është e nevojshme që kjo të bëhet për të mirën e teatrit dhe për lavdinë dhe hierarkinë e interpretuesve të saj. Duhet të mbani qëndrime dinjitoze, me sigurinë se do të shpërbleheni shumë. E kundërta është të dridhesh nga frika në prapaskenë dhe të vrasësh fantazitë, imagjinatën dhe hirin e teatrit, i cili është gjithmonë, ama gjithmonë një ART dhe do të jetë gjithmonë një art i epërm, megjithëse ka qenë një kohë kur art quhej gjithçka që pëlqente publiku, ulte atmosferën, shkatërronte poezinë dhe e kthente skenën në një port piratësh.
Arti mbi të gjitha. Arti fisnik. Dhe ju, të dashur aktorë, artistë mbi të gjitha. Artistë nga koka te këmbët, pasi për dashurinë dhe profesionin jeni ngritur mbi botën e rreme dhe të mundimshme të skenës. Artistë nga profesioni dhe hallet. Duke nisur nga teatri më modest, deri tek ai më pompozi , fjala “Art” duhet të shkruhet në çdo cep teatri dhe çdo dhomë të zhveshjes, sepse ndryshe do të na duhet të vendosim fjalën “komercializëm ” apo ndonjë fjalë tjetër që nuk ma le ndera ta them.
Dhe hierarki, disiplinë dhe sakrificë, dashuri.
Nuk dua t’ju jap një mësim, sepse jam në gjendje t’i marr ato mbrapsht.
Fjalët e mia diktohen nga entuziazmi dhe bindja. Unë nuk jam në huti. Kam menduar shumë dhe me ftohtësi them atë që mendoj dhe si andaluzian i mirë e kam sekretin e ftohtësisë, sepse kam gjak të lashtë në vena. E di që e vërteta nuk i përket atij që thotë “sot, sot, sot” duke ngrënë bukën pranë zjarrit, por atij që shikon me qetësi në distancë dritën e parë në agimin e fushës.
E di, që nuk ka të drejtë ai që thotë: “Tani, tani, tani” me sytë ngulur në nofullat e vogla të biletave, por ai që thotë “Nesër, nesër, nesër” dhe ndjen jetën e re që niset rreth botës.
Nga spanjishtja: Xhemazije Rizvani
ObserverKult
Lexo edhe:
FEDERIKO GARSIA LORKA: MË LINI NË KËTË FUSHË, DUKE QARË
FEDERIKO GARCIA LORKA: DËGJO HESHTJEN, BIR
FEDERIKO GARCIA LORKA: SA E VËSHTIRË ËSHTË TË TË THONË “TË DUA”