Gjatë kësaj jave pritet të hapet konkursi, përmes të cilit do të plotësohen dy pozitat kryesore menaxheriale të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ajo e drejtorit gjeneral dhe e udhëheqësit artistik.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka konfirmuar për gazetën se konkursi për drejtor gjeneral të TKK-së dhe për udhëheqës artistik do të hapet në fund të kësaj jave. Më tutje ai tha se ushtruesin e detyrës të drejtorit gjeneral e kanë zgjedhur në koordinim me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit.
“Sot e kemi vendosur në koordinim me Ministrinë e Kulturës, të Rinisë e të Sportit që Feim Maliqaj të jetë ushtrues detyre i drejtorit gjeneral të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, tha Ademi, duke shtuar se fundi i kësaj jave do ta sjellë konkursin për këto dy pozita.
“Ne kemi bërë vazhdimisht kërkesë që konkursi për drejtorë të hapet. Siç na kanë bërë të ditur nga MKRS-ja, proceduralisht deri në fund të javës do të hapet konkursi për drejtor të përgjithshëm, si dhe për drejtor artistik”, ka thënë kështu Ademi.
Në anën tjetër, ushtrues detyre i udhëheqësit artistik për momentin në institucionin më të rëndësishëm teatror në vend është aktori Adrian Morina.
Ditë më parë në një intervistë për gazetën “Zëri” Morina ka thënë se programi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës edhe për vitin 2020 vazhdon të jetë në nivel. Ani pse muajin e parë të vitit ky institucion e ka nisur pa premiera. Kjo për shkak se dy projekte të planifikuara janë shtyrë si rezultat i moskryerjes së obligimeve financiare nga ana e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit.
Sopi: Nuk do të kandidoj për një mandat tjetër
Agim Sopi ka përfunduar angazhimin e tij si drejtor gjeneral i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe thotë se nuk është i interesuar edhe për një mandat tjetër. Sopi ka thënë se kurdo që të hapet konkursi i radhës ai nuk do të kandidojë.
“Me përfundimin e mandatit tim ka përfunduar edhe angazhimi im në Teatrin Kombëtar të Kosovës si drejtor. Besoj që tashmë është zgjedhur edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ndoshta do të hapet edhe konkursi së shpejti, por unë nuk e kam ndërmend të aplikoj sërish”, tha Sopi.
Agim Sopi ishte zgjedhur drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës në vitin 2015. Mirëpo Sopi ishte shkarkuar më 27 mars të vitit 2018 nga Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Asokohe Sopi pati deklaruar për gazetën “Zëri” se shkarkimin e tij e sheh si një ndërhyrje politike. Megjithatë, në shtator të po atij viti Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës konstatoi se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës e ka shkarkuar Agim Sopin pa kurrfarë baze ligjore.
Kësisoj, përmes një vendimi, të cilin vetëm gjykata mund ta hidhte poshtë, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka obliguar MKRS-në, si dhe Këshillin Drejtues të TKK-së ta kthejnë regjisorin Sopi në punë për pjesën e mbetur të mandatit, të cilin ai edhe e çoi deri në fund.
Regjisori që refuzoi pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së
Ndonëse kishte aplikuar vetë në konkursin e Ministrisë së Kulturës, të Rinisë e të Sportit për drejtor artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës muaj më parë, regjisori Fatos Berisha në tetor të vitit të kaluar ka vendosur të mos e pranojë këtë detyrë, të cilën ende s’e kishte marrë zyrtarisht.
Regjisori Berisha ishte zgjedhur drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës më 21 qershor 2019 nga Këshilli Drejtues i TKK-së, në bazë të konkursit të datës 22 maj 2019.
Në njoftimin e asaj dite nga Këshilli Drejtues i TKK-së thuhej se kandidati Fatos Berisha i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. /Zëri