reklamë

“Fëmijë të dritës”, një univers ku proza, poezia dhe shqipërimi ndërthuren

Nga Teuta Dhima

“Fëmijë të dritës” është një vëllim që ndërton një ekuilibër të qëllimshëm mes prozës poetike, poezisë dhe shqipërimit. Libri përmban tetë proza poetike, dhjetë poezi, një poemth në katër kohë dhe shqipërimin e poemës “Edhe njëherë për lumin ” të  Jacques Prevert.

Kjo strukturë hibride, mund ta quajmë, nuk është përgjedhur  për të qenë thjesht formale; ajo krijon një hapësirë dialogu mes zërit origjinal të autorit dhe përthithjes së një zëri tjetër poetik, përmes përkthimit.

Që në titull, libri ofron një “portë hyrëse” në universin e vet. “Fëmijë të dritës” nuk vjen vetëm si  një metaforë estetike, por një çelës leximi: drita si motiv themelor që përshkon si prozën, ashtu edhe poezinë. Përfshirja e shqipërimit brenda të njëjtit vëllim e zgjeron këtë hapësirë, duke krijuar një lloj bashkëautorësie, sepse çdo përkthim është, në thelb, një rikrijim.

Proza poetike: midis rrëfimit dhe vizionit

Proza poetike në këtë vëllim qëndron në një ekuilibër të kujdesshëm mes rrëfimit dhe figuracionit. Autori ruan elementin e rrëfimit përmes pranisë së personazheve, por pa i zhvilluar ata në mënyrë klasike; ata shfaqen, ndezin një situatë dhe zhduken, ndërsa pesha kalon te përshkrimi dhe atmosfera.

Te “Loti i motrës dhe varka”, një imazh i thjeshtë, rrëshqitja e një loti, transformohet në një skenë simbolike ku një foshnjë lëshon një varkë prej letre. Dy figurat e korbit dhe pëllumbit e thellojnë këtë skenë drejt një leximi dualist: errësirë dhe paqe, fat dhe shpresë. Në “Pushtimi nga retë”, metafora e malit që mbin në mes të detit krijon një përmbysje të rendit natyror, duke e zhvendosur tekstin drejt një dimensioni surreal.

Motivi i “dorës ajrore”, që shndërrohet në “dorë shpëtimtare”, është ndër figurat më të fuqishme të librit. Ai lidhet qartë me një përvojë kolektive traumatike, (tërmetin e vitit 2019 në Durrës) por nuk trajtohet në mënyrë dokumentare; përkundrazi, përthithet në një figurë metafizike që ngre pyetje: “A mos po zë fill Zbulesa?”. Shkrimi me gërmë të madhe i “ZBULESËS” nuk është rastësor; ai sinjalizon një kalim nga përvoja individuale në një kohë universale, pothuaj profetike.

Marrëdhënia prind – krijesë dhe dimensioni i mrekullisë

Një nga fijet tematike më të qëndrueshme është marrëdhënia prind – krijesë, e trajtuar si tek njerëzit, ashtu edhe në botën e kafshëve. Në episodin e ketrave, “dora e padukshme” që i shpëton krijon një hapësirë interpretimi ku imagjinata e prindërve lëviz mes mitologjisë dhe besimit: shpëtimtari mund të jetë hero, zot apo i dërguar.

Kjo paqartësi është thelbësore: autori nuk jep përgjigje, por ndërton një botë ku mrekullia mbetet e mundshme. Pyetja “Mos qe ëndërr kjo që sapo pamë?” funksionon si kufi mes reales dhe imagjinares, një kufi që ky libër e shkel vazhdimisht.

Në “Lehona dhe albatrosi”, një nga prozat më të realizuara, emocionaliteti arrin kulmin. Figura e lehonës, e krahasuar me një sorkadhe të plagosur, ndërton një ndjeshmëri të thellë, ndërsa albatrosi, simbol i lirisë dhe mbrojtjes, sjell një dimension të butë, pothuaj mitik. Djepi me pupla që mund të fluturojë është një figurë që sintetizon ankthin dhe dëshirën prindërore për mbrojtje absolute ndaj krijesës.

Poezia: një zë më i ndjeshëm dhe një dritë më e brendshme

Në pjesën poetike, vihet re një zhvendosje nga tensioni drejt një lloj “zbutjeje” të zërit. Poezitë nuk janë të shumta, por krijojnë një panoramë të qartë të zhvillimit të autorit. Drita këtu nuk është vetëm motiv estetik, por një gjendje e brendshme që buron nga shpirti.

Gjuha figurative mbetet e fuqishme, shpesh tronditëse: zemra që thyhet “si një glob i kuq”, apo dritat e qytetit që depërtojnë “si shigjeta në retinë”. Këto imazhe nuk janë dekorative; ato ndërtojnë një perceptim intensiv të realitetit.

Tematikat kryesore: jeta, dashuria, vdekja, trajtohen në mënyrë të ndërthurur. Në poemthin “Netë lakuriqe”, përmbyllja me ton testamentar (“Nëse cofi, varromni thellë…”) e sjell tekstin në një përballje të drejtpërdrejtë me fundin e jetës. Megjithatë, edhe këtu, drita mbetet referencë përfundimtare: dëshira për një “dritë në amshim”.

Shqipërimi si rikrijim

Përfshirja e shqipërimit të një poeme të Jacques Prevert ngre një çështje të rëndësishme: a mund të përkthehet poezia pa humbur thelbin e saj? Skepticizmi ndaj përkthimit është i justifikuar pasi poezia është thellësisht e lidhur me gjuhën, por në këtë rast, rezultati është bindës.

Autori arrin të ruajë frymën e origjinalit, duke i shtuar një shtresë të vetën stilistike. Shqipërimi nuk është një kopje, por një version i ri që mban gjurmën e përkthyesit-poet. Përvoja e leximit krijon një efekt të gjallë vizual: hapësira e Senës, figurat urbane, lëvizja e jetës, të gjitha vijnë të përpunuara në një shqipe të pasur dhe të zgjedhur.

“Fëmijë të dritës” funksionon si një sistem i integruar tekstesh, ku proza poetike, poezia dhe shqipërimi komunikojnë mes tyre. Boshti i tij është drita, si metaforë, si ndjesi dhe si dëshirë dhe vjen si një libër që nuk mbështetet te ngjarja; ai mbështetet te përfytyrimi, te gjendja dhe te fuqia e gjuhës për të krijuar realitete alternative. Pikërisht këtu qëndron vlera e tij: në aftësinë për të zhvendosur lexuesin nga realja drejt një dimensioni të brendshëm, ku kuptimi nuk jepet, por zbulohet. Gjithmonë e kam vlerësuar shumëdimensionalitetin e profilit krijues të autorit Enton Bido  dhe mënyrën si lundron me natyrshmëri mes poezisë, prozës poetike, prozës së gjatë, përkthimit dhe kritikës letrare. Kjo lëvizje mes gjinive nuk vjen rastësisht, por si shenjë e një raporti të vazhdueshëm dhe pasionant me letërsinë. Përgëzime Enton!

ObserverKult