Fernando Pessoa: Shi

Fernando Pessoa:

Nga Fernando Pessoa

Ma në fund – me kujtesë e shoh – përsipër terrimit të pullazeve vizëlluese, drita e ftohtë e mjezit të vokët po feks si shtërzim i Apokalipsit. Qe, prap nata e pamatë e kthjellimit që po shtohet. Qe, prap tmerri i përhertë – dita, jeta, dobitë e trillueme, veprimet pa kuptim. Qe prap vetja ime fizike, e dukshme, shoqnore, e përçueshme përmes fjalësh që s’thonë kurrnjigja, e shfrytëzueshme prej gjestesh të të tjerëve e vetëdijesh të tyne. Qe prap unë, bash siç nuk jam. Me futjen e dritës së errësinës që i mbush me ndërdyshje të hinta plasat e kanateve të dritares – as së afërmi hermetike, mor Zot! – nis e ndjej se nuk do të mundem me mbetë ma nën strehën e të qenit shtritë, pa fjetë por tue mundë me fjetë, e tue andërrue, pa ia ditë a ka të vërtetë a njimendësi, ndërmjet ngrohtësisë së freskët të çarçafëve të pastër dhe mosdijes se kam kund trup, përveçse prej rahatisë. Nis ndjej tek më ik pavetëdija e lume me të cilën e shijoj vetëdijen, kotja prej kafshe me të cilën, si mes qepallash mace në diell, ia përgjoj lëvizjet logjikës së imagjinatës sime të shpengueme. Nis ndjej tek më zhduken privilegjet e errësinës, dhe lumejtë e ngeshëm përposht pemëve të qerpikëve të pikasun, dhe shushurima e ujëvarave të humbuna mes vrushkujve gjaku të ngadaltë ndër vesh si dhe reshjes së lehtë të shiut. Nis e humbem derisa bahem gjallë.
Nuk di në po flej, a veç po ndjej se flej. Nuk asht se andërroj sak, por hetoj, as me pasë zanë me u zgjue prej nji gjumi të pafjetun, të parat zhurma të jetës së qytetit, tek ngjiten, porsi vërshim, nga vendi i vagët andej poshtë, ku ndodhen rrugët që Zoti i ka ba. Janë tinguj gazmorë, tendosë nga trishtimi i shiut që bjen, o, mbase, që binte – se tash nuk po e ndiej. Vërej veç përhitjen e teprueme që ia jep dritës kur depërton mes plasave në hijet e kthjelltësisë tejet të zbehtë për këtë orë të nadjes, që as nuk di sa asht. Janë tinguj gazmorë, të shkapërderdhun, e më thumbojnë në zemër si të më kishin ardhë me më thirrë për ndoj provim a pushkatim. Çdo ditë, po e ndieva të feksë prej shtratit ku përhumbem, më bahet dita e farë ngjarjeje të madhe të jetës me të cilën nuk do ta kem guximin as me u faque. Çdo ditë, po e ndjeva tek çohet prej shtratit të hijeve, ndërsa mbulesat i bien rrugëve e rrugicave, vjen me më thirrë për gjykim. Kam me u gjykue çdo ditë të re. E i dënuemi i përhershëm mbrenda meje i katrrithet shtratit porsikur nanës që e ka humbë, dhe miklon nënkresën a thue se dadoja do ta mbronte prej të tjerëve çuna.
Mrizimi i patrazuem i bishës së madhe përhije pemësh, kapitja e freskët e leckamanit mbi barin e gjatë, plogështia e zezakut mbasdites së ngrohtë e të largët, andja e gojëhapjes që randon lapat e syve, gjithçka që përkund harresën, tue pru gjumë, tue i afrue, krejt prajshëm, kanatet e dritares në shpirt, prehja e pështetjes së kresë, ledhat e paemën të të fjetunit.
Me fjetë, me qenë larg pa me e ditë, me mbetë ratë, me harrue me gjithë trupin, me gëzue lirinë e pavetëdijes, njatë strukë në liqen të harruem, amull mes gjethnajash të pemëve, në shmangun e paanë të pyllishteve.
Nji kurrgja që së jashtmi merr frymë, nji vdekje e lehtë nga e cila zgjohemi të freskët e me mall, nji nënshtrim i indeve të shpirtit ndaj ngjeshjeve të harresës.
Ah, dhe sërishmi, si protestë të rinisun të dikujt që dënue s’asht, e ndiej zhaurimën e beftë të shiut që stërpik gjithësinë e zdritueme. Ndjej nji të ftohtë deri te eshtnat me gjasë, as të kisha frikë. E i kërrusun, i pavleftë, njerëzor e fillikat në atë pak errësinë që ende më mbetet, qaj. Po, qaj, e qaj vetminë dhe jetën, e idhnimi i kotë si karrocë pa rrota më shtrihet në zgrip të njimendësisë, mes plehnave të brakstisjes. Qaj për të tana – humbjen e prehnit, vdekjen e dorës që ma jepnin, krahët që nuk kam ditë me i ngrykë, supin që kurrë dot s’e pata… E dita, që përfundimisht po zbardh, idhnimi që po më feks si e vërtetë e vrazhdë e ditës, krejt ç’kam andërrue, ç’kam mendue, ç’kam harrue – të tana këto, në nji amalgamë hijesh, trillesh e pendimesh, përzihen në vazhdën e botëve kalimtare dhe bien mes sendesh të jetës si gërdhajë e nji kalaveshi rrushi, ngranë në qoshe prej çunave që e kanë zhvatë.
Zhurma e ditës njerëzore papritmas rritet, si cingëllima e ziles që thirr. Kërcet përmbrenda shpisë mbyllja e lehtë e të parës derë që hapet për të gjallnuemit. Ndiej papuçe në nji korridor absurd që çon te zemra ime. E me nji gjest të rrëmbyet, si të atij që ma në fund vetëvritet, e flak tutje prej sipër trupit mbulojën e randë që më strehon. Jam zgjue. Zhumhuri i shiut zbehet andej nalt në jashtësinë e pafundme. Ndjehem ma mirë. Diçka që s’e di e kam përmbushë. Çohem, baj për te dritarja, hap kanatet me nji vendim fort të guximshëm. Dita me shi të kthjellët m’i mbyt sytë me dritë të zymtë. I hap edhe vetë dritaret e xhamit. Ajri i freskët ma riton lëkurën e ngrohtë. Po resh, po, por ndonëse shiu asht po ai që e ndieja, qenka dukshëm ma i rrallë! Due me u freskue, me jetue, e ia zgjas qafën jetës, si ndoj zgjedhe abstrakte të Zotit.

Përktheu: Gazmend Bërlajolli

ObserverKult

Lexo edhe:

FERNANDO PESSOA: GJITHË NATËN S’MUNDA TË FLE DOT