
Gjithë natën s’munda të fle dot
Nga horizonti i errët dhe i ftohtë vjen mëngjesi.
Pse ekzistoj në këtë botë?
Për asgjë që nata qetëson,
Për asgjë që ngjall dita e re,
Për asgjë serioze,
Për asgjë të kotë?
Syenjtur nga ethet pa kufij të pritjes
Me frikë shoh agimin e ditës,
Që përsërit të njëjtën ditë të fundit
Të botës dhe të dhimbjes
Ditë e ngjashme si gjithë të tjerat
Në familjen e përjetshme
Të të qenit përherë kështu.
S’ka vlerë simboli
I kuptimit të mëngjesit që ngadalë vjen
Ngritur nga e njëjta esencë e natës së shkuar
Për njeriun që shumë herë ka pritur diçka
E tashmë asgjë nuk pret!
Përktheu: Moikom Zeqo
ObserverKult
—————————————————————-
LEXO EDHE: FERNANDO PESSOA: PASHË QË S’KA NATYRË, NATYRA S’EKZISTON…
Një ditë do të më përvëlonte dëshira:
Të kisha punuar më shumë,
Mos ta ndërprisja të shkruarin…
Dhe ndjej
Si të qe një muzikë mes pemësh
Atë që mbase është Sekreti i Madh
A Misteri i Madh,
Për të cilin poetët shtiren se flasin.
Pashë që s’ka natyrë,
Natyra s’ekziston,
Gjenden male, lugina, lule,
Fusha, barëra,
Gjenden lumenj dhe gurë,
Por nuk ka një gjithçka
Të cilës ato t’i përkasin,
Se çdo gjë që është
Një bashkësi reale dhe e vërtetë
Është një fakt një sëmundje e ideve tona.
Natyra është shumë pjesë,
Po një bosht të vetëm
Kjo është mbase e mistershmja
Për të cilën flasim.
Ishte kjo gjë
Që pa e menduar
Dhe pa u përmbajtur një çast
E pranova që qe e vërteta!
LEXO EDHE: FERNANDO PESSOA: JO, MOS THUAJ ASGJË…
Jo, mos thuaj asgjë
Përfytyro atë
Që të thotë goja jote e mbyllur
Njësoj si të jesh duke e dëgjuar
Të ndjesh është më mire
Se sa të thuash diçka
Një gjë që s’preket
Nga frazat e nga ditët.
Ji më e mirë se ajo që je,
Mos flit asgjë,
Dëlirësia e trupit lakuriq
Dhe e padukshme shihet.