Festivalet në pandemi përballë krizës, për gjallërimin e jetës kulturore

Skena e pavarur ka kohë që është dëshmuar si ana e fuqishme e kulturës në vend. Ani pse është goditur keqas nga pandemia – edhe në kohën e mbylljes totale e së fundmi me lehtësimin e masave – megjithatë e ka mbajtur ritmin duke gjetur forma të reja.

Gjatë rizbulimit të rolit të tyre dhe formave të funksionimit, artistët prapa festivaleve kanë vënë në pah vështirësitë me të cilat po përballen, por edhe frikën e një të ardhmeje të brishtë.

Qëllimi mbetet i qartë: të mbahet gjallë skena kulturore në vend. Sipas tyre, kjo është diçka që duhet vlerësuar sidomos nga institucionet relevante që deri tash janë treguar të shurdhra përkundër thirrjeve për ndërhyrje urgjente. Festivali ndërkombëtar i muzikës në Prishtinë, “ReMusica”, ai i letërsisë “Polip”, i artit në hapësira publike “HAPU” që sivjet u bë “Hapudemi” – janë vetëm disa prej aktiviteteve që gjatë shtatorit u sfiduan duke “formatizuar” edicionet tradicionale.

Në versione krejt të tjera erdhën gjatë gushtit Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren dhe Festivali ndërkombëtar i animacionit “Anibar” në Pejë. Përtej asaj që i ofruan publikut, mesazhi qe i qartë: vazhdimi i traditës si shembull i mosdorëzimit. Javën e kaluar, “EtnoFesti” solli edicion e dhjetë, përderisa në Ferizaj po mbahet Festivali ndërkombëtar i filmit “FerFilm” , që vjen me edicionin e tetë, transmeton ‘koha.net’.

U hap të premten nën qiell të hapur, pa shumë mysafirë e pa mundësinë e zakonshme që t’i ftojë shikuesit në shfaqje filmash. Një edicion sfidues, e cilësuan organizatorët. Por, cila është formula e synimi i këtyre festivaleve tek vendosën të mos heqin dorë prej edicioneve të sivjetme, përkundër rrethanave krejt të reja e krizës financiare? Midis përshtatjes dhe mungesës së përkrahjes Aurela Kadriu nga qendra “Multimedia” – derisa “Polipi” ishte në ditën e tretë të edicionit të dhjetë që u hap më 11 shtator – kishte numëruar jo pak vështirësi të funksionimit. Të përcaktuar për version online, kjo ka qenë një gjendje e re e cila do kohë për t’iu përshtatur.