Për vite më radhë, ato kishin qenë ndër festivalet më të rëndësishme që e shënjonin Kosovën në hartën e ngjarjeve kulturore në botë. Por, situata e tejzgjatur me pandeminë i ka vënë udhëheqës e producentë të këtyre festivaleve para një sprove aspak të lehtë: të anulohen edicionet e sivjetme, apo të vijojnë në formatin virtual.
Pikërisht ky “normalitet” i ri ka bërë që këto festivale t’i zgjedhin plaftormat digjitale si alternativë për ngjarjet me pjesëmarrës në hapësira fizike.
Duke i pasur në sfond sfidat për alternativat e reja të shfaqjes virtuale, “Kosova 2.0”, pasditen e së mërkurës, ka mbajtur diskutimin online “Hajde Folim: Kultura në margjina”.
Në debatin e moderuar nga Aulona Kadriu, Alba Çakalli, producente e Festivalit Ndërkombëtar të Filmave Dokumentarë dhe të Shkurtër “DokuFest”, Vjosa Berisha, drejtoreshë ekzekutive e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “PriFest” si dhe Arba Hatashi, drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit “Anibar”, kanë rrëfyer përvojat e tyre gjatë situatës së me pandeminë e koronavirusit.
Producentja e “DokuFestit”, Alba Çakalli, ka thënë se përgatitjet për edicionin e radhës të festivalit i kishin nisur qysh vitin e kaluar. Pas situatës së re të pandemisë, ekipi menaxherial, sipas saj, kishte vendosur që edicioni i sivjetmë të mos anulohej.
“Ekipi seleksionues vendosi të bëjë përzgjedhjen e filmave, por duke e përgjysmuar numrin e tyre nga një program prej dyqind sosh sa ishin paraparë”, ka treguar Çakalli, transmeton ‘koha.net’.
Për shkak të vendimeve të paqarta të institucioneve, ka vijuar ajo, drejtuesit e “DokuFestit” ishin përcaktuar përfundimisht që të shkohej me formatin online. Sipas saj, ky edicion është i pari që bëhet në një formë të tillë.
“Jemi mësuar që ‘DokuFesti’ të sillte të gjithë botën në Prizren, kësaj radhe do ta sjellim botën në faqen e festivalit. Sigurisht se do të na mungojë eksperienca e audiencës, performancat muzikore si dhe komponentë të tjerë”, ka thënë Çakalli.