
Festivali “Akordet e Kosovës”, një prej ngjarjeve me rëndësi në historinë e muzikës shqipe, rikthehet këtë vit nën organizimin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Për rikthimin e festivalit, historinë e tij dhe konceptin e këtij edicioni, ka folur drejtori artistik i “Akordeve të Kosovës”, kompozitori Florent Boshnjaku, në një intervistë për emisionin “Afternoon Delight” të Radio Urban FM.
Boshnjaku ka vlerësuar rikthimin e emrit dhe traditës së festivalit, duke theksuar se “Akordet e Kosovës” kanë një histori të rëndësishme që daton që nga viti 1963 dhe kanë qenë pjesë e zhvillimit të muzikës shqipe.
Ai ka kujtuar se në këtë festival ndër vite janë prezantuar artistë, kompozitorë, autorë dhe muzikantë të njohur, duke e cilësuar atë si një nga platformat e rëndësishme të skenës muzikore.
Sipas Boshnjakut, rikthimi i festivalit nga RTK-ja nuk duhet parë vetëm si rikthim i një emri historik, por edhe si krijim i një platforme të re për artistët e rinj dhe ata të afirmuar.
“Ta kesh një mundësi të tillë që e ofron Radiotelevizioni i Kosovës në këtë festival është e jashtëzakonshme. Të dalësh në skenë me një orkestër të tillë profesionale, në një televizion serioz, i cili ta jep mundësinë të promovohesh, pa dyshim është një mundësi e madhe për artistët”, ka thënë ai.
Një prej risive të këtij edicioni është edhe nata e fëmijëve, përmes së cilës synohet krijimi i hapësirës për talentet e reja dhe promovimi i muzikës për fëmijë.
Boshnjaku ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë muzikore dhe përcjelljes së saj te gjeneratat e reja, duke përmendur disa prej emrave të mëdhenj që janë lidhur me historinë e festivalit, përfshirë Nexhmije Pagarushën, Sabri Fejzullahun, Liljana Çavollin, Bashkim Buçukun dhe Adelina Ismailin.
Në intervistë është diskutuar edhe perspektiva e Kosovës në Eurovision, përkatësisht mundësia që, pas anëtarësimit të Kosovës në EBU, “Akordet e Kosovës” të shërbejnë si një prej platformave për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Kosovës në Eurovision.
Boshnjaku e ka cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për të gjithë industrinë muzikore të Kosovës, duke theksuar potencialin e artistëve vendorë dhe të diasporës.
“E shoh Eurovisionin si një mundësi të jashtëzakonshme për komplet tregun muzikor. Aty hapet një rrugë e jashtëzakonshme për krejt tregun muzikor, normalisht që i bën mirë edhe kulturës sonë edhe vendit tonë”, ka deklaruar ai.
Rikthimi i “Akordeve të Kosovës”, sipas drejtorit artistik, synon të lidhë traditën e pasur të festivalit me skenën bashkëkohore muzikore, duke krijuar mundësi të reja për artistët dhe duke ruajtur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës./rtk






