“Festivali i Filmit Arkeologjik” hap siparin, pjesëmarrës shumë vende evropiane

Një festival tejet i veçantë i filmit ka nisur dje në mbrëmje me shfaqjen e dy produksioneve të para pranë ambienteve të “COD” në lulishten pranë Kryeministrisë së Shqipërisë.

Ky festival organizohet me bashkëpunimin dhe mbështetjen e ”Institutin Italian të Kulturës” në Tiranë dhe është një festival që organizohet për herë të parë në Shqipëri.

Dy filmat e parë që janë shfaqur mbrëmë  “Rihapja e Koloseut – Koloseu në karantinë” dhe “Pellgu i Drinit, foleja e shqiponjës” tërhoqën vëmendjen e publikut.

Festivali me titull “European Archeological Film Festival”  apo në shqip si “Festivali i Filmit Arkeologjik” “Archeovision 2021” filloi ditën e djeshme për të përfunduar më datën 30 qershor.

Pjesëmarrës në këtë festival do të jenë produksione nga vende të ndryshme të Evropës si Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Është menduar dhe parashikuar gjithashtu që numri i personave që do t’i ndjekin nga afër këto projeksione, të jetë i kufizuar, pikërisht për të respektuar edhe masat parandaluese antikovid, transmeton “ATSH”.

Festivali shfaq filma të tjerë në datat 17 dhe 18 qershor, në orën 20:30. Hyrja është e lirë, deri në në plotësimin e vendeve të parashikuara nga masat parandaluese për përhapjen e Covid-19.

LEXO EDHE: Për herë të parë, mbahet në Tiranë Festivali Evropian i Filmit të Arkeologjisë