Festivali i Filmit në Kanë hap dyert për edicionin e 74-të – Kosova në garë me filmin “Pa Vend”

Festivali i Filmit në Kanë sot do të hapë dyert për edicionin e 74-të, pas më shumë se një viti të shtyrë për shkak të situatës së krijuar me COVID-19.

Në muajt e parë të pandemisë, ‘Palais des Festivals’, vendi kryesor i festivalit të filmit në jug të Francës, ishte mbushur me shtretër spitalorë teksa në fillim të këtij viti, ai shërbeu si një qendër vaksinimi.

Maskat do të jenë të detyrueshme në të gjithë zonën e festivalit, së bashku me testimin e rregullt kundër COVID-19.

Dhe drejtori i festivalit tashmë ka njoftuar se nuk do të përshëndesë askënd dhe se yjet nuk do të përqafohen me njëri-tjetrin, siç rëndom ka ndodhur.

Kosova ndërkohë sivjet është pjesë e garës për “Palmën e Artë” në festivalin prestigjioz të Kanës me filmin “Pa Vend”.

Filmi i regjisorit Samir Karahoda sjell rrëfimin e klubit të ping-pongut nga Prizreni ‘Lidhja e Prizrenit’, duke sjellë ngjarjen e situatës aktuale.

“Pa vend” po ashtu tregon përpjekjet e dy protagonistëve të udhëhequr nga trajneri i tyre që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë.

Duhet theksuar se xhirimet e këtij filmi filluan në shtator të vitit që lamë pas dhe është filmi i dytë që po e arrin këtë sukses. 

Dhe tani, pasi u shty nga maji për më vonë gjatë verës me shpresën për të pasur pandeminë nën kontroll, festivali më prestigjioz i filmit në botë po zhvillohet nga 6-17 korrik./Telegrafi