Për t’i shtuar një dimension tjetër përvojës kinematografike, festivali më i madh i filmit në Skandinavi prezantoi 20 minuta hipnozë përpara filmave të paraqitur.
“Ne e kemi ndërtuar këtë kinema hipnotike për të eksperimentuar me përvojën e filmit, për të sfiduar idetë tona se si të shikojmë një film,” tha Jonas Holmberg, drejtor i Festivalit të Filmit në Göteborg në Suedinë jugperëndimore.
Seanca e parë eksperimentale u zhvillua para vetëm disa dhjetëra njerëzve – për shkak të kufizimeve COVID-19.
Në vend të trailerave, publiku zhvilloi një seancë live me hipnotizuesin Fredrik Praesto, përpara se të shikonin “Toka e ëndrrave”, të regjisores iraniano-amerikane Shirin Neshat.
Duke qëndruar në skenë përpara një spiraleje të madhe hipnotike, Praesto filloi me ushtrime fizike – të tilla si duke u kërkuar anëtarëve të audiencës që të bashkonin duart sikur të ishin magnet dhe të mbyllnin sytë.
Pas një numërimi mbrapsht prej 20 sekondash, publiku rihapi sytë dhe filmi filloi. Pasi kreditet filluan të rrotulloheshin, pati një numërim tjetër për audiencën për të thyer hipnozën, transmeton rtklive’.
Shikuesit thanë se ndjesitë që ata përjetuan ndryshonin nga një formë hutimi në një përqendrim shumë më të fortë, raportuan vullnetarët.
“Ju shpëtoni nga të gjitha zhurmat dhe shpërqendrimet dhe të gjitha këto dhe gjithashtu me tingullin që futeni vërtet në film,” tha Jonna Blumborg, një anëtare e re e audiencës.
“Unë u përpoqa të bëja ato gjëra që ai na tha, si të ndjeja teksturat e pëlhurave, lëkurës, flokëve e kështu me radhë dhe ishte më e lehtë të fokusohesha për shkak të mjedisit, e zezë totale, vetëm ekrani i lehtë,” shtoi shoqja e saj Louise Nilsson.
Një tjetër spektator, Fredrik Sandsten, e shpjegoi atë si një “një lloj gjendjeje shpirtërore shumë e këndshme”.
Festivali i Filmit i Göteborgut e ka bërë zakon të ofrojë përvoja të pazakonta për audiencën e tij. Vitin e kaluar, për të ndjekur rregullat COVID-it, ajo ofroi një javë shfaqjeje për vetëm një person, në farin e një ishulli të shkretë pranë bregut. Një infermiere e rraskapitur nga puna gjatë pandemisë u zgjodh si shikues i vetëm.
ObserverKult
______________________
Lexo edhe:
“VERA ANDRRON DETIN” VAZHDON RRUGËTIMIN NË FESTIVALIN E FILMIT NË GÖTEBORG