Festivali i Këngës në RTK s’e bind Eurovisionin ta pranojë Kosovën

Kosova po bëhet me Festival të Këngës. Këtë javë do të nisë edicioni i parë i Festivalit të Këngës, që do të organizohet nga Transmetuesi Publik (RTK).

Nisja e një festivali kombëtar në Kosovë është bërë i mundur pas nënshkrimit të një memorandumi mes Ministrisë së Kulturës dhe RTK-së, ndërsa së fundi, nëpërmjet një konference për media nga organizatorët, janë shpalosur edhe detajet e garës muzikore, e cila pretendon ta shtyjë përpara pranimin e Kosovës në festivalin evropian të këngës “Eurovision Song Contest”.

Në garë do të jenë 18 këngë, ndërsa një juri profesionale do të zgjedhë fituesin, i cili do të marrë një trofe, që organizatorët e kanë cilësuar si “Diamanti Blu”, por përveç kësaj, për fituesin është përgatitur edhe një dhuratë e konsiderueshme, që është një medaljon në formë të shqiponjës dykrenore dhe që do të ketë 500 diamante, ka zbuluar drejtori i Festivalit, Adi Krasta, i cili pranoi se Kosova do të ketë të vështirë që vitin e ardhshëm të jetë në Eurovision.

Ai ka zbuluar edhe jurinë profesionale, e cila do të zgjedhë fituesin e Festivalit, që do të përbëhet nga Alma Bektashi, Ulla Sjöström, Alban Nimani, Adi Hila dhe Zake Prelvukaj.

Po ashtu janë prezantuar edhe tre prezantuesit, ku Besim Dina do të ndajë skenën me aktoren Edona Reshitaj dhe këngëtaren Anjeza Shahini gjatë tri netëve të Festivalit, më 26, 27 dhe 28 tetor në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë.

Festivali s’e bind EBU-në ta pranojë Kosovën në Eurovision

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka bërë përpjekje që të sigurojë pjesëmarrje në Eurovision, por deri tani tentimet e RTK-së, por edhe diplomacisë nuk ia kanë arritur qëllimin.

Kosovarët tashmë kanë nënshkruar edhe një peticion online, i cili ka mbi 11 mijë nënshkrime e që i bëhet thirrje EBU-së (Unioni i Transmetuesve Evropianë), që ta pranojë Kosovën, por duket se çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në garën e Eurovisionit është komplekse.

Drejtori i Festivalit Adi Krasta, i pyetur në konferencë për media se sa ka gjasa që kënga fituese e Festivalit të RTK-së të shkojë vitin tjetër në Eurovision për ta përfaqësuar Kosovën, ai e pranoi se kjo vështirë se do të ndodhë, pasi siç tha, çështja e Kosovës është çështje diplomatiko-teknike.

“Pyetja është e drejtë dhe legjitime, për informacionet që unë kam nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, unë nuk mendoj se Kosova do të shkojë këtë vit në Eurovision, shkuarja e Kosovës në Eurovision është çështje diplomatiko-teknike”, u përgjigj Krasta.

Ai përmendi dy rrugë që mund ta sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në garën më të madhe të muzikës në kontinent.

“Ka dy rrugë për ta çuar Kosovën në Eurovision, t’ia lësh gjithë dramën zonjës Gërvalla [Donika Gërvalla] në Ministrinë e Jashtme dhe të shkojmë në Eurovision kur diplomacia të vendosë, ose të prodhojmë një produkt siç është festivali tani dhe ta dërgosh në Eurovision dhe EBU për t’u thënë se ne si Kosovë jemi në gjendje të prodhojmë, mendoj se kjo qasja jonë është qasje realiste” shtoi Krasta në përgjigjen e tij.

“Zëri” ka pyetur edhe EBU-në për çështjen e Kosovës dhe Festivalin e RTK-së, por ata kanë refuzuar të flasin konkretisht, duke thënë se nuk ka ndryshuar asgjë në kriteret e pranimit të shteteve në EBU.

Në përgjigjet e mëhershme, për të cilat EBU-ja ka thënë që t’i referohemi, thuhet që Kosova para se të bëhet anëtare në EBU kriteret kërkojnë që paraprakisht të bëhet anëtare e ITU-së (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit), nga ku Kosova ka marrë edhe kodin telefonik +383 ose të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, ku tashmë vendi ynë është në proces të anëtarësimit.

Gjithsesi, siç ka thënë drejtori i Festivalit të Këngës, drejtues të EBU-së dhe Eurovisionit e kanë pritur me pozitivitet fillimin e këtij festivali, i cili në të ardhmen do të jetë garë shtetërore për ta përfaqësuar vendin në Eurovision.

“Drejtori i ‘Eurosong’-it dhe drejtori i EBU-së në një shkëmbim që kemi pasur kanë qenë jashtëzakonisht të lumtur që Kosova do të ketë Festivalin e vet të Këngës. Siç u shpreh njëri prej tyre, një qytet është më i bukur kur ka Festivalin e Këngës”, ka thënë Krasta.

Pavarësisht pengesave, këngëtarët nga Kosova kanë gjetur mënyra për të shkelur skenën e Eurovisionit, duke përfaqësuar shtete tjera siç ishte Rona Nishliu (2012), Lindita Halimi (2017), Gjon Muharremaj (2021), Albina & Familja Kelmendi (2023)./Zëri

ObserverKult


Lexo edhe:

NUK BËN PJESË NË EVROPË, POR PSE IZRAELI ËSHTË PJESËMARRËS NË “EUROVISION”?