
Impresion nga Festivali i monodramës “Flas shqip” organizuar nga Teatri “Zonja e Bujtinës”, Tiranë.
Nga Agron Gërguri
Teatri “Zonja e Bujtinës” është një nga ato përpjekjet me afsh shpirtror për ta shpëtuar teatrin nga kthetrat e shpjetësisë pa cak dhe ngarendjes pas vrullit të jetës me vrapin që ajo ikën nga njerëzorja dhe zvetnimin e shpërfytyrimin që jo pak e ka përfëshirë edhe Teatrin si një pasqyrë ku ne shihemi por nuk jemi aty.
Naun e Raimonda Shundi të dy aktorë duke qenë të lidhur me Teatrin si kuptim i jetës së tyre zgjodhën që një pjesë të shtëpisë n’mos gjithë shtëpinë ta bëjnë Teatër intim aty ku pikëmbështetjen tek dashuria për njëri-tjetrin e kishin konvertuar në dashuri për Teatrin si një komunikim mbi bazën e frekuencave të mirëseardhjes dhe me buzëqeshje dashamirëse e nisën dhe e bitisen edicionin e parë të Festivalit të monodramës “Flas shqip”. E gjitha u zhvillua me ndjesinë e përpjekjes për të ruajtur ate që teatri di dhe duhet të bëjë më së mirë duke afirmuar njeriun, shpirtnoren e tij, përshfaqjen e vetmisë dhe intimitetit si veçanti identitare. Këtë ndjesi dhe përjetim e gjetëm të gjithë ne që ia mësymë “Zonjës së Bujtinës” aty ku akordoheshin mirësisht e me dashuri ndjenjat dhe emocionet si shprehje e esencës së Teatrit.
Andaj them se Teatri ishte kthyer në shtëpi ngase aty ku do duhej ta ketë strehën e tij publike është duke u “renovuar” apo “ndërtuar” jo me kriteret të cilat i formulojnë artistët por me kritere administrimi të cilat i nënshtrohen tenderimeve e jo artit si nevojë e komunikimit përshpirtnor në kohën kur e tëra thuaja po stërkeqet në lakmi e mosmirënjohje, smirë e interes meskin, e çka jo që mjerisht po derdhet edhe mbi kurrizin e Teatrit?!
Me të hyr në oborrin e shtëpisë së Mondes dhe Naunit takohesh me instalacionin “një copë kujtim nga Teatri i rrënuar Kombëtar” si preambulë e hyrjes në Teatrin “Zonja e Bujtinës” . Një Teatër me 50 ulëse dhe një hapësirë të ngushtë fizike të skenës e cila rritet tek secili si dashuri përkushtuese për frymën që mbanë ai objekt duke dëshmuar se Teatri nuk është tullë, mur, llaq e gur por është ndjenjë, emocion dhe laborator ku detektohet e vërteta e cila na bënë të ndihemi ashtu siç duam apo siç na e do dëshira. Aty ku shpirti flet me vërtetësinë e cila bëhet busullë që të qonë tek tjetri për t’i dhënë kuptim jetës.
Dhe numri i vizitorëve (lexo spektatorëve) bëhet i pavlefshëm në raport me energjinë e shpirtit dhe pozitivitetin që emeton arti teatror, ku fryma bëhet vlerë dhe fuqi rrezistuese ndaj stërkeqjes, mosmirënjohjes, sypangopjes dhe të këqijave që përditë po marrinë emra mashtrues duke mos ia lënë Teatrit sikurin por duke e bërë jetën sikur!
Festivali mbështet dramaturgjinë shqiptare
Teatri “Zonja e Bujtinës” i pari i këtij lloji në Shqipëri që pikëtakohet me “Teatri i Babës” i Enver Petrovcit në Kosovë, për shtatë ditë priti shtatë shfaqje monodrama të autorëve shqiptarë që ishte edhe qëllimi themelor i organizimit të këtij festivali, mbështetja e autorëve shqiptar. Qoft si motive tematike pashtu dhe nivele artistike festivali doli i sukseshëm.
Autorët: Naun Shundi “I pakallur i vdekur”, Marin Orhanasi “Jam gjallë”, Agron Gërguri “Artisti në tavan”, Ferdinand Hysi ” Qen bir…i një qeni”, Arben Iliazi “Ferrparajsa”, Ylljet Aliçka “Letra”, Odise Plaku “Engjëjt” që shqyrtonin fate njerëzish të trajtuar në lexime regjisoriale të regjisorëve: Milto Kutali, Naser Shatrolli, Agron Gërguri, Glulia Falzea dhe Salvatore Tramacare, Kristi Serani dhe Marin Orhanasi, në interpretim të aktorëve: Ismet Azemi, Bajram Dosti, Marin Orhanasi, Vefi Redhi, Leonard Hamitaj, Marius Dhrami dhe Roerd Toçe kënaqën spektatorët e festivalit.
Juria dhe çmimet
Shfaqjet i vlerësoi juria: Bujar Kapexhiu, Bujar Asqeriu dhe Raimonda Bulku emra këta të njohur të cilëve s’ke si u thua “nuk pajtohem me verdiktin tuaj”. Çmimet i volën shfaqja “Engjëjt” për regji (Naser Shatrolli) dhe interpretim (Vefi Redhi), shfaqja “Artisti në tavan” aktori më i mirë Ismet Azemi dhe shfaqja “Qen i biri…i qenit” autori Ferdinand Hysi.
Mbrëmjet e veçanta!
Pas çdo mbrëmje duke cakërruar gotat mbushura me verë nën pemën e rrallë Nespula ose Mushmolla japoneze, ndërroheshin fjalë për shfaqjet, vërejtje, ngazëllime për trajtimin skenik të teksteve dramatike origjinale, shqyrtime të vakta kritike me plotëninë e ndjesisë miqësore të cilën e emetonin ikoqirët e Teatrit “Zonja e bujtinës” në oborrin e të cilëve kishte edhe 12 breshka, dy qenë dhe 5 mace. Një komunikim fantastik çlodhje nga përditshmëritë e ngarkuara me politikë “a po bëhet apo jo kuvendi”. Në vend çfarë do sjellin zgjedhjet e ardhshme ne kishim zgjedhur Teatrin dhe monodramën si strehën e vetëmisë domethënëse. Artin si mënyrë komunikimi për ta fisnikruar jetën e kontaminuar me politikë.
Festivali “Flas shqip” do jetojë gjatë
Ashtu nisi, poashtu përfundoj me përqafime të sinqerta të nikoqirëve të dashur Naun dhe Raimonda Shundi dhe të të gjithë pjesëmarrësve të ngjizur me dëshirën që festivali të bëjë jetë të gjatë duke afirmuar ato vlera që veç Teatri di t’i ruaj më së miri e që kanë të bëjnë me njeriun përkatësisht njerëzoren.
ObserverKult





Lexo edhe:
SOFOKLIU, MJESHTRI I TRAGJEDIVE QË NDËRROI JETË NË NJË FUÇI RRUSHI






