![](https://observerkult.com/wp-content/uploads/2025/01/afdr-696x392.jpg)
Sot në Festivalin Poetik të Prishtinës, promovohet trilogjia poetike “Zoti vdes i pari”, i autorit Afrim Demiri, botuar nga Littera, 2024.
Programi i Festivalit për ditën e sotme fillon nga ora 18:00 dhe mbahet në Termokiss, ndërsa për librin flasin poetët Vlora Konushevci dhe Eduard Frrokaj.
Për librin
Faruk Tasholli:
Vizueliteti jetësor dhe vizueliteti fiktiv, janë dy kontraste të ashpra në poezinë e Demirit, nga të cilat shfaqen shkëndija panoramike, që vetë poezinë e kthejnë në një çerdhe absurdi, në majë të një kapërcyelli lufta/paqja. Në këtë interferencë figurash, pas vdekjes së një frike e trishtimi, vjen trishtimi i ri, vjen frika e re, që poeti i kundërvihet me protestën shpirtërore aq edhe me reagimin filozofik njerëzor, por gjithmonë i mundur. Vargjet si: Ashensori koha ime vertikale ose shtëpitë po paketohen në shumëkatëshe/ oborret po vdesin korridoreve pa dritë, sa flasin për një anarki lëndore po aq edhe për një anarki morale, ku robi vështirë e gëzon lirinë apo nga vrulli entuziast e degradon atë. Autori, si një i burgosur në anarki, proteston e gjëmon me revoltën përmes shenjave poetike që i spikatë gjuha e metaforave.
Për autorin
Afrim Demiri, lindi në vitin 1960, në fshatin Sazli, në Ferizaj. Gjimnazin Matematikor dhe Fakultetin Teknik, drejtimi elektronikë i mbaroi në Prishtinë. Me letërsi filloi të merret në vitet 80-të, duke shkruar poezi, tregime të shkurtra dhe reportazhe. Disa herë punimet e tij u shpërblyen në konkurset letrare. Ishte bashkëthemelues i gazetës lokale Ferpress, si dhe gazetar, moderator dhe redaktor i informacionit në TV Tema. Në periudhën 1997-2015, botoi shkrime publicistike si korrespondent i gazetës “Koha ditore”.
Ka botuar:
“Fjongo e zezë”, poezi, Klubi letrar De rada, Ferizaj, 1994
“Figura e 17-të”, tregime, SHB “Beqir Musliu, Gjilan, 2023, libër ky që u shpërblye nga MKRS-ja si libri më i mirë në prozë gjatë atij viti duke marrë shpërblimin “Anton Pashku”.
Punon si mësimdhënës në IAAP “Pjetër Bogdani”, në Ferizaj.
Festivali Poetik i Prishtinës organizohet nga Portali për Letërsi, Kulturë dhe Art, ObserverKult dhe sivjet shënon edicionin e tretë.Për pesë ditë me radhë do të ketë promovime librash, mbrëmje autoriale, debate, ligjërata, video-ese, diskutime, homazhe, orë poetike etj.
Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës.
ObserverKult
![](https://observerkult.com/wp-content/uploads/2025/01/Dita-4-724x1024.jpg)
Lexo edhe:
MBI 70 POETË E ARTISTË NË PESË DITËT E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ PROGRAMI I PLOTË