Filarmonia e Kosovës nis edhe një sezon pa sallë koncertale

Filarmonia e Kosovës ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me koncertin e hapjes së sezonit 2019/2020.

Në këtë konferencë theks i veçantë iu dha mungesës së sallës koncertale, ku u tha se për 20 vjet koncerte të tilla mbahen në salla të improvizuara, siç është Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Baki Jashari, drejtor i këtij institucioni, dha detaje rreth programit vjetor  të Filarmonisë së Kosovës, teksa shtroi nevojën që të ndërmerret diçka për ndërtimin e sallës koncertale, e cila do të lehtësonte punën e këtij institucioni.

“Ky sezon fillon me koncertin e nesërm në sallën e kuqe. Do të mbahet sezonin i parë. Është koncert inaugurues për të gjitha programet që do të jenë për 10 muaj, e që zgjat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Viti 2020 shënon 20-vjetorin e themelimit të Filarmonisë së Kosovës. Veçanti e këtij koncerti janë dy përformues që janë, Lule Elezi, piano dhe Bojan Videnoff dirigjent. Edhe për 20 vjet pas themelimit ky institucion nuk ka sallë koncertale”, ka thënë Jashari, transmeton EO.

Lule Elezi, pianiste me përvojë të madhe në këtë drejtim ka thënë se është e përgatitur maksimalisht për këtë koncert.

“Jam e kënaqur që marr pjesë në këtë koncert si pianiste. Për mua është hera e dytë që përformoj në Filarmoninë e Kosovës. Nesër mbrëma kam kënaqësinë që të luaj për piano me një dirigjent si Vidennoff. Jam përgatitur mjaft për këtë koncert dhe shpresoj që publiku do ngelet i kënaqur”, ka thënë Elezi.

E dirigjenti Bojan Videnoff ka thënë se është kënaqësi për të që e dirigjon një koncert të madh në Prishtinë.