Filloi festivali i muzikës klasike Chopin Fest

Jeta kulturore ngadalë po i kthehet normalitetit. Festivali i njohur Chopin Fest filloi mbrëmë edicionin e 11-të.

Adhuruesit e muzikës klasike patën mundësi të dëgjojnë pianistën e njohur Tutu Aydinoglu e cila intepretoi një program me virtuozët parisien të shekullit 19, një koncert i cili shfaqi brilancën performuese të pianistës dhe publikut i dha rastin pas shumë kohësh të dëgjojë tinguj të shkëlqyer pianistik, diçka që i mungonte skenës që nga fillimi i pandemisë.

Ky festival me vlerë të lartë artistike i cili promovon, zhvillon dhe ofron një laramani të pasur muzikore në estetikën klasike të të gjitha periudhave, edhe këtë vit pas shumë sfidave pandemike solli një program maratonik i cili do të vazhdoj deri në fund të këtij muaji.

Mbrëmë në publik ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku si dhe këshilltari i tij, Liburn Jupolli.

Chopin Fest si rezultat i punës së palodhshme të profesoreshave Lejla Pula dhe Besa Luzha me një ekip fantastik dhe me ndihmë të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar çdo vit ka sjellë artist të mëdhenjë pianistik dhe të fushave të ndryshme.