Ndërtesa kryesore në kompleksin e banimit Emingjiku në Prishtinë, ka filluar të restaurohet gjatë vitit 2017. Pas një ndërprerjeje gati katërvjeçare, kanë filluar ndërhyrjet restauruese në këtë ndërtesë, njoftoi MKRS nëpërmjet një postimi në Facebook.
Gjatë muajit maj të këtij viti, pas vlerësimit të bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë kulturore rreth gjendjes dhe integritetit të vlerave të trashëgimisë kulturore të kësaj ndërtese, plani i ndërhyrjeve restauruese është plotësuar me masat e sigurisë teknike.
Ky plan i kompletuar do të fillojë të zbatohet nën mbikëqyrjen e rregullt të institucioneve të trashëgimisë kulturore.
“Sigurimi i mbrojtjes dhe ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, dhe monitorimi sistematik paraqet njërin nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, prandaj jemi të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes së kësaj trashëgimie”, thuhet në njoftimin nga kjo ministri.
Punimet do të kryhen nga kompania “Pleqja”, nën mbikëqyrjen e stafit profesional nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
LEXO EDHE: “Shtëpia me Gjethe”, vlerësohet nga Këshilli i Evropës si Muzeu më i mirë i vitit 2020