Studioja “Disney” do të publikojë filmin e shumëpërfolur “Mulan” në kinema, gjatë korrikut të këtij viti. Kështu ka bërë të ditur kompania, duke riorganizuar shfaqjen e filmave, ndikuar kjo, nga pandemia.
Ndër ndryshimet e tjera për datat, “Disney” ka bërë të ditur, se e ka shtyrë shfaqjen e filmit të ri “Indiana Jones”, për vitin 2022. Këto njoftime, vijnë në një kohë kur kinematë anembanë botës janë mbyllur dhe prodhimi i filmave është pezulluar përkohësisht, në mënyrë që të luftohet përhapja e COVID-19.
Studiot hollivudiane janë optimiste, se kinematë do të hapen deri nga fundi i muajit korrik. Prandaj, “Disney” ka vendosur ta sjellë në ekranin e madh filmin “Mulan”, që do të vijë për publikun, nga 24 korriku. Edhe “Paramount Pictures” ka vendosur që më 31 korrik, të sjellë filmin e ri të animuar “SpongeBob”, ndërsa “Warner Bros” po planifikon të publikojë filmin e shumëpritur me buxhet të lartë, “Wonder Woman 1984”, më 14 gusht të këtij viti.
Në mesin e filmave të tjerë, të konfirmuar tashmë, janë: “Eternals”, që vjen nëpër kinema, më 12 shkurt të vitit 2021, “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, më 21 maj të vitit të ardhshëm, “Doctor Strange and the Multiverse of Madness”, që vjen për gjithë shikuesit, më 5 nëntor të 2021-ës, “Thor: Love and Thunder”, më 18 shkurt të vitit 2022 dhe “Jungle Cruise”, filmi i ri, që në rolet kryesore sjell aktorët: Dwayne Johnson dhe Emily Blunt, do të shfaqet për publikun mbarëbotëror, më 30 korrik të vitit 2021/konica