Pandemia ka bërë që shumë regjisorë të mos kenë mundësinë që të përfundojë projektet e tyre filmike. Mirëpo, disa regjisorë duke përdorur materialet që i kishin në dispozicion gjatë karantinës, kanë arritur që të vizualizojnë disa ide që u kanë shkrepur në mendje gjatë kësaj kohe. Në mesin e tyre janë edhe dy regjisorë shqiptarë, Eneos Çarka dhe Norika Sefa.
Të gjendur larg familjes së tyre, në kohën kur pjesa më e madhe e botës u izolua për shkak të masave parandaluese të përhapjes së virusit COVID-19, regjisorët iu përveshën punës. Sefa, për të realizuar “Më puth, tani.” iu kthye arkivit të familjes në kërkim të ndjenjave që reflektojnë ngrohtësi. Kërkonte përqafime, puthje, veprime të veçanta të prekjes që para pandemisë ishin diçka e zakonshme.
Në anën tjetër, frymëzuar nga dokumentari avantgard i viti 1977, “News from Home” i regjisores Chantal Akerman, Çarka e realizoi filmin “Ku je tani?” me mesazhe zanore që i pranoi nga babai i tij gjatë karantinës. Filma, goxha eksperimentalë, janë të fokusuar të familja, lidhja me njerëzit dhe emocionet. “Më puth, tani.” por edhe “Ku je tani?” janë premierë e “DokuFestit”, transmeton ‘koha.net’.
Filmat janë në garë në kategorinë kombëtare dhe janë të qasshëm në platformën online të Festivalit deri më 15 gusht. Këtë vit, edicioni i 19-të i Festivalit po mbahet online, për shkak të pandemisë. Dy filmat, të vetmit të realizuar gjatë pandemisë në kategorinë kombëtare, garojnë me 9 filma të tjerë për çmimin e filmit më të mirë kombëtar.
“Ky film ka ardhur nga një ndjenjë e pasigurisë”, ka thënë Sefa për filmin “Më puth, tani.” (“Kiss me, now.”, 2020)