Filmbërësit e rinj në Kosovë bëhen me Festival

Mbrëmë, në Burgun e Idealit, në Prishtinë, është hapur Edicioni i parë i Festivalit të Filmbërësve të rinj të Kosovës (Kosovo Young Filmmakers Festival), që iu dedikohet zërave të rinj të moshave 15-25 vjeçare.

Ky Festival synon të krijon hapësirë të re, për të shfaqur të rinjtë veprat e tyre alternative.

“Të rinjtë e shohin botën mjaft qartë, me guxim, kërkesa të shumëllojshme dhe me urgjencë. Ata tashmë do të kenë mundësitë për të kërkuar, për të krijuar, eksperimentuar dhe imagjinuar ndryshe.

Në botën e këtyre grupmoshave vazhdimisht ndodh diçka e veçantë dhe e papartishme, me shqetësime, tendenca, zbulime, metafora e kontradikta të llojllojshme. Filmi mbetet medium më i mirë për ta shpalosur më së miri këtë kaos dhe këto energji krijuese”, pohuan organizatorët.

Kosovo Young Filmmakers Festival synon të jetë një platformë e besueshme për ta, për historitë e tyre dhe për mundësitë alternative që të rinjtë të dëgjohen më shumë.

Me këtë rast në hapje të festivalit u shfaqën dy filma dokumentarë jashtë konkurrencës: GOLI OTOK (2010) të regjisores Mrika Krasniqi, film dokumentar që shpalosë historinë e vërtetë tragjike nga i ashtuquajturi ISHULLI BURG – FERRI I ADRIATIKUT, burgu famëkeq në ish-Jugosllavi ku kanë vuajtur, mbijetuar edhe shumë shqiptarë ish-të burgosur politik.

DHE filmin TROKITJE (2010) nga Bekim Sele & Mumin Jashari kushtuar veprimtarit Fadil Vata.

Filmat tjerë në konkurrencë, në kategoritë përkatëse: dokumentar, narrativ dhe animacion mund të përcillën nga publiku çdo ditë deri më datën 23 maj, në Termokiss.

Ndarja e çmimeve do të bëhet në hapësirat e Burgut të Idealit, të premten, më 23 maj nga ora 20:00.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARKITEKTURA E NJË TERRORI PA FYTYRË