Filmi “Dueli i heshtur”- ana e errët e sheshxhirimit: “Rri urtë, se…”

Publikohen disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) dhe Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilat bëhen publike për herë të parë. Memorie.al shkruan se ne keto dokumenta ndodhet një korrespodencë e titullarve kryesorë të Ministrisë së Jashtme, me ambasadën italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Romë, lidhur me ngjarjen e datës 6 janar 1989, kur anija “Dukati” gjatë lundrimit në Detin Adriatik, u rrëmbye nga kapiteni i saj, Enver Meta, i cili kishte fshehur tetë shokë të tij në ambientet e anijes dhe bashkë me ta, mbajti peng shtatë pjestarët e ekuipazhit, deri sa dolën në portin e Brindizit. E gjithë kronologjia e asaj ngjarje të rëndë që pati jehonë të madhe në shtypin italian, e cila jo vetëm që shkatoi një përplasje të fortë diplomatike në mes Tiranës zyrtare dhe Romës, por shkaktoi një furtunë të madhe në rradhët e Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ku u shkarkuan apo i’u dhanë masa të rënda ndëshkimore 15 zyrtarëve të lartë të zinxhirit drejtues, nga nënoficeri i Pikës së Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit, e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit Hekuran Isai, që i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë që vazhdoi për disa ditë me radhë nën drejtimin e Ramiz Alisë, ku pati përplasje të forta midis antarëve të saj, me akuza të ndërsjellta për abuzime dhe shpërdorime, e deri në problemet familjare që ata kishin.


Në mesin e viteve ’60, teksa shkrimtari dhe studjuesi i njohur, Nasho Jorgaqi, po shkruante skenarin e filmit “Dueli i heshtur”, që bazohej mbi një ngjarje të vërtetë të ndodhur në vitet e para të pasluftës në portin e Durrësit dhe ujrat territoriale shqiptare në Detin Adriatik (ngjarje e cila edhe sot e kësaj dite mbart mbi vete shumë mistere dhe nuk është zbardhur ende), nuk do t’i shkonte kurrë ndërmend, se ajo ngjarje do të përsëritej pikë për pikë, plot 55 vite më vonë, në janarin e vitit 1989. Por ndryshe nga ajo e fillimit të qershorit të vitit 1947, kur marinari Spiro Kote, (i interpretuar në film nga i madhi Rikard Ljarja), arriti ta kthente anijen në Portin e Durrësit, pasi kishte vrarë më parë tre pjestarët e ekuipazhit me në krye “kapterr Ramiun”, kapiteni i anijes “Dukati”, arriti të arratisej nga Shqipëria së bashku me tetë shokët e tij që i kishte të fshehur në ambientet e anijes, duke e ankoruar atë në portin e Brindizit, pasi kishte mbajtur peng shtatë pjestarët e ekuipazhit në hambarët e anijes. Kjo ngjarje e rëndë dhe njëkohësisht një nga historitë më të pazakonta të ndodhura plot tre dekada të shkuara që pati një jehonë të madhe në shtypin italian, jo vetëm që shkaktoi një furtunë të vërtetë në rardhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, ku u shkarkuan apo u dhanë dënime e masa të rënda ndëshkimore për 15 persona të zinxhirit drejtues, që nga nënoficeri i Pikës së Kalim Kontrollit në Portin e Durrësit, (që s’kishte kryer si duhet kontrollin e anijes para daljes në det), e deri tek Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi, si dhe vetë ministrit të Punëve të Brendëshme, Hekuran Isai, të cilit i’u dha vërejtje e rëndë në mbledhjen e Byrosë Politike që u zhvillua për disa ditë me rradhë nën drejtimin e Ramiz Alisë. Ku si rrallë ndonjëherë, të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, u përfshinë në debate të ashpra me njëri tjetrin, me akuza të ndërsjellta për abuzime, shpërdorime e deri tek problemet familjare të tyre. Lidhur me sa më sipër, pra që nga ngjarja e pazakontë e 6 janarit të vitit 1989, negociatat e qeverisë shqiptare me atë italiane për kthimin në Shqipëri të “Grupit terrorist” prej tetë personash me në krye, Enver Metën, që “ishin implikuar në kontrabandë droge” etj., procesin hetimor ndaj tyre në Durrës, si dhe mbledhjet e gjata tepër të acaruara të Byrosë Politike, Memorie.al disponon dy dosje voluminoze të cilat kanë qenë me siglën “Tepër sekret” dhe tashmë prej disa kohësh të deklasifikuara, do t’i bëje publike për herë të parë që nga numri i sotëm në këtë shkrim.

Informacioni i Ministrisë së Jashtëme për ambasadën italiane: “Na dorëzoni terroristët e anijes ‘Dukati’, janë kontrabandistë droge, etj”

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE

MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME

Nr. 40 Tiranë, më 7.I.1989

AMBASADES SË REPUBLIKËS ITALIANE

T I R A N Ë

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë i paraqet komplimentet e saj Ambasadës së Republikës Italiane dhe ka nderin t’i bëjë të ditur për t’ia transmetuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, sa vijon:

Më datën 6 janar 1989, rreth orës 22.00, gjatë kohës së peshkimit në Detin Adriatik, u rrëmbye me forcë, anija e peshkimit, “Dukati” me një ekupipazh prej 9 vetash, pronë e Ndërrmarjes së Peshkimit të qytetit të Durrësit. Terroristët përdorën presionin dhe dhunën ndaj 7 anëtarëve të ekuipazhit, të cilët i mbyllën me çelsa nëpër kabina. Grupi terrorist përbëhej nga: Enver Meta, Bardhyl Vogli, si dhe nga Artan Serjani, Ilir Dervishi, Skënder Vogli, Mustafa Meta, Agron Dervishi, Qemal Nikshiqi dhe Azem Shelmi. Disa nga këta persona ishin në ndjekje nga organet policore për lidhje të tyre kontrabandiste të drogës, ndërsa të tjerët ishin të implikuar me vepra të tjera penale.

Terroristët devijuan kursin e anijes “Dukati” dhe e çuan atë në afërsi të Portit të Brindisit të Italisë, me qëllim që t’u shpëtonin dënimeve ligjore për veprimtarinë e tyre kriminale.

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i lutet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, që, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të ndërhyjë pranë autoriteteve përkatëse, që të ndihmojnë kthimin në Shqipëri të anijes së peshkimit “Dukati”, së bashku me shtatë anëtarët e ekuipazhit të saj, si dhe t’u dorëzojnë menjëherë, në përputhje me normat e njohura të së drejtës ndërkombëtare, autoriteteve përkatëse shqiptare, të nëntë terroristët.

Në pritje të një përgjigjie të shpejtë, Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i përsërit Ambasadës së Republikës Italiane, shprehjet e konsideratës së saj më të lartë.

Tiranë, më 7 janar 1989

Zv/ministri Sokrat Plaka: “Zoti ambasador, terroristët devijuan kursin e anijes, për t’u shpëtuar dënimeve ligjore…”

I N F O R M A C I O N

Më datë 7 janar 1989, shoku Sokrat Plaka, thirri në takim urgjentisht ambasadorin Italian, Xhorxhio De Andreis, të cilit i dorëzoi një notë lidhur me anijen tonë të peshkimit “Dukati”. Duke e informuar sipas përmbajtjes së notës, shoku Sokrat i tha ambasadorit Italian, se më 6 janar 1989, rreth orës 20.00, gjatë kohës së peshkimit në detin Adriatik, u rrëmbye me forcë nga një bandë e organizuar terroristësh, anija e peshkimit “Dukati” me një ekuipazh prej 9 vetash. Terroristët përdorën presionin dhe dhunën ndaj 7 anëtarëve të ekuipazhit të cilët u mbyllën nëpër kabina. Në grupin e terroristëve bënte pjesë edhe kapiteni i anijes me një anëtar tjetër të ekuipazhit. Ju tha se disa nga këta persona ishin në ndjekje nga organet tona policore për lidhje të tyre me kontrabandistët të drogës, ndërsa të tjerët ishin të implikuar në vepra penale të tjera. Terroristët e devijuan kursin e anijes “Dukati” dhe e çuan atë në afërsi të portit të Brindizit, me qëllim që t’u shpëtonin dënimeve ligjore për veprimtarinë e tyre kriminale. Ju tha gjithashtu se nga pala italiane është kërkuar që të dërgohet një kapiten për të sjellë anijen në Shqipëri. Mandej shoku Sokrat i vuri në dukje ambasadorit se deti Adriatik është i qetë dhe paqësor dhe ne jemi të shqetësuar që në të ndodhin gjera të tilla. Ai i theksoi ambasadorit që anija shqiptare është detyruar të futet në Brindizi, por rëndësi ka që nuk ka patur viktima. Pyeti në të njëjtën kohë, nëse marinarët e anijes së peshkimit janë qytetarë shqiptarë, që banonin në Shqipëri.

Mendoj, tha ambasadori italian, se në Itali do të hapet ndonjë proçedurë juridike për trajtimin e këtij problemi.

Ky problem, theksoi shoku Sokrat, është një rast i mirë për të treguar luftën tonë të përbashkët kundër terrorizmit.

Në fund, ambasadori, De Andreis, tha se mbajta shënime dhe ju siguroj se do të veprojmë shpejt. Pyeti nëse nga ana jonë do të dërgohet një kapiten për të marrë anijen. Ju tha se po përgatitet një kapiten për ta dërguar në Brindizi.

K. Robo

Informacioni i ambasadorit Qazim Tepshi: “U kërkuam palës italiane të na ekstradojnë grupin terrorist”

MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME

T I R A N Ë

I N F O R M A C I O N

MBI NDJEKJEN E PROBLEMIT TË ANIJES “DUKATI”

Më 7 janar 1989, ditën e shtunë, me një herë pas marrjes, u arrit te MPJ për nisjen në Brindizi dhe ndjekjen e problemit të lindur në peshkarexhën “Dukati”, u nisën për në vëndin e ngjarjes shokët Genci Gjoka dhe Mehmet Musallari, të cilët mbërritën në Brindizi në mbasditen e datës 7 janar.

Menjëherë u morrën kontaktet e nevojshme me personelin e barkës “Dukati”, policinë e kufirit në portin e Brindizit dhe kapitenerinë e portit, nga të cilët u morrën të dhënat e para lidhur me ngjarjen. Përshtypja e parë nga kontaktet me autoritetet e policisë dhe kapitenerisëe së portit, ishin të mira. Personat që u kontaktuan, si kryeinspektori i policisë, kapiteni i kapitenerisë së portit dhe funksionarë të tjerë të policisë, qenë shumë korrekt, u treguan të afruar dhe të presdispozuar të flisnin për problemin, se si e njihnin dhe e mendonin. U treguan të gatshëm që të pranonin marrjen në pyetje të shtatë personave të ekuipazhit të barkës “Dukati” në prezencën tone, duke qenë dakort edhe me qenien tonë në rolin tone, në këtë rast konkret, sipas ligjeve italiane, nuk plotësohen kushtet për dhënien e azilit politik të nëntë personave. Sipas tyre, dhënia e azilit politik është e kushtëzuar me një seri kushtesh, midis të cilave personat që e kërkojnë, nuk duhet të kenë kryer akte të tilla, që të jenë të dënueshme nga ligjet italiane. Në fakt, të gjitha aktet që janë kryer nga ky grup, që me marrjen e barkës, përdorimin abuziv të saj, rrëmbimi i personelit dhe çuarja e tij kundër dëshirës në një vënd tjetër, violence e përdorur, presionet e kërcënimet që janë bërë, etj. Përbëjnë një bazë të mjaftushme që të mos u jepet azil politik. Nga ana tjetër me këto akte që ata kanë kryer, është plotësisht e ligjshme që nga ana jonë të kërkohet ekstradimi dhe që pala italiane të kthej pa asnjë kusht, të gjithë shqiptarët e këtij grupi terrorist.

Ditën e djelë i kërkuam një takim kuestorit për të parë predispozicionin e tij për zgjidhejn e problemit dhe për të parë mundësinë e marrjes së një kontakti me grupin e arratisur. Kuestori na priti mjaft korrekt dhe u tregua i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë tonën, por duke theksuar se, nuk del nga kopetencat e tij. Lidhur me problemin e grupit prej nëntë vetash që kishte kërkuar azilin politik, tha se nuk ishte në kopetencën e tij të vendoste. Tha se komandanti i barkës, Enver Meta, ishte arrestuar me urdhër të zëvëndësprokurorit të Brindizit, Domeniko Catenasi dhe çdo gjë në drejtim të tij bëhet vetëm me urdhër të vetë zv/prokurorit, ndërsa për të tjerët akoma nuk është sqaruar situate e tyre dhe nuk mund të merret asnjë takim pa urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendëshme dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ditën e hënë morrëm një kontakt me prefektin e qytetit të Brindizit dhe me zv/prokurorin Domeniko Catenessi. Prefekti u tregua korrekt, por tha se nuk mund të bënte asgjë, pasi problem kishte kaluar në kompetenca të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Të njëjtën gjë na tha edhe Kuestori të cilin e takuam përsëri në zyrat e prefekturës së zv/prokurorit, D. Catenassi, tha se akoma nuk e kishte pyetur ish-kapitetnin e barkës dhe se deri në atë moment nuk mund të bisedonin gjë lidhur me problemin. Në takim me zv/prokurorin ishte present edhe avokatja Roza Cardone, e cila u thirr nga ana jonë për të dhënë ndonjë mendim mbi mënyrën e procedimit të problemit. Nga biseda me D. Catenassin, nuk u saktësua gjë. Ai tregohej mjaft i ngurtë në dhënien e shpjegimeve edhe pse tha që nuk e kishte pyetur të arrestuarin Enver Meta, “sepse ishte i zënë me punë”, në fakt doli qartë se arsyeja e vërtetë, ishte se nuk kishte gjetur përkthyes. Së fundi kishin arritur të gjenin përkthyes, si duket një shqiptar të moshur që banon në Brindizi, emri i të cilit nuk na u bë i ditur, por që mendojmë se mund të ketë qenë shqiptari, Ndoc Shiroka.

Nga ky moment nuk arritëm të thellojmë çdo gjë në këtë drejtim. Autoritetet e portit na thanë se nuk ishte asnjë pengesë për nisjen e barkës dhe të personelit në Shqipëri, posa të ishte qartësuar problemi i kohës dhe sigurimi i kushteve të mira atmosferike. Me ardhjen e barkës “Himara”, çdo gjë u zgjidh me rregull, pasi arriti edhe kapiteni për barkën “Dukati”. Kështu ditën e hënë në mesditë, u arrit të nisshin të dy barkat.

Për të qartësuar më thellë situatën juridike të problemit, u bisedua gjatë me avokaten Roza Cardone dhe avokat Antonio Valordenk, miq të vëndit tonë që kanë zyrat e tyre në Bari dhe Adefija, e rezulton se ngjarja përbën akt penal për të cilën janë përgjegjës të nëntë personat që kanë kërkuar strehim politik në Itali. Sipas legjeislacionit italian dhe sipas së drejtës ndërkombëtaret, komandanti i anijes “Dukati” E. Meta, marinari bashkëpuntor i tij, Bardhyl Vogli dhe të 7 personat e tjerë që kishin hipur në mëntrë të fshehtë në anije, duhet të akuzohen dhe të arrestohen në mënyrë të durueshme menjëherë për:

Rrëmbim të barkës “Dukati” dhe devijim të rrugës për qëllime të tjera të ndryshme nga qëllimi i lundrimit:
Rrëmbim i personave, ekiupazhit të anijes “Dukati”:
Dëmtim i anijes gjatë rrëmbimit (këputja e elektrolinjës, sperancës, thyerja e xhamave) dhe gjatë përplasjes së saj në rërë:
Përvetësimi i pronës së shtetit shqiptar, anijes, me qëllime abusive:
Përdorimi i dhunës, kërcënimi, ofendimi dhe kërcënimi i jetës ekuipazhit të barkës:
Kryerja e akteve të mësipërme në grup më shumë se 4 persona:
Këtyre akteve penale, mund t’u shtohen edhe akte të tjera për të cilat dyshohen ose ndiqen nga policia si trafiku i drogës, kontrabandë, bashkëpunim me kriminalitet etj.

Mos arrestimi i 8 personave përbën në fakt një shkelje të ligjshmërisë italiane. Urdhëri i arrestit duhet të ishte dhënë për të 9 personat, qoftë edhe nga kryerja vetëm e rrëmbimit dhe devijimit të barkës, i cili është edhe akti më i rëndë. Ky akt konsiderohet i ngjashëm me rrëmbimin e avionëve.

Duke u nisur nga sa sipër është e domosdoshme që nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të qeverisë shqiptare, mbi bazën e të dhënave të hetuesisë së Durrësit dhe të kërkesës së Prokurorisë së Durrësit, të kërkojë ekstradimin e menjëhershëm të 9 personave në bazë të motiveve që janë dhënë më sipër dhe të të tjera që mund të disponohen.

I NGARKUARI ME PUNË a.i.

(QAZIM TEPSHI)

P R O Ç E S – V E R B A L

D E SH M I E

Në qytetin e Durrësit, me 10.1.1989

Në, hetuesit, Bashkim Asllani dhe Agim Ferizaj, të hetuesisë së rrethit, në prani të prokurorit të rethit Spiro Peçi, morëm në pyetje dëshmitarin, Vasil Lefter Koçillari, i dtl. 28.02.1952, lindur dhe banues në qytetin e Durrësit, lagja nr.11 Rr. “Dëshmorët”, pallati 266, me arsim 8 klasë, punëtor në anijen “Dukati”, me detyrën e motorristit, i padënuar ndonjëherë.

Dëshmitar Vasil Koçillari u paralajmërua mbi përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202 të K. Penal për dëshmi të rreme.

DËSHMITARI

(Vasil Koçillari)

Pyetje: Na shpjegoni dëshmitar Vasil Koçillari, se çfar dini ju për veprimtarinë e kryer nga ish kapiteni i anijes “Dukati”, dhe banda e tij natën e datës 6 janar duke gdhirë data 7 janar 1989?

Përgjigje: Unë jam punëtor në Ndërrmarjen e Peshkimit Durrës që nga viti 1976. Nga maji i vitit 1987, kam punuar në anijen “Dukati”. Kapiten në anijen “Dukati”, kohët e fundit është emëruar Enver Meta dhe bashkë me të ka ardhur peshkatar Bardhyl Vogli. Të dy këta, më parë kanë qënë tek anija “Dalip Lala”. Që në fillim, ne pjestarët e tjerë të ekuipazhit të anijes konstatuam se kapiteni i anijes Enver Meta, kishte shumë shoqëri me Bardhyl Voglin, ata gjithnjë rrinin dhe bisedonin bashkërisht.

Ekuipazhi i anijes “Dukati” përbëhesh nga nëntë persona. Konkretisht ishin: Kapiteni i anijes Enver Meta, brigadier Riza Vokshi, motorrist i parë isha unë, i dyti Agron Guza dhe peshkatarët Bardhyl Vogli, Sokol Biçaku, Adrian Lako, Fisnik Koçi, Andrea Filjari, Bujar Dalani dhe Bujar Shullani. Por me dt. 6 janar 1989, dy të fundit Bujar Dalani dhe Bujar Shullani, nuk janë paraqitur në punë.

Me dt. 6 janar 1989, në orën 15.00 si zakonisht unë shkova në punë, për të takuar shokët e ekuipazhit që të dilnim për peshkim. Takova me shokët e ekuipazhit. Pasi kapiteni, mori dokumentacionin e nevojshëm, shkuan në anije. Rreth orës 17.00 u nisëm për peshkim në Detin Adriatik. Ne zakonisht gjuajmë për sardele, dhe në këtë rast u nisëm për peshkim po për sardele. Pasi u larguam rreth 20 milje, larg nga porti i Durrësit, muarëm masa për të grumbulluar peshkun me anë të dritave dhe më vonë të hidhnim rrjetat për të peshkuar.

Hëngrëm edhe darkën si zakonisht, pastaj kapiteni i anijes na porositi të flinim. Unë si zakonisht shkova të flija në dhomën time. Pasi u futa në dhomën time, e u shtriva të flija, dëgjova zhurmën e motorrit të madh. Kjo më shqetësoi sepse anija nuk duhet të lundronte. Kërkova të dilja nga dhoma por konstatova se dera ishte e mbyllur me kyç nga jashtë. Thirra me zë të lartë, asnjëri nga shokët nuk po më përgjigjej. Atëherë u shqetësova më shumë. Vazhdova të thërrisja me zë të lartë, duke i rënë edhe derës që të ma hapnin. Në këtë kohë dëgjova zërin e Bardhyl Voglit që më tha: “Mos luaj nga dhoma Vasil dhe mos bëj asnji lloj tentative, se do të të vrasim”. Në këtë rast, Bardhyli me anë të një leve hekuri, qëlloi në xhamin e obllosorit për të më goditur mua. Leva më zuri në kokë poshtë syrit të djathtë, duke më shkaktuar plagë. Atëherë e kuptova se anija jonë ishte grabitur nga Bardhyl Vogli dhe banditë të tjerë dhe se do të arratiseshin jashtë shtetit. I them Bardhylit se paska qënë i poshtër, ju po rrëmbeni dhe grabisni anijen e shtetit shqiptar, ju jeni maskarenj, dhe fjalë të tjera. Ai më tha: “Rri urtë se do të hash plumbin kokës”. Në këtë situatë u mundova të hap derën me forcë, por konstatova se tek dera kishte roje dhe prisnin që sapo të dilja unë të më godisnin dhe të më vrisnin. I tronditur dhe i frikësuar se do të më vrisnin banditët që kishin grabitur anijen shqiptare, kam qëndruar vetëm në dhomën time, dersa anija arriti në Brindizi. Afërsisht në orën 05.30 anija e grabitur arriti në Brindizi të Italisë. Nga dritarja e vogël përcaktova se ishim në portin e një shteti të huaj, por nuk dija se i kujt ishte ky port, por mendova se duhet të ishte i shtetit Italian. Anija kishte rënë në tokë dhe nuk lëvizte me gjithë përpjekjet që bënin banditët që kishin grabitur. Këtë e kuptova nga zhurma e motorrit dhe përplasja e anijes në tokë. Kohë më vonë, sesa nuk e përcaktoj, sepse isha i hutuar dhe i frikësuar, sepse mendoja se banda që rrëmbeu anijen do të më vriste edhe mua, ka ardhur tek dera e dhomës së Fisnik Doçit. Ky sapo mësoi se edhe mua më kishin mbyllur me kyç brënda, mori një levë dhe e shpërtheu kyçin me forcë. Pasi më hapi derën, ai më tregoi se edhe atë e kishin mbyllur banditët në një dhomë tjetër, dhe pasi ata ishin larguar e kishte shqyer derën me forcë. Pas dola, pashë një varkë në të cilën kishin hipur banditët dhe po shkonin në mol. Unë dhe Besniku shkuam tek dhoma e fjetjes së anijes, pasi pamë se edhe këtë dhomë e kishin mbyllur me kyç nga jashtë, unë dhe Besniku e hapëm me leva duke shqyer derën. Në këtë dhomë, banditët kishin mbyllur shokët tanë: Riza Vokshi, Sokol Biçaku, Andrea Filjari, dhe Ardian Lakon. Në përfundim konstatuam se edhe frigoriferi i anijes ishte mbyllur me kyç, e hapëm me forcë, dhe gjetëm aty shokun tjetër Agron Buza. Ne me të shpejtë tentuam të nxirrnim anijen nga vëndi e të kapnim bandën që e kishin grabitur, por nuk arritëm sepse ajo kishte zënë vënd dhe nuk lëvizte. Riza Vokshi, menjëherë u lidh me radio me portin e Durrësit dhe njoftoi Ndërmarrjen e Peshkimit, se anijen “Dukati” e kishte grabitur kapiteni i saj, Enver Meta, së bashku me Bardhyl Voglin e disa banditë të tjerë dhe ne jemi në Brindizi të Italisë. Banditët u larguan me varkë ndërsa ne 7 peshkatarët jemi në anije. Nga Ndërmarrja e Peshkimit muarën porosinë që të mos lëviznin nga anija dhe të kërkonin ndihmë nga kapiteneria e portit të Brindizit që të ktheheshim. Nga banditët që grabitën anijen, unë njihja vetëm kapiten Enver Metën, Bardhyl Voglin, dhe Qemal Nikshiqin, të tjerët nuk i kam njohur, por pashë nga larg që në varkë ishin afërsisht 10 persona.

Më vonë tek ne kanë ardhur autoritetet italiane dhe na pyetën për ngjarjen, ne u treguam se anijan e kanë grabitur kapiteni e sajë Enver Meta, së bashku me një grup banditësh duke qenë edhe Bardhyl Vogli. Banditët na kanë mbyllur brenda, kanë përdorur ndaj nesh dhunë, e na kanë qëlluar me leva dhe mjete të tjera, na kanë kërcënuar për vrasje. U thamë se anija e grabitur është e shtetit shqiptar, e Ndërrmarjes së Peshkimit të qytetit të Durrësit. U kërkuam që grupi i banditëve të dënohej për veprimtarinë e kryer, për grabitjen e anijes dhe dhunën e përdorur ndaj nesh.

Shokët e anijes, më treguan edhe për veprimet që kishin kryer banditët me në krye Enver Metën. Edhe ata i kishin kërcënuar me thikë, se do t’i vrisnin, Fisnik Doçin e kishin lidhur nga këmbët dhe duart, pastaj e kishin mbyllur brenda, ndërsa Agron Guzën e kishin kërcënuar 4-5 veta njëherësh me thika dhe më pas e kishin mbyllur në dhomën e frigoriferit.

Grabitësit e anijes e kishin bërë planin prej kohësh, ata që në fillim kur u nisëm nga Durrësi i kishin fshehur shokët e tyre në frigoriferin e anijes dhe pasi udhëtuam 20 apo 21 milje, vepruan me forcë ndaj nesh dhe grabitën anijen.

Unë kërkoj nga organet kompetente që kapiteni i anijes “Dukati” banditi Enver Meta së bashku me bandën e tij, që grabiti anijen të dënohet si për grabitjen e anijes, edhe për dhunën që kanë përdorur ndaj nesh, duke na kërcënuar për vrasje dhe për goditjen ndaj meje.

Proçesverbalin e lexova vetë dhe pasi pashë se fjalët e mija janë shkruar drejtë i nënshkruaj me firmën time.

DESHMITARI HETUESIT

VASIL KOCILLARI BASHKIM ASLLANI

A S I S T O I

PROKURORI I RRETHIT

SPIRO PECI

Memorie.al