Filmi i animuar “Exit” i regjisorit shqiptar fiton çmimin “Excellence Special Mention”

Artur Muharremi

Piktori dhe regjisori i filmit të animuar “Exit”, Artur Muharremi, ka rrëmbyer çmimin “Excellence Special Mention” në konkursin “The Best Short Competition” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmim i cili ishte një ndër dhjetë çmimet e këtij konkursi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke njoftuar se filmi “Exit” është vlerësuar nga juria si i jashtëzakonshëm, dhe si film që duke tregon thellësinë e profesionit dhe kreativitetin unik.

“Me një animacion tërheqës, një karakter gjithashtu tërheqës dhe metaforë të bollshme për jetën, “Exit” ndjek një laps brenda një fabrike. Lapsi fiton vetëdijen dhe shikon kudo për të gjetur daljen drejt lirisë së tij… por ndërsa ai endet në fabrikë dhe zbulon të vërtetat e tmerrshme të funksionimit dhe qëllimeve ndaj tij- ai shpejt e kupton se në të vërtetë nuk ka pasur kurrë një dalje (exit)”, thuhet në përshkrimin e filmit, transmeton ‘cbc.al’.

Artur Muharremi ka lindur më 2 qershor të vitit 1958 në Pogradec, dhe është diplomuar për pikturë në degën e skenografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku më pas është emëruar si regjisor-piktor pranë filmit të animuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Regjisori i filmit “Exit” është vlerësuar me çmime të shumta, me një karrierë artistike shumë vjeçare brenda dhe jashtë vendit.

LEXO EDHE: Filmi i animuar “Clara me mustaqe” fiton çmim në festivalin e njohur francez