Filmi “Portret i pambaruar”: Një histori dashurie në diktaturë

Është shfaqur në Tiranë, filmi shqiptar “Portret i pambaruar” me regji të Namik Ajazit dhe skenar të Ruzhdi Puhalës. I bazuar në ngjarje të vërteta, të ndodhura gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ai trajton historinë e dashurisë së një djali shqiptar me vajzën e një diplomati italian gjatë diktaturës.


I xhiruar mes Shqipërisë dhe Italisë me kastë autorësh nga të dyja vendet, ai bashkon emra si: Remo Girone, Guljelm Radoja. Pastaj Rajmonda Bulku, Alfred Trebicka, Mehdi Malkaj, Olta Daku, etj.

Regjisori Ajazi tregoi se kjo histori është e ngjashme me njërën nga shtatë historitë e pamundura të dashurisë së djemve shqiptarë me vajza të huaja. Sipas tij, janë shtatë të tilla në arkivin e ish Ministrisë së Brendshme. “Ne me këtë film menduam ti bëjmë një homazh, të gjithë atyre që guxuan të kishin një ndjenjë kaq të pastër si dashuria. Por e kishin të pamundur për shkak të regjimit”.

Në rolin e zëvendësministrit të brendshëm, aktori Alfred Trebicka tha se “ndjenja e dashurisë se si rri në diktaturë, tjetër gjë të dashurosh sot dhe tjetër gjë në diktaturë”.

“Portret i pambaruar”

Rajmonda Bulku: Unë dhe Radoja ishim prindërit, ishte një burg për të gjithë

Ndërkaq, aktorja Rajmonda Bulku, tha se, ajo dhe Guljelm Radoja ishin prindërit shqiptarë të djalit.

“Unë dhe Guljelmi e kemi jetuar atë kohë dhe për ne, nuk ishte e vështirë për të hyrë në ato rrethana. Por ishte një histori, që unë nuk e kisha dëgjuar atë kohë. Dhe e mësova vetëm kur lexova skenarin dhe fola me regjisorin. Kemi thënë që ka burg të mbyllur, që është ekstrem i të keqes. Por ne të gjithë ishim në një burg të hapur. Ky film tregon se si kemi jetuar ne”.

Në qendër të historisë së filmit “Portret i pambaruar” është studenti i arteve Artur Erzeni. I cili përballet me presionin e Sigurimit të Shtetit përgjatë historisë së tij të dashurisë. Roli i Erzenit i është besuar një aktori të ri, Anton Kodrinaj. Filmi shfaqet për dy javë në kinema./balkanweb

ObserverKult

Lexo edhe:

KUR DASHUROJE NJË TË HUAJ NË SHQIPËRINË KOMUNISTE