Seriali nga Kosova “Rrushe” është shfaqur mbrëmjen e djeshme si premierë në televizionin kombëtar Top Channel. Por ishte e çuditshme, pasi ishte titruar po në gjuhën shqipe. Kjo ka sjellur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke akuzuar median se “nuk e kupton gjuhën kosovare”.
Profesori universitar Rrahman Paçarizi shkruan:
FILMI SHQIP ME “PËRKTHIM” SHQIP
Që doni me pa se qysh doket paragjykimi për varietetet dialektore të shqipes, kqyreni përkthimin shqip të filmit “Rrushe” (po shqip) në Top Channel. Rast per studim.
P.S.
E di çka është titrimi. Flm!
Poeti Bardh Frangu:
Skandaloze, filmi kosovar “Rrushe” në televizionin TCH shfaqet i shoqëruar me titra, përkatësisht me përkthimin shqip-shqip!
Studiuesja Meliza Krasniqi:
Akordancë dhe dakordancë për manual intimidimi dhe në këtë okazion jemi disponsabël me devocion. Kërkoj apologji për këtë informacion të pa apdejtuar sepse satisfaksioni dhe determinimi impresionues është riskant.
Jemi gudio për akseptim dhe suport. Dmth (mos me e ditë anglishten) në plot raste, në këtë të folme, veç lidhëzat i kisha kuptu, se gjuhë shqipe sështë aspak.
Po nejse
Mirë që Rrushe = Rrushe
Publicisti dhe poeti Halil Matoshi:
Kombi kosovar âsht e vetmja mburojë nga kulturocidi i vazhdueshëm ndaj Gegëve shqiptarë! Shqiptarët kosovarë nji jetë kanë menu se përkasin në kombin unik shqiptar – në kombin e gjuhës shqipe – dhe tash u shokuen ma në fund që n’Tiranë bâhen hesap si Rendi i Dytë i qytetarisë në komb.
Sa na kanë sha e pshty “maloqt” që kurrë nuk i ranë n’fije standardit ‘72, neve, disa mrojtësve të shpirtit Gegë dhe idesë së kombit sovran kosovar, jo atij të konceptit etnik primordal (simas definicionit stalinist) po atina të solidarsisë qytetare, konceptit politik të kombit. E tash???
Kombi unik shqiptar âsht veç nji deklaratë politike e etno-nacionalistave dhe elitave kulturore në Tiranë që segregojnë gegët tue tall bythën me kosovarët “malokë”. Gegët t’ballafaquem me kulturocid që vazhdon kanë dy zgjidhje:
1. Të shohin realitetin e idhtë me sy e ta digjojnë këtë hata me veshë, tue iu nënshtru hegjemonizmit gjuhësor tosk, që e konsideron kombin unik shqiptar me rende qytetare tue qenë vet në rendin e parë;
2. T’i kqyrin punët e veta, tue rikthy copat e pshtueme nga kulturocidi në mozaikun e Gegnisë, e me e normue shqipën e tyne Gege – jo si dialekt – se gegnishtja nuk âsht kurrfarë dialekti (si psh. gjirokastrite ose labçe) po âsht vet rrâja dhe thelbi i shqipes.Guha e Budit, Bardhit, Bogdanit, Buzukut e der tek Mjeda, Fishta, Koliqi e Camaj.
P.S.
Sa mirë që ra Top Chanel-i dhe seriali kosovar “Rrushja” – me temë dhe etos nga areali kulturor Gegë – që u titru në tosknisht, që kosovarët mos me dekë injoranta!
Gazetari Ermal Mulosmani:
Topi po transmeton një film kosovar por…po e përkthen edhe me titra. Sapo një djalë tha “Po po, qe erdha”. Topi e përktheu “Po po, ja, erdha”…
Në lidhje me përkthimin e subtitruar të filmit “Rrushja” nga Top Channel, sonte, mendoj se Televizioni ka gabuar. Duke dashur ta bëjë filmin të kuptueshëm për një publik sa më të gjerë, subtitroi gjithë filmin jo vetëm momentet e pakuptueshme.
Unë mendoj se do ishte krejt e përligjur nëse sekuenca apo dialogje me zhargon të subtitroheshin (siç ndodh në filmat shqiptarë kur flitet në gjuhë të huaj) por përkthimi edhe i dialogjeve krejtësisht të kuptueshme e tëhuajzonte tërësisht gjuhën e folur nga shqiptarët e Kosovës.
Dhe kjo ishte krejt e panevojshme, e tepruar dhe gati raciste.
E fundit për rastin e filmit të mbrëmshëm. Ka shumë mundësi që producentët e filmit, prej kënaqësisë që do e transmetojnë në TCH, ta kenë bërë përkthimin vetë (me kompleksin e inferioritetit të provincialit).
Ose ua ka kërkuar Topi të përkthyer.Të shkretët, kishin marrë një shqipërues aq të zellshëm sa edhe Çabeji do e kish kritikuar për teprim.
Megjithatë, më të zellshëm se përkthyesi janë avokatët nga Kosova të shqipërimit/përkthimit. Këta janë ca të mbaruar që e kritikojnë veten edhe pse mendimet ju vijnë në dialekt e jo në standart!
Këta janë kaq inferiorë sa çdo pordhë që vjen nga “shteti amë” mban erë të mirë. Kompleksi i inferioritetit dhe zelli për nënshtrim, qoftë edhe gjuhësor, është tregues i qenieve pa personalitet.
Siç thotë Buzzati te “Fjala e Ndaluar” për shtysën që të jep të qenit konformist: “Një përkufizim shkencor mungon. Rëndom e quajnë konformizëm. Është paqja e atij që ndihet në harmoni me masën që e rrethon. Ose është shqetësimi, halli, parehatia, sikleti, turbullimi i atij që largohet nga norma”.
Këta tipa janë normista. Të normuar. Ndjekës të normës, dogmës, standartit.
Të marrim shpirtin për standartin. Janë, me një fjalë, konformistë! Dhe këta tipa, shpesh mbajnë veshje moderne, shprehin edhe ndonjë mendim interesant derisa përpara u del Bibla e tyre: “Nënshtrimi para Njësimit të Gjuhës”.
Ata kritikojnë edhe shokët, miqtë, familjarët, prindërit për “provincialitet gjuhësor” dhe tallin e linçojnë bashkëpatriotët për “barbarizëm gjuhësor”.
Këtyre tipave u lektiset shpirti tek gjurmojnë fjalë me tingëllima parake nga bashkështetas të tyre për tua kundërvënë “tingëllimi magjik” të standartit.
Në fakt këta janë qeniet më inferiore dhe të pa personalitet. Këta kanë personalitet idolatrik, të ndikuar nga dikush a diçka që qëndron mbi ata dhe vullnetin e tyre.
Ata e kanë dorëzuar mendjen dhe arsyen te idhulli i tyre. E këta tipa janë shumë më injorantë e të kompleksuar sesa analfabetët e zonave më rurale. Ata të paktën mendojnë me mendjen e tyre.
Publicisti Berat Buzhala:
Le ta harron Blendi Fevziu për që i shkoj në emision, pa m’garantu qe ka titra për çdo fjalë që unë e tham. Mendjaaaa jeme m’kuptojnë. Bre çka m’shajshin këta të Ramës. Problemi koka kanë të perkthimi. Nesër duhet të derdhemi të gjithë në shesh, që të protestojmë. Inaf is inaf.
Ndërsa në një status tjetër ai shkruan:
Mi thane ndrrojani edhe emnin serialit Rrushe. Bonjani Zogu. Ose Pjeshka.
Ndërsa aktori Shkumbim Istrefi, që është pjesë e serialit kosovar “Rrushe”, ka përgëzuar Top Chanel për shfaqjen e këtij seriali që sipas tij ka ngritur standardin e prodhimeve televizive këndej e andej kufirit.
Postimi i plotë i tij:
Seriali “Rrushe” ka filluar të shfaqet në Top Channel. Në transmetim shfaqen edhe titrat në gjuhën shqipe (afërsisht standardi). Po lexoj reagime të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Unë mendoj që është mirë që seriali shfaqet me titra shqip për dy arsye kryesore.
1. Që ngjarjen ta kuptojnë edhe personat që nuk mund të degjojnë.
2. Që ngjarja të kuptohet nga secili shqiptar kudo që jeton.
Gjuha e folur në serial është gjuhë e folur e karaktereve, në mënyrë që loja të jetë më e natyrshme dhe më e “besueshme” për shikuesin.
Seriali “Rrushe” nuk e ka obligim e as qëllim afirmimin e gjuhës standarde, por është serial dramë/krim/aksion.
Shikim të këndshëm dhe bravo për Top Channel që po e shfaq këtë serial, që sipas meje, ka ngritur standardin e prodhimeve televizive të luajtura këndej e andej kufirit.
Aktori Fatmir Spahiu-Bufi:
Mirëmëngjesi njësha,
Dmth marketing më i madh një produkti audiovizuel kosovar, s’ka mujte më ju bë se sa kjo me këtë përkthim serialit në fjalë në Top të Shqipërisë.
Këtu e shoh një problem, bëhet fjalë për përkthim dhe adaptim e jo për subtitles apo titrim, këtu fle lepuri dhe ndodh ofendimi.
Gjithsesi, është avansim, më shumë vonesë, i shfaqjes së produkteve shqiptare te Kosovës në TV të rëndësishëm të Shqipërisë. është për me i zgurdullu sytë dhe me mendu përditë se si prodhimet audiovizuele të Shqipërisë kanë gjet dhe kanë patur treg Kosovën dhe troje tjera jashtë dhe diasporën e tyre, kurse prodhimet tona kurrë nuk e kana pas treg Shqipërinë, kam pas shkru për këtë para 8 mijë vejte por sasi…
Eshtë e thjeshtë kjo punë dhe qëndron tek dashuria e pa kusht që ne kemi për Shqipërinë e vogël.
Në Kosovë është ditë kush është nënkryetar i Kuvendit të Bashkisë së Librazhdit kurse nga ana tjetër ka njerëz me shumicë që kurrë nuk e kanë vizituar ta them Lidhjen Shqiptare te Prizrenit.
Kjo lloj qasje hyn në kategorinë “Unë duj Rrahimin, Rrahimi duj veten”
Gjithsesi është detyrë e jona që ne t’i flasim këto gjëra dhe probleme çdo ditë, t’i evidentojmë ato, t’i trajtojmë, por asnjëherë në drejtim të krijimit të ndarjeve dhe përçarjeve në mes nesh, se sbënë!
Shqipëria është e jona, e tyre, por më së shumti e atyre që kanë derdh gjak për këtë flamur për me pas na mundesi me palavite muhabete të tilla!
“Rrushe” është një serial i mirë, luajnë disa aktor te shkëlqyeshëm, ju ftoj ta shikoni.
ObserverKult
Lexo edhe: