Fitim Nuhiu: Trendi i fëmijëve që po shkruajnë libra…

fitim nuhiu


Nga Fitim Nuhiu

Dikur isha kategorikisht kundër idesë që fëmijët të botojnë libra, duke u argumentuar me idenë se letërsia s’është diçka fëmijërore, duke vazhduar arsyetimin tim se atyre do t’i duhet fillimisht të hyjnë në filtrat e leximeve të pafundme dhe kur të arrijnë në një moshë relativisht të pjekur do të jenë në gjendje të fillojnë të gjejnë veten e tyre në krijimet letrare apo të gjejnë stilin dhe talentet e tyre artistike, e kështu me radhë.

Megjithatë, duke i parë rrethanat e sotme, trendet e sotme që fëmijët janë shumë të talentuar mirëpo nuk shihen që kanë edhe talente të mirë-orientuara, dhe që duke i parë faktorët e ndryshëm teknologjik që mendjet e fëmijëve egërsisht i ka gllabëruar (gjeneratë tiktoku), dhe në anën tjetër kur dëgjoj që disa fëmijë interesohen për librin, interesimin e tyre për të shkruar e botuar libra (megjithëse mirë do të ishte sikur vetëm të lexojnë), sidoqoftë gjykoj se duhet shfrytëzuar këto kapacitete të tyre imagjinative edhepse në moshë fëmijërore, sepse kur fëmijët shkruajnë, ata e ndjejnë nevojën herëdokur edhe të lexojnë, sepse gota e zbrazur s’ka se si të derdhë ujë, pa mos u mbushur paraprakisht, dhe këtë gjë fëmijët do ta kuptojnë me kohë (do t’i duhen krijuar ato teknikat e tyre letrare e ato nuk krijohen pa mos lexuar), pra, vetëm ata që lexojnë munden edhe të shkruajnë.

Fundi fundit, le të botohen libra nga fëmijët, për fëmijët – sa të munden, sepse vjen një kohë që ato i vlerëson, i gjykon, apo edhe mund t’i harron po kjo kohë, por diçka do të mbetet, në mos për publikun, do të mbeten për veten e po këtyre autorëve të rinj, do të mbetet një rrugë e nisur, që mund ta gjykojnë me kohë se ku kanë qenë dikur kur ishin të vegjël, çka kanë shkruar, që ndoshta edhe do të qeshen me shkrimet e tyre apo edhe do t’i mirëkuptojnë për moshën kur i kanë shkruar dhe kur të rriten më vonë, sigurisht vetëm nëse i çajnë rrugët e jetës së tyre akademike dhe intelektuale, do të ndjejnë veten mirë dhe krenarë që kanë pasur guximin që të dalin me vepra letrare para një publiku të caktuar të një kohe.


Fëmijët priren që të shkruajnë poezi (më pak prozë) me tematika nga më të ndryshmet, duke filluar nga poezitë dedikuese për familjarët e vet, pastaj i këndojnë natyrës, ledhatojnë atdheun, lartësojnë mësimin në shkollë, lavdërojnë miqësinë, etj. tema këto të përgjithshme që ndikohen në një ose formë tjetër, pra nga përditshmëria e tyre.
Sidoqoftë, këta fëmijë fillimisht duhet të lexojnë kryeveprat botërore, veprat e autorëve shqiptarë, në mënyrë që të zbulojnë edhe më tej talentet e tyre si letrare ashtu edhe artistike brenda vetes së vet, të gjejnë stilin e vet të rrëfimit të ngjarjeve apo emocioneve të tyre, ama vetëm duke lexuar, ndryshe s’ka se si të ndodhë një gjë e tillë, sepse vetëm leximi është ajo sëpata që thyen akujt brenda njeriut dhe e gdhend ashtu siç duhet të jetë.


Leximet e hershme do t’i ndihmojnë fëmijëve që të përmirësojnë dukshëm performancën e tyre akademike, profesionale si edhe formimin e tyre intelektual dhe do t’i përgatisin për jetën e tyre akademike duke e ndjerë veten si njerëz të kompletuar dhe të hapur për dije dhe njohje të tjera të reja.

ObserverKult

Lexo edhe:

FITIM NUHIU: VDEKJA ËSHTË FEMËR