Fitues i Çmimit të BE-së për Letërsi, Shpëtim Selmani

Shpëtim Selmani, me librin prozaik Libërthi i dashurisë, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”, është shpallur sot fitues në edicionin e dymbëdhjetë të Çmimit të BE-së për Letërsi (EUPL), në të cilin konkurrim Kosova ka marrë pjesë për herë të parë bashkë me 13 shtetet pjesëmarrëse (Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Danimarka, Estonia, Gjermania, Kosova, Kroacia, Luksemburgu, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Qiproja dhe Spanja). Çmimin e bashkëfinancon programi i Komisionit Evropian Evropa Kreative e cila ka për qëllim të nxisë dialogun ndërkulturor dhe promovimin e arritjeve artistike në zhanrin e romanit.

Juria e Kosovës, e përbërë nga Lindita Tahiri (kryetare), Osman Gashi, Festa Molliqaj dhe Lindita Rugova, pas shqyrtimit të listës së ngushtë me tre autorë (Azem Deliu me romanin Shënimet e krimbit Smolinski, Majlinda Bregasi me romanin Gërsheti i prerë dhe Shpëtim Selmani me romanin Libërthi i dashurisë) dhe në konsultim me Këshillin e EUPL-së, ka përzgjedhur fituesin për të cilin thotë: “Libri i Shpëtim Selmanit është prozë e risive dhe romani i tij është hibrid i zhanreve të ndryshme si i: prozës poetike, esesë, autobiografisë, ditarit letrar, prozës poetike. Në shikim të parë një kombinim i tillë mund të duket fragmentar, por romani është koherent me tema dhe ide, me rrëfimtarin që përsiat, proteston, dashuron, rebelohet, përqesh dhe vetëpërqeshet, duke përthekuar dimensione të shumta nga personalet deri tek ato politike”./epokaere