Frymëzuese nga Arnold Schwarzenegger: Beso në vete, pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët!

Nga Arnold Schwarzenegger

Njerëzit më pyesin gjithë kohës: “Cili është sekreti yt i suksesit?”.
Shumë të rinj marrin këshilla nga prindërit, mësuesit, nga të gjithë. Gjëja më e rëndësishme është të kërkoni thellë brenda vetes dhe ta pyesni veten; “Kush dua që të jem në të ardhmen?”. Jo “çfarë”, por “kush”. Nuk po flas për atë që prindërit apo mësuesit duan që ti të bëhesh, por për atë që ti do të bëhesh. Po flas për atë që ti duhet ta zbulosh vetë, për atë që ty të bën të lumtur.

Unë kam shpenzuar shumë kohë me veten për të kuptuar dhe për të dëgjuar çfarë kisha në zemër dhe në mendje. Diçka vlonte brenda meje dhe më thoshte se duhet të isha ndryshe. Unë kisha lindur për të qenë unik. Kisha ardhur në jetë për të menduar gjëra të mëdha dhe për të ëndërruar gjëra të mëdha.

Karrierën e mora me shumë seriozitet dhe intensitet. Doja të isha i pari dhe çdo përpjekje m’u shpërblye. Unë nuk doja të isha thjesht një kampion bodybuilding. Doja të isha bodybuilder-i më i mirë i të gjitha kohërave. Nuk doja të isha thjesht një aktor i famshëm. Doja të isha aktori më i famshëm dhe më i paguar.

Sa herë ke dëgjuar të të thonë se nuk mund ta bësh këtë gjë, apo nuk mund ta bësh atë gjë? Unë e dëgjoja këtë refren gjatë gjithë kohës. Ma kanë thënë në fytyrë: “Nuk je asgjë më shumë, se një muskul gjigand. Nuk mund të aktrosh. Nuk e ke theksin e duhur për t’i bërë njerëzit të qeshin”.

Njerëzit m’i thanë këto fjalë, por ja që ia dola mbanë. Këtë po përpiqem të them edhe ty. Çdo gjë mund të arrihet, nëse përpiqesh dhe ke besim tek vetvetja. Ke për të hasur pengesa në çdo rrugë që do marrësh. Mos i kushto vëmendje. Mendo për synimet e tua dhe projekto se ku do të arrish. Beso tek vetja. Mos i kushto vëmendje atyre që të thonë se nuk mund ta arrish diçka. Besoji vetes, pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët.

Çfarë kuptimi do të kishte jeta, nëse do të jetoje mbi Tokë për t’u pëlqyer nga të gjithë dhe për të shmangur telashet? Në jetë ka plot rregulla, por mënyra e vetme për të arritur atje ku do, është duke i shkelur disa prej tyre. Nëse sillesh mirë dhe nuk i thyen rregullat e vendosura nga shoqëria, nuk ke për të pasur asnjë mundësi për të avancuar në jetë.

Rrugëtimi i jetës tënde nuk ka për të qenë pa dështime apo zhgënjime. Jeta është e tillë, por mos ki frikë nga dështimet. Jo gjithmonë do të fitosh, por mos ki frikë për të marrë vendime. Nëse frikësohesh nga dështimet, nuk ke për ta nxitur asnjëherë veten për të ecur përpara me besim. Nëse e di se po bën gjënë e duhur dhe se do të korrësh sukses, mos u frikëso nga dështimi.

Ndërkohë që ti mund të jesh duke pirë kafe, mund të jësh në një party, dikush tjetër në të njëjtën kohë po punon fort. Dikush po bëhet më i zgjuar dhe po fiton në jetë. Ti nuk dëshiron të humbasësh në jetë, thjesht sepse nuk u përpoqe mjaftueshëm. Ti e di se nëse do të fitosh, duhet të përpiqesh shumë. Pa dhimbje nuk ka fitore.

Por mos u ndal me kaq. Nëse arrin të korrësh sukses, shiko përtej lumturisë tënde. Po të shikosh me vëmendje rreth vetes, me siguri do të shfaqen mijëra njërëz që kanë nevojë për ndihmën tënde. Ndihma ndaj njerëzve në nevojë do të të japë më shumë kënaqësi se çdo gjë që ke bërë ndonjëherë më parë.

Besoji vetes. Thyeji disa rregulla. Mos ki frikë të humbasësh. Injoroji ata që të thonë se s’mund t’ia dalësh mbanë. Puno fort për të arritur atje ku do dhe jep diçka nga vetja, kur të kesh korrur sukses.

ObserverKult

Arnold Schwarzenegger

Lexo edhe:

FJALIMI I PANJOHUR I ISMAIL QEMALIT: KOSOVA KA QENË DHE DO TË JETË SHQIPTARE