Fjolla Hajrizi: Nuk dezinfektohet frika…

Ndërsehen qentë,
Qetësia e frikshme është
Nata pa hënë
Rrugët bosh
Që sjellin erë murtaje

Nuk dezinfektohet frika
As dëshirat
Përqafimet të ndaluara janë
Kushedi se si
Në heshtje thuhen lutje
E në kokë më buçet  
Një sirenë spitalesh

Mbi gjithçka është vendosur
Shirit i padukshëm ndalese
Jeta e dikujt vlen më shumë
E dikujt tjetër më pak
Dhe vdekja ndoshta vjen
E pabarabartë!

Rrallëherë kënga,
Zbehtë, në alt dhe bas jehon
Ka turp prej fatkeqësisë
Fshihet pas perdesh
Njëjtë si ajo
Edhe kjo poezi shkruhet!
Gjersa një akt i pashpresë endet si hije

Është kohë heronjsh që shihen
Me mantel bardhësie, ose në ekran
Pijnë ilaç anti lot
Dhe mendjen ndoshta e vrasin
A mendon dikush për ta?!

Është edhe kohë heronjsh që fshihen
Se janë urdhëruar ashtu!
Nuk e di nëse luftërat fitohen
Duke menduar vetëm për veten
Por e di që,
Mesnatë u bë,

As qentë nuk po dëgjohen më
Agu zbardhi
Triumfalisht mbi ëndrrat e mia
Era fryen,
Diell dimri rrezon mbi plagët tona
Që nuk i paskam njohur
Nuk dezinfektohet qenia
Nuk shpëlahen pse-të?

Breshëria e mendimeve
Është mallkimi i poetit
Ujëvara e fjalëve
Është shpresë e tij
E për ironi del kjo poezi
Disi shpresë këputun

Pres,
Edhe pak ditë
Pranvera vjen
Se asgjë nuk zgjat përgjithmonë
Vetes orë e çast ia përsëris
Dhe ashtu më duket
Sikur po flas me ju!