“Flag of Tomorrow” si paralajmërim i së ardhmes distopike

Artisti kosovar, Driton Selmani, ka përthekuar urgjencën e ditëve të sotme në një strukturë metalike e një shkrim të shkujdesur i fjalisë “Flag of Tomorrow”, që rrotullohet sa herë që erërat e Adriatikut fryjnë drejt saj. Vepra që nga 24 gushti ka zënë vend në qytetin bregdetar Omish të Kroacisë.

Selmani përmes “Flag of Tomorrow” (Flamuri i së nesërmes) është bërë pjesë e festivalit dedikuar artit bashkëkohor “The Almissa Open Art”. “Flamuri i së nesërmes” ashtu siç ka thënë edhe Selmani për ‘Kohën’, është një paralajmërim i së ardhmes distopike, duke vënë në pikëpyetje planet shoqërore për të nesërmen, pa e lejuar kthimin e se djeshmes tashmë të vjetërsuar. Skulptura kinetike, e realizuar me metal të salduar dhe mekanizëm rrotullues, e që ka dimensionet 250 me 300 centimetra pushon buzë bregdetit, në vendin që njihet si “Šetnica Ribnjak” (Shëtitorja e Pellgut).

Edicioni i sivjetmë i “Amissa Open Art Festival” ka pasur si temë “Urgjencën” si një formë e imponuar e kohës, por gjithashtu edhe një thirrje e vetëdijes. Festivali që këtë vit ka shënuar edicionin e 11-të, është riemëruar nga organizatorët sipas numrit të emergjencës 112. Diçka e tillë është bërë për të theksuar dy gjëra: analizimin e konceptit urgjencë, por gjithashtu edhe aftësinë e artit për të analizuar dhe iniciuar procese në të tashmen pulsuese. Edicioni i sivjetmë nisi më 21 gusht dhe përfundoi më 26 gusht, mirëpo vepra e Selmanit do të qëndrojë e ekspozuar edhe për një kohë më të gjatë në përputhje me ligjet komunale në fuqi dhe në marrëveshje me Komunën e Omishit.

“Në një kohë urgjencë ekziston një ndjenjë që nuk kemi shumë kohë dhe nuk ka hapësirë për vonesa. Në të njëjtën kohë, paradoksalisht, perceptimi i kohës është zgjeruar dhe ndarë në copëza më të vogla, nanosekonda që kthehen në një pjesë të infinitetit”, përshkruhet koncepti i edicionit të sivjetmë. Sipas të njëjtit, urgjenca nuk është e lidhur vetëm me shpejtësinë e reaksioneve, por gjithashtu edhe me ndryshimet e perceptimit të kohës.

“Ani pse ne jemi përgatitur për të më përpara, kemi bërë plane dhe proceduara zhvillimi, eksperienca e reagimeve të tilla drejtohet në hapësirat e sinkronitetit, rastësisë dhe humbjes së kontrollit, dëshirës ose apatisë. Adrenalina në mënyrë të menjëhershme rrit fuqinë, perceptimin dhe intuitën. E gjersa ne e shuajmë zjarrin, një tjetër hapësirë hapet brenda nesh, fuqia e njerëzve, komunitetit, empatia. Papritmas ne e dimë që ne nuk jemi vetëm”, është shkruar mes të tjerash aty.